Franca rrezikon një “Frexit të maskuar”, nëse e djathta apo e majta ekstreme fitojnë në raundin e dytë të zgjedhjeve parlamentare të dielën që vjen, ka paralajmëruar një nga aleatët kryesorë të presidentit Emmanuel Macron...
Raundi i parë i zgjedhjeve të dielën e shkuar, e ka afruar Tubimin Kombëtare të së djathtës ekstreme të Marine Le Pen shumë pranë pushtetit.
Por nga ana tjetër, ai la të hapur edhe mundësinë që votuesit mund ta bllokojnë rrugën e saj drejt pushtetit në raundin e dytë. Kundërshtarët e Le Pen në aleancën e krahut të majtë, Fronti i Ri Popullor, si dhe centristët e dobësuar të presidentit Macron, po përpiqen t’i mohojnë të djathtës ekstreme arritjen e shumicës absolute.
Ministri i Financave i Macron, Bruno Le Maire, që vjen nga e djathta e qendrës, e ka përjashtuar mundësinë e votimit qoftë për Tubimin Kombëtar të Le Pen, qoftë për partinë e ekstremit të majtë Franca e Papërkulur (LFI), duke thënë se të dyja janë opsione të papranueshme, dhe se ato do të dëmtonin vlerat e Francës dhe dëmtonin rëndë ekonominë e vendit.
“Le të jemi të qartë mbi një gjë:Partitë ekstremiste do t’i jepnin fund integrimit evropian, duke rinegociuar kontributin tonë evropian nga njëra anë, dhe duke shkelur rregullat buxhetore të eurozonës nga ana tjetër. Pra ato janë për një dalje elegante të Francës nga BE”- u shpreh Le Maire duke i paralajmëruar votuesit francezë.
Ndërkohë Le Pen, e akuzoi presidentin Macron për një “grusht shteti administrativ”, me emërimin e zyrtarëve shtetërorë, për të cilët ajo pretendon se do të pengonin punën e çdo qeverie të emëruar nga Tubimi Kombëtar. Le Pen iu referua zërave se presidenti është gati
të emëronte zyrtarë “me qëllim që të sabotojë Jordan Bardella (kandidatin e partisë së saj për kryeministër) të qeverisë vendin si të dojë. Në përgjigje të këtyre akuzave, zyra e Macron e ftoi zonjën Le Pen që të ruajë qetësinë.

Nga ana tjetër Le Pen tha të martën, se Bardella do të marrë drejtimin e qeverisë vetëm nëse partia e tyre fiton një shumicë absolute në raundin e dytë të zgjedhjeve. “Ne s’mund të pranojmë të hyjmë në një qeveri, nëse nuk mund të veprojmë sipas programit tonë. Do të ishte tradhtia më e rëndë ndaj votuesve tanë ”- deklaroi zonja Le Pen në një intervistë për televizionin France Inter.
Megjithatë ajo duket se u tërhoq nga ky qëndrim, duke thënë se Tubimi Kombëtar do të përpiqet gjithsesi të krijojë një qeveri edhe nëse nuk merr shumicën absolute. Tubimi Kombëtar dhe aleatët e tij, mund të sigurojnë një shumicë parlamentare në raundin e kësaj të diele.
Ose mund të dështojnë, të penguar nga kundërshtarët që shpresojnë ende të parandalojnë formimin e qeverisë së parë të djathtë të Francës që nga Lufta e Dytë Botërore. Të dy skenarët bartin shumë pasiguri për Francën dhe ndikimin e saj në Evropë dhe më gjerë. Bardella ka ngjallur jo pak shqetësime mbi të ardhmen e Francës në BE, duke thënë se dëshiron që të zvogëlojë me “2-3 miliardë dollarë” kontributin e saj financiar në bllok.
Edhe Fronti i Ri Popullor i krahut të majtë - një aleancë e socialistëve, të gjelbërve, komunistëve dhe partisë LFI - e ka mbështetur “refuzimin” e rregullave të BE-së mbi buxhetin. Rreziqet e mëdha dhe afati kohor i ngjeshur i këtyre zgjedhjeve, ka lënë në hije përgatitjet për Lojërat Olimpike të Parisit, të cilat nisin në më pak se një muaj.
Për të bllokuar ngjitjen në pushtet të së djathtës ekstreme, disa kandidatë të majtë dhe të qendrës që nuk fituan plotësisht në raundin e parë, por u kualifikuan për të dytin, janë tërhequr tashmë.
Ata kishin kohë deri në orën 18:00 të së martës për të vendosur. Dhe deri në atë moment, më shumë se 210 kandidatë pro Macron apo të krahut të majtë ishin tërhequr nga garat në një përpjekje për të parandaluar Tubimin Kombëtar të fitojë këto vende.
Ky cilësohet një zhvillim i mirëpritur për kampin presidencial. Sepse duke u tërhequr, kundërshtarët e Tubimit Kombëtar mund t’i devijojnë votat tek kandidatët e tjerë të pozicionuar më mirë për të mposhtur të djathtën ekstreme të dielën. “Sot kemi një objektiv, dhe ai është t’i mohojmë Tubimin Kombëtar arritjen e një shumicë absolute”- tha Francois Ruffin i partisë së ekstremit të majtë Franca e Papërkulur.
Nëse Bardella bëhet kryeministër i Francës, kjo do të krijonte një periudhë të tensionuar “bashkëjetese” me Macron, i cili është zotuar të vazhdojë mandatin e tij deri në vitin 2027.
Kryeministri aktual Gabriel Attal, 35 vjeç, deklaroi të hënën se “do të ishte katastrofike që francezët” t’i japin të djathtës ekstreme një shumicë absolute.
Të martën, Attal u përplas verbalisht me një votues 22-vjeçar gjatë një aktiviteti elektoral në Paris. I riu e akuzoi kampin e qendrës, se nuk bëri sa duhet për të parandaluar ngjitjen e partisë së Le Pen. “Ju s’keni të drejtë ta lini botën në dorën e ekstremit të djathtë”- i tha ai Attal në një bisedë të tensionuar, duke shtuar se njerëzit e brezit të tij “sapo kanë filluar jetën”.
Vetëm 76 ligjvënës, gati të gjithë nga e djathta dhe e majta, u zgjodhën drejtpërdrejt në raundin e parë të votimit fundjavën e kaluar. Fati i 501 vendeve të mbetura, do të përcaktohet në raundin e dytë në balotazhet midis dy, tre, ose në disa raste të rralla edhe 4 kandidatëve të mbetur në garë.
Nga 214 kandidatët që kanë vendosur të largohen nga gara, më shumë se 126 janë anëtarë të koalicionit të krahut të majtë Fronti i Ri Popullor (NFP), që doli i dyti në raundin e parë dhe 78 përfaqësojnë kampin e Macron. Një kandidate e Tubimit Kombëtar u tërhoq të martën nga gara për shkak të një postimi në rrjetet sociale të një fotoje me një kapele të forcave ajrore Luftwaffe të Gjermanisë naziste.
Vetëm 109 gara me 3 apo 4 kandidatë do të zhvillohen këtë të diel, krahasuar me 311 që ishin parashikuar pas raundit të parë. Megjithatë brenda kampit presidencial ka mosmarrëveshje mbi mbështetjen e atyre kandidatëve të NFP që dalin nga partia e ekstremit të majtë Franca e Papërkulur (LFI).
Disa figura me peshë në kampin e Macron, përfshirë Le Maire dhe ish-kryeministrin Edouard Philippe, thonë se nuk duhet të ndihmojnë kandidatët nga LFI, parti që akuzohet nga kritikët e saj për ekstremizëm dhe për mos dënimin e Hamasit pas sulmit të 7 tetorit 2023 ndaj Izraelit.
Kundërshtarët e Tubimit Kombëtar druhen për fatin e lirive civile nëse kjo parti, me një histori racizmi, ksenofobie, antisemitizmi dhe armiqësie ndaj myslimanëve të Francës, do të arrijë të marrë pushtetin. Ajo ka në plan të shtojë kompetencat e policisë dhe të kufizojë të drejtat e qytetarëve francezë me shtetësi të dyfishtë për të punuar në disa punë në fushën e mbrojtjes, sigurisë dhe industrisë bërthamore.
Vetë Macron paralajmëroi se e djathta ekstreme, mund ta çojë Francën drejt luftës civile. Analistët thonë se rezultati më i mundshëm është një parlament i varur, që mund ta zhysë vendin në një paralizë politike dhe institucionale disamujore./Përshtati Pamfleti nga “Daily Mail”
Lini një Përgjigje