
Shteti i Kalifornisë dridhet nga tërmetet mesatarisht rreth 10.000 herë në vit, ose rreth një herë në orë. Nofka zyrtare e Kalifornisë është “Shteti i Artë”, që i referohet kërkimeve masive për ar në mesin e shekullit XIX-të, kur popullsia e saj u rrit me shpejtësi në vetëm 4 vjet, nga 14.000 në mbi 250.000.
Por nëse qenë ndonjëherë atje, dhe e keni ndjerë tokën të lëvizë nën këmbët tuaja, ndoshta do të bini dakord se nofka më e përshtatshme është “Shteti i Tërmetit”. Kjo sepse aty ndodhet Çarja e Shën Andreas, ku takohen dy nga pllakat tektonike më të mëdha të botës - pllaka e Amerikës së Veriut në lindje, dhe pllaka e Paqësorit në perëndim.
Kalifornia ka tërhequr vëmendjen e botës vitet e fundit, jo për tërmetet e saj, por më shumë për zjarret në pyje dhe përmbytjet e mëdha, që të gjitha të nxitura nga ngrohja globale dhe prishja e klimës sonë dikur të qëndrueshme.
Ndaj lajmi se një mot i tillë ekstrem mund të nxisë edhe aktivitetin e tërmeteve, nuk është aspak i mirëpritur në një nga pikat më të mëdha sizmike të planetit. Kur mendojmë për ndryshimet klimatike, zakonisht kjo ka të bëjë me mënyrën se si po ngrohen atmosfera dhe oqeanet.
Ideja se ato mund të ndikojnë edhe tek toka nën këmbët tona, duket pothuajse qesharake. Megjithatë, është e vërtetë. Për dekada të tëra, unë kam bërë kërkime se si klima mund të shkaktojë fenomene gjeologjike vdekjeprurëse, si tërmetet, cunamit dhe shpërthimet vullkanike, dhe provat janë absolutisht të qarta.
Studimi më i fundit nga Shërbimi Sizmologjik Zviceran, i botuar në verën e këtij viti, lidh një mori dridhjesh të vogla poshtë Malit të Bardhë në Alpet Evropiane me shkrirjen e shpejtë të akullit dhe borës gjatë një vale të nxehti në vitin 2015.
Duke u derdhur poshtë, uji shtesë e gjeti rrugën e tij në një zonë të madhe çarjeje që krijon një tunel 12 km të gjatë brenda malit më të lartë të Evropës, duke e lubrifikuar dhe detyruar që të zhvendoset mjaftueshëm sa për të shkaktuar një aktivitet sizmik të nivelit të ulët.
Shfaqja e dridhjeve të lehta deri mesatare vazhdon që nga ajo kohë, duke e rritur ndjeshëm rrezikun e tërmeteve më të mëdha në të ardhmen. Ndërsa ngrohja globale vazhdon të shkaktojë valë të nxehti më të gjata dhe më të forta, uji i shkrirë i shkaktuar nga shkrirja e përshpejtuar e akullnajave dhe shkrirja e ngricës së përhershme, mund të rrisë aktivitetin sizmik në të gjithë vargmalet e larta të botës dhe në sipërfaqet e mëdha të ngricës së përhershme, si në Kanada dhe Siberi.
Përveçse ngre shqetësime për ata që rajonin përreth Malit të Bardhë, studimi ofron mësime për çdo qytet ose qytezë mbi çarjet gjeologjike që kanë shkaktuar tërmete të mëdha në të kaluarën. Mendoni pak për Tokion në Japoni dhe San Franciskon dhe Los Anxhelosin në Kaliforni.
Asnjëra prej këtyre nuk është rajon malor, ndaj shkrirja e akujve nuk përbën problem. Por ekzistojnë mënyra të tjera, se si një klimë në ndryshim mund të rrisë shkallën e infiltrimit të ujit në çarjet që kërcënojnë këto qytete.
Për shembull, Tokio është nën kërcënimin në rritje nga tajfunët që ndryshimet klimatike po i bëjnë më të ngadalta dhe më të lagështa. Për pasojë, tani stuhitë po sjellin më shumë reshje shiu, duke e rritur sasinë që depërton nën tokë në zonat aktive të çarjeve.
Mundësia që një tërmet i rëndë të godasë kryeqytetin japonez në 30 vitet e ardhshme mendohet të jetë deri në 70 për qind, kështu që çdo gjë që mund ta rrisë këtë probabilitet është një problem i madh.
Edhe Kalifornia është duke pritur gjithashtu tërmetin e madh të radhës - si në veri, në zonën e Gjirit të San Franciskos, ashtu edhe më në jug pranë Los Anxhelosit. Shërbimi Gjeologjik i SHBA-së vlerëson se ka më shumë se 70 për qind shanse që një tërmet me magnitudë 6.7 ose më i madh, i aftë të shkaktojë dëme të mëdha, të godasë Gjirin e Anglisë brenda 18 viteve të ardhshme.
Një përzierje stuhish me reshje të mëdha shiu dhe çarjesh aktive në prag të këputjes, nuk është doemos parathënie e katastrofës sizmike, por së bashku ato zotërojnë potencialin të shkaktojnë një tërmet të madh duke lubrifikuar çarjet.
Ashtu si Kalifornia, edhe Tajvani nuk është i panjohur me tërmetet. Tërmeti Chi-Chi me magnitudë 7.6 ballë që goditi pjesët qendrore të vendit në shtator 1999 nuk ishte aspak surprizë. Ai shkatërroi më shumë se 50.000 ndërtesa dhe vrau mbi 2.500 njerëz.
Ngjarja ndodhi vetëm 3 vjet pasi super-tajfuni “Herb”, hodhi disa metra shi në të gjithë rajonin. Dhe të paktën 4 tërmete të tjera të mëdha në Tajvan në 50 vitet e fundit, kanë ndodhur pas stuhive që sollën reshje ekstreme.
Për më tepër, duket se tërmetet me magnitudë 6 ose më të lartë që kanë prekur vendin, kanë 5 herë më shumë gjasa të ndodhin brenda 4 viteve nga një stuhi e madhe sesa e kundërta.
Për shkak të intervalit të madh kohor midis stuhive dhe tërmeteve, nuk ka gjasa që uji i shiut që depërton shpejt nëpër tokë dhe lubrifikon çarjet, të jetë shkaktari direkt. Në vend të kësaj, duhet të jetë diçka që vepron më ngadalë.
Një nga tezat është se shkaktimi i mijëra rrëshqitjeve të dheut nga reshjet e rrëmbyeshme të shiut dhe largimi i mbeturinave nga erozioni, e zvogëlon peshën që bie mbi çarjet, duke i lejuar ato të rrëshqasin më lehtë mbi njëra-tjetrën.
Një lidhje e ngjashme midis një tërmeti dhe stuhive të shiut, njihet në ishullin Karaib të Haitit, ku një tërmet shkatërrues në vitin 2010 , i cili i mori jetën të paktën 160.000 njerëzve, ndodhi pas 4 uraganëve me shumë reshje të ndodhur disa vjet më parë.
Por ka disa pjesë të botës, ku reagimi sizmik i tokës ndaj klimës që ndryshon me shpejtësi është i qartë dhe i pranishëm, si për shembull Alaska. Në shtetin më të madh të Amerikës nga sipërfaqja, një rritje e aktivitetit sizmik ka pasuar humbjen në disa vende të 1 km3 akulli në shekullin e fundit.
Shkarkimi i kësaj peshe të madhe nga korja e Tokës, po lejon që çarjet poshtë të rrëshqasin më lehtë. Në perspektivë, Groenlanda është padyshim shqetësimi më i madh në këtë drejtim. Nga ana sizmike, ishulli më i madh i planetit është shumë i qetë.
Jo sepse atje nuk ka të çara, por sepse pesha e madhe e akullit sipër po i pengon ato të rrëshqasin. Por kjo nuk ka gjasa të zgjasë edhe për shumë kohë, pasi Shtresa e Akullit të Groenlandës (GIS) me trashësi 3 km, e cila përmban ujë të mjaftueshëm për të rritur nivelin global të detit me 7 metra, po shkrihet gjithnjë e më shpejt.
Pak më pak se 11.000 vjet më parë, humbja e masës së akullit të Groenlandës në fund të epokës së fundit akullnajore, shkaktoi një tërmet me magnitudë 8.3 në majën jugore të ishullit. Simulimet sugjerojnë se ai gjeneroi një cunami të madh që dërgoi dallgë deri në 7 metra të larta në brigjet e Kanadasë dhe Mbretërisë së Bashkuar.
Diçka e ngjashme ndodhi pak më shumë se 8.000 vjet më parë, kur një tërmet masiv në Norvegji, i shkaktuar nga shkrirja e shtresës së akullit skandinav, nxiti një nga rrëshqitjet më të mëdha të tokës në botë, të cilat dërguan një cunami të madh në Atlantikun e Veriut, këtë herë me dallgë mbi 20 metra të larta.
Cunamit në Atlantik, në shkallën e atyre që shohim sot brenda Unazës së Zjarrit të Paqësorit, janë një pasojë tronditëse dhe e paparashikuar e ngrohjes globale. Por realiteti është se natyra gjithëpërfshirëse e prishjes së sistemit të klimës, nënkupton se asgjë nuk ka imunitet, dhe kjo përfshin edhe tokën nën këmbët tona./Pamfleti
Lini një Përgjigje