TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota 3 Dhjetor 2025, 10:45

Nga paqja në Luftën Ballkanike tek aksidenti më i rëndë industrial, çfarë ka ndodhur më 3 dhjetor

Shkruar nga Pamfleti

 Nga paqja në Luftën Ballkanike tek aksidenti më i rëndë

 3 Dhjetor 1984 - Katastrofa e Bhopalit në Indi, i merr jetën 20.000 njerëzve

Një shpërthim në një fabrikë pesticidesh të kompanisë “Union Carbide” në Bhopal të Indisë, çoi në aksidentin më të rëndë industrial në histori. Dekada më vonë, numri zyrtar i të vdekurve mbetet i diskutueshëm. Sipas vlerësimeve zyrtare, të paktën 5.000 njerëz vdiqën menjëherë.

Ndërsa afërsisht 20.000 vdiqën me kalimin e kohës dhe gjysmë milioni të tjerë u plagosën kur gazi toksik përfshiu gjithë qytetin. Bhopali ishte një qytet me gati 1 milion banorë në rajonin Madia Pradesh, midis Nju Delhit dhe Bombeit.

Fabrika e pesticideve “Union Carbide” ndodhej në Jai Prakash Nagar, zona më e varfër e qytetit. Më vonë, disa pretenduan se këta faktorë ishin pjesë e arsyes pse uzina kishte pajisje të vjetruara, menaxhim të dobët dhe procedura mirëmbajtjeje dhe sigurie të pamjaftueshme.

Më 3 dhjetor 1984, rreth 45 ton gaz i rrezikshëm metil izocianat doli aksidentalisht nga fabrika që ishte në pronësi të degës indiane të kompanisë amerikane. Gazi u përhap mbi lagjet me popullsi të dendur përreth uzinës, duke vrarë menjëherë mijëra njerëz dhe duke krijuar panik ndërsa dhjetëra mijëra të tjerë që u përpoqën të largoheshin nga Bhopal.

Rreth gjysmë milioni të mbijetuar vuajtën nga probleme të frymëmarrjes, acarim të syve ose verbëri, dhe sëmundje të tjera që u shfaqën nga ekspozimi ndaj gazit toksik. Shumë prej tyre u kompensuan me shuma qesharake prej vetëm disa qindra dollarësh.

Hetimet e mëvonshme, arritën në përfundimin se procedurat nën standarde të operimit dhe sigurisë në uzinën me mungesë personeli kishin çuar tek katastrofa. Në vitin 1998, vendi ku ndodhej fabrika iu dorëzua shtetit të Madia Pradesh.

Në fillim të këtij shekulli, më shumë se 400 ton mbeturina industriale ishin ende të pranishme atje. Pavarësisht protestave të vazhdueshme dhe përpjekjeve për padi, as kompania “Dow Chemical”, e cila bleu “Union Carbide Corporation” në vitin 2001, as qeveria indiane nuk e kishin pastruar siç duhet vendin.

Ndotja e tokës dhe e ujit në zonë u bë përgjegjëse për problemet kronike shëndetësore dhe rastet e larta të defekteve të lindjes tek fëmijët e zonës. Në vitin 2004, Gjykata e Lartë Indiane urdhëroi shtetin të furnizonte me ujë të pijshëm të pastër banorët e Bhopalit për shkak të ndotjes së ujërave nëntokësore.

Vetëm në vitin 2010, disa ish-drejtues të degës së “Union Carbide” në Indi - që të gjithë qytetarë indianë - u dënuan nga një gjykatë e Bhopalit për neglizhencën që çoi drejt katastrofës.

Ngjarje të tjera të rëndësishme:

3 Dhjetor 1368 - Zhu Yuanzhang themelon Dinastinë Ming në Kinë, duke filluar një nga periudhat më të lavdishme në historinë kineze.

3 Dhjetor 1775 - Në anijen ushtarake “Alfred”, ngrihet për herë të parë flamuri zyrtar i Amerikës (i quajtur “Flamuri i Madh i Bashkimit” ose “Grand Union Flag”). Ky ishte një simbol i rëndësishëm i pavarësisë së kolonive amerikane nga Britania e Madhe.

3 Dhjetor 1800 - Në Betejën e Hohenlindenit, ushtria franceze e Napoleonit shkatërroi ushtrinë austriake, duke e detyruar Austrinë të nënshkruajë paqen dhe t’i jepte fund Luftës së Dytë të Koalicioneve.

3 Dhjetor 1910 - Në Paris ndizen dritat e para të ndriçimit me neon, duke revolucionarizuar reklamat dhe pamjen e qyteteve.

3 Dhjetor 1912 - Bullgaria, Serbia, Greqia dhe Mali i Zi nënshkruajnë një armëpushim me Turqinë, duke i dhënë fund luftimeve në Luftën e Parë Ballkanike. Gjatë konfliktit 2-mujor, një koalicion ushtarak midis Greqisë, Serbisë, Bullgarisë dhe Malit të Zi - i njohur si Lidhja Ballkanike - dëboi Turqinë nga të gjitha ish-zotërimet evropiane të Perandorisë Osmane, me përjashtim të Kostandinopojës (sot Stambolli). Në janar 1913, një grusht shteti në Turqi çoi në rifillimin e luftimeve, por Lidhja Ballkanike doli përsëri fitimtare.

3 Dhjetor 1952 - SHBA-ja kryen në Ishujt Marshall testin e parë të bombës me hidrogjen.

3 Dhjetor 1971 - Nis Lufta Indo-Pakistaneze (e njohur edhe si Lufta e Bangladeshit), e cila çoi në krijimin e shtetit të Bangladeshit.

3 Dhjetor 1979 - Në Iran, 99 për qind e votuesve në një referendum u shprehën për themelimin e një republike islamike, duke zëvendësuar monarkinë, dhe duke i dhënë autoritet të plotë udhëheqësit fetar Ajatollah Ruhollah Khomeini.

3 Dhjetor 1989 - Pas një takimi në Maltë, presidenti amerikan Xhorxh H. W.Bush dhe lideri sovjetik Mikail Gorbaçov njoftuan se Lufta e Ftohtë kishte marrë fund.

3 Dhjetor 1997 - Në Kanada nënshkruhet Traktati i Otavës për ndalimin e prodhimit, përdorimit dhe tregtisë së minave anti-personel.

3 Dhjetor 2012 - Filipinet goditen nga Taifuni Bopha (Pablo), duke shkaktuar mbi 1.000 të vdekur dhe dëme të mëdha materiale./Përgatiti Pamfleti

3 dhjetor

Lini një Përgjigje