TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota 7 Shkurt 2025, 10:56

Spastrimi i Gazës, Trump e ka seriozisht apo po luan fort për të arritur diçka tjetër?

Shkruar nga Pamfleti

Spastrimi i Gazës, Trump e ka seriozisht apo po luan fort për të

Gjatë një konference për shtyp të martën së bashku me kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu, presidenti amerikan Donald Trump propozoi që Shtetet e Bashkuara të marrin kontrollin e territorit palestinez dhe ta rindërtojnë atë. Manjati i pasurive të paluajtshme i kthyer në president tha se Gaza do të bëhet “riviera e Lindjes së Mesme”.

Shtetet arabe dhe vendet e tjera, e refuzuan menjëherë këtë propozim, duke argumentuar se kjo do të dëbonte palestinezët nga toka e tyre, dhe se me këtë lëvizje Uashingtoni do të braktiste angazhimin e gjatë për një zgjidhje me dy shtete të konfliktit izraelito-palestinez. Po si e deshifrojnë këtë ide ekspertët e Këshillit Atlantik, dhe si po ndikon ajo tashmë në rajon.

Nëse Trump po përpiqet t’i bëjë presion Hamasit, nuk ka gjasa të funksionojë

Edhe pse disa u befasuan shumë nga komentet e Trump, jo pak analistë nxituan ta shihnin atë në kuadër të stilit të negociatave që preferon Trump. Duke bërë një propozim kaq ekstrem, ai mund të negociojë gradualisht dhe të sigurojë kushte të favorshme për çfarëdolloj politike që shpreson të zbatojë midis Izraelit dhe Gazës.

Por është e paqartë, se si këto kërcënime mund ta detyrojnë Hamasin të moderohet dhe të ndryshojë pozicionin e tij përballë negociatave. Grupimi ekstremist ka nxitur kapitullin më shkatërrues në historinë bashkëkohore palestineze mbi popullin e Gazës dhe ende po vepron pa mëshirë sikur do të gëzojë plaçkën e luftës, përfshirë rindërtimin e plotë të territorit.

Nga ana tjetër, deklaratat e Trump janë shumë të dëmshme për perspektivat e stabilitetit rajonal, për shtetet e moderuara sunite arabe dhe për perspektivat e normalizimit të marrëdhënieve izraelito-saudite. Riadi deklaroi të mërkurën se nuk do t’i bashkohet Marrëveshjeve të Abrahamit nëse nuk do ketë një shtet palestinez.

Për me tepër ato do të shfrytëzohen më së miri nga armiqtë e Shteteve të Bashkuara, sidomos Kina, Irani dhe Rusia. Kjo e fundit, ka të ngjarë të bazohet tek sjelljet e fundit të SHBA, për të justifikuar pushtimin e saj të paligjshëm dhe të pamëshirshëm të Ukrainës.

Ahmed Fouad Alkhatib, ekspert palestinez në Nismën për Sigurinë e Lindjes së Mesme.

Është një koncept pa plan, i vështirësuar edhe më shumë nga çmontimi i USAID

Deklarata e Trump të martën, ishte tronditëse jo vetëm për Lindjen e Mesme, por edhe mbështetësit e tij. Presidenti amerikan bëri fushatë vitin e kaluar mbi një platformë të përçarjes ndërkombëtare, duke mos marrë përsipër përgjegjësi të reja për ndërtime kombesh, si ajo që ai po propozon në Gaza.

Që nga Plani Marshall, që solli investime të mëdha në Evropën e pasluftës, të cilat ende sot vazhdojnë të kenë ndikimin e tyre, Shtetet e Bashkuara nuk e kanë ndërmarrë me sukses një projekt të tillë. Në fakt, shumica e përpjekjeve të saj kanë përfunduar me një dështim të tmerrshëm (mendoni pak Afganistanin, Irakun dhe Libinë).

Pse? Sepse në fund të fundit populli amerikan nuk ishte i përgatitur për investimin masiv, të gjithanshëm, afatgjatë si në dollarë ashtu edhe në trupa që nevojiten për të transformuar një zonë lufte në një ekonomi në lulëzim. Për më tepër, tani SHBA-ja i mungon infrastruktura institucionale për të konceptuar një projekt të tillë.

Kjo për shkak të çmontimit të vazhdueshëm të të vetmes organizatë qeveritare amerikane me ekspertizë për ndërtimin e kombit, USAID. Megjithatë, tek e fundit, ky është një koncept pa plan, pasi bazohet në gatishmërinë e fqinjëve të Izraelit - sidomos Egjiptit dhe Jordanisë – për  të pranuar një numër të madh gazanësh, në kurriz të stabilitetit të tyre të brishtë politik dhe ekonomik.

Ministrat e tjerë të Jashtëm të vendeve arabe, refuzuan plotësisht çdo përpjekjeje për të zhvendosur palestinezët, duke krijuar terrenin për negociata të vështirë kur Mbreti Abdullah i Jordanisë të bëhet udhëheqësi i parë arab që do të vizitojë Trumpin në Shtëpinë e Bardhë javën e ardhshme.

Jennifer Gavito, ish-zëvendës/ndihmëse e Sekretarit të Shtetit për çështjet e Lindjes së Mesme.

Marrja nën kontroll e Gazës do të kishte kosto dhe rreziqe të mëdha, përfshirë një kryengritje të armatosur

Deklarata e Trump se Shtetet e Bashkuara mund ta spastrojnë dhe rindërtojnë Gazën, presupozon një nivel të konsiderueshëm të përfshirjes ushtarake dhe ekonomike të SHBA-së. Në komentet e tij, Trump ishte i paqartë në lidhje me vendosjen e trupave amerikane për të siguruar Gazën dhe për të mbikëqyrur rindërtimin e saj, duke thënë se “Ne do të bëjmë atë që duhet bërë”.

Kjo do të kërkonte një angazhim afatgjatë, deri në 15 vjet për rindërtimin e plotë. Ndërkaq mbetet pa përgjigje pyetja se kush do të paguante për një projekt kaq të madh. Duke pasur parasysh koston e lartë dhe ndjeshmërinë politike të rajonit, është e paqartë nëse Shtetet e Bashkuara do ta paguajnë plotësisht vetë faturën, apo nëse do të ketë të përfshirë partnerë ndërkombëtarë.

Deklaratat e fundit të Trump, se ai mund të bindë Egjiptin dhe Jordaninë të mirëpresin palestinezët e Gazës, të kombinuara me deklaratën e tij për “kontrollin e Gazës”, sugjerojnë se prapa ka një ujdi: Shtetet e Bashkuara mund të marrin përsipër rindërtimin e Gazës, por në këmbim, Jordania dhe Egjipti do të presin palestinezët e zhvendosur.

Asnjë vend nuk dëshiron të administrojë apo të garantojë sigurinë në Gaza. Por nga ana tjetër ata nuk duan të shihen si bashkëfajtorë në veprimet e Izraelit, dhe historikisht kanë ngurruar të pranojnë më shumë palestinezë, nga frika se kjo do të çonte në zhvendosjen e përhershme të popullit palestinez dhe rrjedhimisht në fundin e ëndrrës së palestinezëve për të pasur një ditë shtetin  e tyre.
Edhe pse kjo mund të shihet si një lëvizje diplomatike, ngre disa shqetësime të rëndësishme, ndër të cilat është edhe rreziku i një kryengritjeje të armatosur. Trupat amerikane ose kontraktorët në Gaza mund të shënjestrohen nga grupet militante, veçanërisht Hamasi, i cili nuk është çmontuar plotësisht pavarësisht përpjekjeve të Izraelit dhe të tjerëve.

Raportet e fundit se Hamasit ka rekrutuar së fundmi më shumë se 10 mijë anëtarë të rinj, së bashku me praninë publike të grupeve të mëdha të luftëtarëve të Hamasit gjatë lirimit të pengjeve, tregojnë se grupi mbetet një forcë operacionale.

Për më tepër, propozimi i Trump anashkalon armiqësinë e thellë që shumë palestinezë të Gazës kanë ndaj Shteteve të Bashkuara në lidhje me mbështetjen e saj ushtarake për Izraelin. Pastaj ekziston edhe çështja se kush do të merrte përgjegjësinë për sigurinë e Gazës gjatë procesit të rindërtimit. Shtetet arabe nuk kanë treguar ndonjë interes për këtë rol, nga frika e pasojave politike që do të shiheshin si bashkëpunëtorë në zhvendosjen e palestinezëve apo veprimet e Izraelit.

Logjistika e këtij plani mbetet e paqartë. A do të ishin të gatshëm palestinezët të largoheshin vullnetarisht nga Gaza apo do të zhvendoseshin me forcë? Kjo pyetje është thelbësore, pasi çdo përpjekje për të zhvendosur me forcë një popullsi ka të ngjarë të përballet me rezistencë dhe mund të çojë në dhunë të mëtejshme.

Alex Plitsas, ish-shef i aktiviteteve të ndjeshme për operacione speciale dhe luftimin e terrorizmit në zyrën e Sekretarit të Mbrojtjes./Përgatiti Pamfleti

spastrimi i gazës trump

Lini një Përgjigje