TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota28 Prill 2025, 11:02

Netanyahu drejt diktaturës; Ish-kreu i sherbimit izraelit: Kryeministri kërkoi policinë sekrete kundër kundërshtarëve

Shkruar nga Pamfleti

 Netanyahu drejt diktaturës; Ish-kreu i sherbimit izraelit: Kryeministri

Ish-shefi i Shin Bet, Ronen Bar, zbulon me dokumente sesi Netanyahu donte ta kthente shërbimin sekret në polici private kundër kundërshtarëve politikë. Izraeli drejt krizës më të rëndë kushtetuese, ndërsa Gjykata e Lartë heton shkarkimin politik të drejtuesit të shërbimit të sigurisë.

Nëse dikush kishte ende dyshime se Benjamin Netanyahu po përpiqet ta shndërrojë Izraelin në një shtet autoritar ku kryeministri qëndron mbi ligjin dhe kundërshtarët politikë trajtohen si armiq të shtetit, tashmë ato janë rrëzuar plotësisht.

Një dokument prej 8 faqesh i dorëzuar këtë javë në Gjykatën e Lartë nga ish-shefi i agjencisë së sigurisë së brendshme Shin Bet, Ronen Bar, dëshmon qartë tentativën e Netanyahut për ta kthyer shërbimin e sigurisë në një polici sekrete personale, që të mbronte kryeministrin dhe jo interesat kombëtare.

Netanyahu drejt diktaturës; Ish-kreu i sherbimit izraelit: Kryeministri
Ronen Bar /

Ronen Bar, ish-kreu i shërbimit inteligjent, e denoncon hapur presionin e Netanyahut, duke zbuluar se ky i fundit kërkonte informacione mbi financuesit e protestave dhe ndërhyrje të drejtpërdrejtë ndaj kundërshtarëve politikë. Madje, sipas tij, Netanyahu u përpoq të manipulonte edhe procesin gjyqësor ndaj tij për korrupsion, duke kërkuar nga Bar të firmoste dokumente të rreme për ta shmangur paraqitjen në gjykatë.

Gjithçka nisi dimrin e kaluar, kur Shin Bet nisi hetimet ndaj bashkëpunëtorëve të afërt të Netanyahut, të dyshuar për lidhje financiare me Katarin, një vend që financon hapur Hamasin. Vetëm tri javë më vonë, Netanyahu shkarkoi Ronen Bar, duke u bërë kryeministri i parë në historinë e Izraelit që shkarkon kreun e shërbimit të sigurisë për motive politike.

Në deklaratën e tij drejtuar gjykatës, Bar zbulon se Netanyahu kërkoi nga ai që të përdorte Shin Bet për të shtypur protestat masive kundër reformës së drejtësisë, madje duke e urdhëruar që t’u bindej urdhrave të kryeministrit dhe jo vendimeve të Gjykatës së Lartë.

"Netanyahu më kërkoi ta ktheja Shin Bet në instrument të pushtetit të tij personal, duke më bërë presion të hetoja qytetarët që protestonin kundër tij, dhe duke kërkuar besnikëri personale në kundërshtim me parimet e demokracisë dhe shtetit ligjor," shkruan Ronen Bar.

Ish-kreu i Shin Bet flet edhe për hetimin mbi “Qatargate”, duke thënë se shkarkimi i tij kishte qëllim frenimin e këtij hetimi që cenonte rrethin e ngushtë të kryeministrit.

Deklarata e tij ka shkaktuar një stuhi politike dhe mediatike në Izrael, duke e pozicionuar Bar si një figurë që po përpiqet t'i rezistojë rrëshqitjes së vendit drejt autoritarizmit.

Ndërkohë Netanyahu ka reaguar duke fajësuar Bar për dështimin e sigurisë më 7 tetor 2023, kur Hamasi kreu sulmin më të rëndë ndaj Izraelit, por pa iu përgjigjur akuzës më të rëndë: kërkesës që kreu i Shin Bet të zbatonte urdhrat personalë të tij kundër vendimeve të gjykatës.

Nëse Gjykata e Lartë vendos kundër shkarkimit të Ronen Bar, Izraeli mund të përballet me një krizë të rëndë kushtetuese, duke testuar drejtpërdrejt kufijtë e pushtetit personal të Netanyahut.

Deklarata e ish-kreut të Shin Bet është një thirrje alarmi që vlen për çdo vend demokratik ku udhëheqësit autoritarë tentojnë të përdorin shërbimet sekrete për interesa personale. Ronen Bar zgjodhi të ruajë shtetin ligjor dhe jo pushtetin personal të një lideri të korruptuar, duke treguar qartë se ku duhet të pozicionohen zyrtarët e shtetit në një demokraci në rrezik./Përgatiti: Pamfleti

netanyahu ronen bar policia sekrete

Lini një Përgjigje