TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota19 Maj 2026, 11:06

Rënia e Orbanit dhe ngritja e Europës

Shkruar nga Ivan Krastev
Rënia e Orbanit dhe ngritja e Europës
Viktor Orban /

Rënia e Viktor Orbanit, shënon fundin e iluzionit se trumpizmi është një lëvizje globale dhe godet strategjinë e Kremlinit për përçarjen e kontinentit. Fitorja e konservatorit Peter Magyar nuk zhbën nacionalizmin, por e shtyn të djathtën europiane drejt një sovraniteti të ri që e sheh kërcënimin te Moska dhe Uashingtoni, jo te Brukseli...

Diku nga fundi i viteve 1800, kur Perandoria Austro-Hungareze ende shtrihej nga Deti Adriatik deri në Ukrainën e sotme, një hungarez hyri në një librari në Vjenë dhe i tha shitësit: “Ma shisni dot një glob të Hungarisë?”.

Kjo histori, që përshkruante në mënyrë të përsosur mendjemadhësinë e një populli që e sheh kombin e vet si botën mbarë, u kthye me kalimin e kohës në një anekdotë legjendare. Natyrisht, brenda një brezi, Hungaria do të humbiste dy të tretat e territorit të saj me Traktatin e Trianonit, duke e bërë krenarinë e atij blerësi të globit më pak qesharake dhe gati  tragjike në retrospektivë. Por sot historia merr edhe një kuptim tjetër.

Sepse pas zgjedhjeve parlamentare të 12 prillit në Hungari, nuk ishin hungarezët ata që kërkonin të shihnin “globin e Hungarisë”, por të huajt. Vëzhguesit politikë liberalë dhe të moderuar në mbarë botën e panë humbjen dërrmuese të udhëheqësit autoritar Viktor Orban si shenjë të zbehjes së anti-beralizmit global.

Shpresa ishte se aty ku shkon Hungaria, do të ndjekë edhe bota, se kandidatët e ekstremit të djathtë si Marine Le Pen nuk do të fitojnë në Francë dhe se partia gjermane AfD e ekstremit të djathtë nuk do të triumfojë në Gjermani.

Por, ashtu si perspektiva e atij blerësit të globit, edhe kjo pikëpamje është larg realitetit. Kryeministri i ri i Hungarisë, Peter Magyar, fitoi falë një vale energjie anti-establishment, e cila po aq lehtë mund të favorizojë populistët edhe në vende të tjera.

Për shembull, në zgjedhjet e fundit në Bullgari partia e ish-presidentit Rumen Radev - të cilin mediat perëndimore e përshkruajnë si rusofil dhe euroskeptik - fitoi me një fushatë antikorrupsion të ngjashme me atë të Magyar-it.

Kjo tregon se retorika e fuqishme kundër korrupsionit mund të sjellë në pushtet jo vetëm kundërshtarët e Orban por edhe liderë që konsiderohen aleatët e tij. Madje, populistët nacionalistë në Europë, do të vazhdojnë të kërkojnë mënyra për të riformuar regjimet liberale demokratike, dhe “manuali” politik i Orbanit do të vazhdojë të shihet si shumë i vlefshëm.

Humbja e tij nuk sinjalizon fundin e politikës së ekstremit të djathtë, por fundin e iluzionit se Trumpizmi është një lëvizje globale. Duke e pranuar humbjen dhe duke mos kundërshtuar rezultatin - ndryshe nga Donald Trump në vitin 2020 - Orban riafirmoi kredencialet demokratike të së djathtës së re europiane.

Dhe Magyar, si konservator, nuk përfaqëson refuzimin e nacionalizmit të stilit Orban, por evolucionin e tij. Fitorja e tij sinjalizon një epokë të re për politikën europiane. Duke u distancuar nga Trumpi, e djathta ekstreme europiane mund ta shtyjë kontinentin drejt një konsensusi të ri: një Evropë, ku elitat proeuropiane pranojnë rolin qendror të shteteve kombëtare në integrimin europian, ndërsa partitë nacionaliste pranojnë se kërcënimet reale për sovranitetin e tyre vijnë nga Moska, Pekini dhe Uashingtoni dhe jo nga Brukseli.

Në shumë aspekte, Orban - kryeministri më jetëgjatë i Europës - ishte bërë për të djathtën politike ajo që dikur ishte Fidel Castro për të majtën: udhëheqës i një vendi të vogël, por që kishte grishur imagjinatën e botës. Ai e shndërroi Hungarinë në qendrën intelektuale, institucionale dhe financiare të së djathtës së re europiane.

Nëse ishe intelektual i ekstremit të djathtë, Budapesti të trajtonte si mbret. Nëse ishe parti e djathtë radikale, bankat hungareze të ndihmonin me kredi. Revolucioni i parë elektoral i Orbanit në vitin 2010, ishte kryesisht një revoltë kundër korrupsionit të qeverisë socialiste. Por ishte kundërshtimi i tij i ashpër ndaj planit të Angela Merkelit për hapjen e kufijve të BE-së ndaj refugjatëve sirianë, ai që e bëri një figurë të rëndësishme në politikën europiane. Orban u pozicionua si ndërmjetësi i pazëvendësueshëm: aleat ideologjik i Trumpit, mik i afërt gjeopolitik i Vladimir Putinit dhe partner ekonomik i Kinës brenda BE-së. Në epokën e Trumpit, ky pozicionim dukej se i jepte Hungarisë ndikim të jashtëzakonshëm.

Budapesti vazhdonte të blinte gaz të lirë rus, ndërsa investimet kineze ishin më të mëdha se në Gjermani dhe Francë. Për Trumpin, Orban shërbente praktikisht si këshilltari kryesor për politikën europiane. Për Moskën, ai ishte si informatori kryesor mbi BE-në dhe propagandisti i narrativave ruse për luftën në Ukrainë.

Por ironia më e madhe ishte se, me të gjitha këto lëvizje, Orban u bë pikërisht ajo që dikur përpiqej të shkatërronte: një globalist. Në fushatën e tij të fundit, fokusi ishte politika e jashtme, ndërsa Magyar e përqendroi fushatën te standardi i jetesës dhe shmangu politikën globale.

Kur shpjegonte fitoret e tij të mëparshme, Orban bënte shaka se emri i tij ishte “Viktor”, pra fitimtar. Këtë herë, ai u mund nga dikush mbiemri i të cilit është “Magyar”, që do të thotë “hungarez”. U desh kohë që liderët europianë të kuptonin se presidenca e dytë e Trumpit nuk ishte thjesht transaksionale.

Për Trumpin, rendi liberal nuk ishte rend amerikan. Evropa, të cilën SHBA-ja e ndihmoi të ndërtohej pas Luftës së Dytë Botërore, ishte bërë sipas tij antiamerikane. Hipokrizia themelore e rendit liberal, sipas këtij këndvështrimi, ishte ideja e barazisë mes shteteve - pra fakti që Bullgaria trajtohet si po aq e rëndësishme sa SHBA-ja.

Trumpi përfaqëson një paradoks. Ai është një nacionalist që e ka të vështirë të kuptojë nacionalizmin e të tjerëve. Axhenda e tij kundër emigracionit pati jehonë në Europë, por ai nuk tregoi ndaj aleatëve respektin që ata prisnin

Lufta e Trumpit me Iranin dhe sulmet ndaj Papës rezultuan të jenë pika e kthesës. Ai publikoi imazhe të manipuluara me AI ku shfaqej vetë si Papë, gjë që e shtyu kryeministren italiane Giorgia Meloni të refuzonte bashkëpunimin e verbër dhe të kritikonte deklaratat e tij.

Ai moment sinjalizoi se kostoja elektorale e lidhjes me Trumpin ishte bërë shumë e lartë.

Ndërkohë Orban heshti. Humbja e tij bindi shumë liderë të së djathtës ekstreme europiane se lidhja me Trumpin është politikisht toksike. Ajo rrezikon t’i etiketojë ata si globalistët e rinj.

Por Humbja e Orban, është gjithashtu një tërmet gjeopolitik që do të ndryshojë llogaritjet e Kremlinit. Hungaria ishte shumë e dobishme për Rusinë, sidomos në bllokimin e përpjekjeve të BE-së për të dërguar 90 miliardë euro ndihmë për Ukrainën.

Ndryshimi i qeverisë në Budapest, do të thotë se Kievi më në fund mund të marrë mbështetjen financiare që i lejon të vazhdojë luftën. Kur flitet për dinamikat e brendshme europiane, ndryshimi politik në Budapest nxjerr në pah dy prirje të qarta.

Së pari, kthesa sovraniste e Europës është këtu për të qëndruar. Tronditja e madhe në Hungari nuk erdhi nga një liberal klasik, por nga një konservator tjetër që refuzon korrupsionin.

Së dyti, e djathta e re europiane po bëhet më pak euroskeptike. Ajo po e sheh Uashingtonin dhe Moskën - jo Brukselin - si kërcënimet kryesore ndaj sovranitetit kombëtar. Dalja nga BE-ja apo braktisja e euros tani shihen si ide humbëse.

Udhëheqës si Marine Le Pen apo AfD-ja do të fokusohen te agjendat kombëtare dhe do të distancohen si nga SHBA-ja, ashtu edhe nga Rusia. Në këtë kontekst, humbja e Orban krijon hapësirë për një konsensus të ri mbi sovranitetin europian. Prandaj, vazhdoni kërkojeni “globin e Hungarisë”./Pamfleti nga “Foreign Affairs”

Shënim: Ivan Krastev, është kryetar i Qendrës për Strategji Liberale në Sofje dhe bashkëpunëtor i përhershëm “Albert Hirschman” në Institutin për Shkenca Humane në Vjenë.

rënia e orban ngritja e evropës

Lini një Përgjigje