TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota 7 Shkurt 2025, 07:40

Urdhër-arresti ndaj mikut të ngushtë, Trump sanksionon Gjykatën e Hagës

Shkruar nga Pamfleti
Urdhër-arresti ndaj mikut të ngushtë, Trump sanksionon
Donald Trump

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, ka nënshkruar një urdhër ku vendos sanksione ndaj Gjykatës Penale Ndërkombëtare, me bazë në Hagë.

Presidenti Donald Trump autorizoi të enjten sanksione ekonomike dhe udhëtimi ndaj punonjësve të Gjykatës Ndërkombëtare Penale që hetojnë shtetasit amerikanë apo të vendeve aleate si Izraeli, duke përsëritur veprimet që ndërmori gjatë mandatit të parë në Shtëpinë e Bardhë.

Trump e akuzon Gjykatën e Hagës për veprime të paligjshme dhe të pa bazuara ndaj Amerikës dhe aleatit të ngushtë të saj, Izraelit.

Sanksionet e Trump përfshijnë kufizime financiare dhe ndalim të vizave për individët që punojnë në Gjykatën e Hagës dhe ndihmojnë në hetimet ndaj qytetarëve ose aleatëve amerikanë. Sanksionet përfshijnë edhe familjarët e këtyre individëve.

Urdhri me sanksione ndaj Gjykatës së Hagës u nënshkrua nga Trump teksa Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu ndodhet në SHBA për vizitë zyrtare.

Disa muaj më parë, Gjykata Ndërkombëtare Penale lëshoi urdhër-arresti ndaj Kryeministrit Netanyahu për krime të dyshuara lufte në Gaza, të cilat Izraeli i mohon.

Gjykata e Hagës është një gjykatë ndërkombëtare me seli në Holandë për të hetuar e dënuar vepra penale të tilla si gjenocid, krime kundër njerëzimit dhe krime lufte.

120 shtete janë anëtare të kësaj gjykate, por SHBA dhe Izraeli nuk janë.

Ministri i Jashtëm holandez tha se i vjen keq për urdhrin e Trump ndaj Gjykatës së Hagës.

Edhe në mandatin e tij të parë presidencial, Donald Trump vendosi sërish sanksione ndaj zyrtarëve të Gjykatës së Hagës, të cilët po hetonin nëse ushtria amerikane ishte përfshirë në krime lufte në Afganistan. Këto sanksione u hoqën nga administrata e Presidentit Biden.

netanyahu trump sanctions on icc

Lini një Përgjigje