TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota 7 Shkurt 2025, 12:50

Negociatat Trump-Putin do të jenë të vështira, Ukraina po shantazhon me tezën e armëve bërthamore

Shkruar nga Paolo Rossetti
Negociatat Trump-Putin do të jenë të vështira, Ukraina po
Volodymyr Zelensky dhe Donald Trump

Trump dëshiron t’i njihet merita si paqebërës në Evropë, edhe pse nuk i intereson BE-ja. Siç nuk i intereson as NATO. Ndërsa për Putin, synimi kryesor i luftës ka qenë gjithmonë neutraliteti, çmilitarizimi i Ukrainës.

I dërguari i Donald Trump, Keith Kellogg, thotë se plani i paqes në Ukrainë do të diskutohet me aleatët në Konferencën e Sigurisë në Mynih në datat 14-16 shkurt. Zëdhënësi i Kremlinit Dmitri Peskov, reagoi duke thënë se Moska është gati për një armëpushim nëse garantohet neutraliteti i Ukrainës dhe njohja e disa territoreve të pushtuara tashmë nga Rusia.

Atëherë Zelensky dhe Putin, do ishin të gatshëm të linin pas vetot e tyre dhe të fillonin zyrtarisht negociatat. Pra po fillon të marrë formë paqja e dëshiruar nga Trump, edhe pse siç vëren Marco Bertolini, gjeneral i Brigadës Folgore në ushtrinë italiane dhe komandant i operacioneve të shumta speciale në Liban, Somali, Kosovë dhe Afganistan, do të jetë e vështirë të gjendet një kompromis. Kjo edhe për shkak të pozicioneve kontradiktore të presidentit ukrainas, që për të garantuar sigurinë e vendit synon pajisjen me armë bërthamore.

Zelensky tha se është i gatshëm të flasë drejtpërdrejt me Putinin, dhe Kremlini e ka bërë të ditur se mund të nisin negociatat. A po zhvillohen tashmë ato në prapaskenë?

Zelensky kishte garantuar më herët se kjo gjë nuk do të ndodhte kurrë. Madje ai e kishte të ndaluar me ligj që të dialogonte me rusët. Por me sa duket situata është aq e rëndë, sa e detyron atë të humbasë paksa fytyrën. Ai e di se skenari më i keq, nuk është lëshimi i disa territoreve që nuk janë më të tijat, por që të humbasë pjesë të tjera territori, ndoshta deri në Dnieper, në mos edhe më tej.

Ai po përpiqet të mbijetojë edhe politikisht. Aktualisht është futur në një cep nga Trump dhe Putin, të cilët kishin paralajmëruar një takim midis tyre. Do ishte një shuplakë e madhe për presidentin ukrainas dhe vendin e tij, që ka paguar një çmim shumë të lartë në jetë njerëzore.

Por dhe Putin është tërhequr nga pozicioni i mëparshëm. Deri dje thoshte se Zelensky nuk është legjitim, sepse mandati i tij ka skaduar. Pse ndryshoi mendje?

Mbetet të shihet nëse ky qëndrim i ri është spontan, apo synon të shfrytëzojë momentin e favorshëm pas rikthimit të Trump në krye të SHBA-së. Gjithsesi, nuk mendoj se zgjidhja mund të jetë një armëpushim i thjeshtë. Sipas Putinit, ajo nuk do t’i shërbente Rusisë por vetëm do t’i jepte pak frymëmarrje Ukrainës. Por kurrë mos thuaj kurrë. Duhet të presim dhe shohim se çfarë do të vendoset dhe çfarë garancish do të marrin të dy udhëheqësit.

Trump flet për një përparim të mirë të bisedimeve, Lavrov për kontakte të shtuara. Ndërkohë, duke parë se anëtarësimi në NATO minimumi do të shtyhet, Zelensky ka kërkuar që Ukraina të pajiset sërish me armë bërthamore, duke ua hapur derën investitorët amerikanë për të shfrytëzuar mineralet e rralla ukrainase...

Thuhet se Zelensky po i mban letrat e fshehura. Si çdo lojtar pokeri, ai nuk është i besueshëm. Nga njëra anë thotë se dëshiron të negociojë, ndërsa nga ana tjetër dëshiron armë bërthamore, duke ia hapur dyert Trumpit për shfrytëzimin e pasurive të rralla nëntokësore, një burim shumë i rëndësishëm për Amerikën, që synon t’i kundërvihet rritjes teknologjike të Kinës.

Pastaj për çfarë mineralesh flitet. Për ato nga pjesa e mbetur e Ukrainës apo edhe nga territoret e pushtuara nga Rusia? Për të mos folur për armët bërthamore. Nëse Zelensky do të kishte një armë të tillë, ai me siguri do ta kishte përdorur tashmë për t’i vendosur të gjithë para faktit të kryer.

Këmbëngulja e tij në këto elementë, e vë në pikëpyetje besueshmërinë e tij. Zelensky e di se rrezikon një disfatë politike poshtëruese, dhe se në Ukrainë ka konkurrentë që nuk e fshehin më neverinë e tyre ndaj sjelljeve të tij.

Në një deklaratë për shtyp nga shërbimi i inteligjencës së jashtme të Rusisë, SVR, thuhet se NATO po përgatit një operacion për të diskredituar Zelensky. Ajo bazohet në pretendimin se ai dhe ekipi i tij kanë vjedhur 1.5 miliardë dollarë nga arka kombëtare. Duke supozuar se kjo është e vërtetë, çfarë mund të na thotë ky lajm për situatën aktuale?

Kjo konfirmon se media është një armë e fuqishme në këtë luftë. Opinioni publik ka rëndësi, pasi po paguan rrogat e zyrtarëve ukrainas, po i jep Kievit armët e veta. Dhe për të ndikuar mbi opinionin publik duhet të përdorësh median. Ato janë thelbësore për të treguar se kush fiton dhe kush humb.

Është e rëndësishme të jesh në gjendje të thuash: “Fitova unë dhe jo ju!”. Vetëm në këtë mënyrë mund të arrihen përfitime politikë që nuk mund të fitoheshin ndryshe. Për këtë arsye unë mendoj se Putin nuk do të jetë i kënaqur me një paqe pa shumë garanci për të. Sa i përket Zelenskyt, paralajmërimi mbi publikimin e një skandali që do ta diskreditonte atë, na tregon se po shndërrohet në një barrë të rëndë për kancelaritë perëndimore.

Megjithatë, deri vonë ishte shumë i vlerësuar në Perëndim. Çfarë ka ndryshuar?

Ai i ka shpërdoruar të gjitha opsionet për të arritur tek një zgjidhje e menjëhershme e konfliktit. U miklua nga përkëdheljet që mori dhe siguritë se nuk do të braktisej. Ai u besoi pa e kuptuar se siguri të tilla në luftë, vlejnë për aq larg kohë sa i përshtaten atij që i jep. Zelensky po bëhet barrë për shkak të sjelljes së tij jo të qëndrueshme. Pra thotë se po negocion, por edhe se dëshiron armë bërthamore. Një qasje që buron  nga dëshpërimi.

Negociatat duket se janë duke ecur mirë, por çfarë marrëveshje mund të arrihet?

Trump dëshiron t’i njihet merita si paqebërës në Evropë, edhe pse nuk i intereson BE-ja. Siç nuk i intereson as NATO. Ndërsa për Putin, synimi kryesor i luftës ka qenë gjithmonë neutraliteti, çmilitarizimi i Ukrainës.

BE-ja nuk po përfillet në lidhje me bisedimet. Por çfarë pasojash mund të ketë një marrëveshje që do ta përjashtonte atë?

Putin ka thënë gjithmonë se dëshiron një marrëveshje për sigurinë evropiane. Por me sa duket dëshiron ta arrijë atë pa Evropën dhe me SHBA-në. Ai nuk i zë besë Brukselit, ndërsa mund

të arrijë marrëveshje dypalëshe me vende si Hungaria, Sllovakia, Kroacia, dhe sigurisht me Serbinë, ku po zhvillohet një revolucion tjetër shumëngjyrësh, që mund ta shtyjë përfundimisht në krahët e Evropës.

Nga ana tjetër, BE-ja është një entitet kaq i largët për Moskën, dhe rusët duan të heqin disa guralecë nga këpucët e tyre, ndoshta duke thënë: ”Po të doni blijeni naftën dhe gazin nga SHBA me çmimin e tyre”. Ndaj do të na duhet të ndreqim raportet me Moskën./ Përshtati "Pamfleti" Nga "Il Sussidiario”

donald trump zelenksy

Lini një Përgjigje