
Një avion luftarak i NATO-s rrëzoi të martën një dron që dyshohet se kishte origjinë ukrainase, pasi ai hyri në hapësirën ajrore të Estonisë. Lajmin e konfirmoi ministri estonez i Mbrojtjes, Hanno Pevkur, për portalin e lajmeve Delfi.
Sipas Pevkurit, droni u identifikua në hapësirën ajrore estoneze dhe u neutralizua nga avionë luftarakë të misionit të patrullimit ajror baltik mbi liqenin Vorciev.
“Incidenti me dronin ka përfunduar për momentin”, deklaroi ministri.
Agjencia Reuters raportoi se ky është incidenti më i fundit në një seri shkeljesh të hapësirës ajrore në rajonin kufitar me Rusinë. Që nga muaji mars, disa dronë ushtarakë ukrainas kanë hyrë në hapësirën ajrore të vendeve anëtare të NATO-s, përfshirë Finlandën, Letoninë, Lituaninë dhe Estoninë.
Ngjarja vjen në një periudhë të ndjeshme për sigurinë rajonale. Javën e kaluar, kryeministrja e Letonisë dha dorëheqjen pas kritikave lidhur me mënyrën e trajtimit të incidenteve të ngjashme në hapësirën ajrore të vendit.
NATO nuk ka reaguar ende zyrtarisht lidhur me incidentin në Estoni.
Lini një Përgjigje