TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota19 Maj 2026, 07:20

Ferri i Afganistanit/ “Na jep bukë, baba”, si shiten fëmijët për të mbijetuar; foshnjat vdesin nga uria

Shkruar nga Pamfleti
Ferri i Afganistanit/ “Na jep bukë, baba”, si shiten
Një familje afgane

Varfëria ekstreme, uria dhe mungesa e ndihmës humanitare po shtyjnë familjet në Afganistan drejt vendimeve të pamendueshme, ndërsa kriza humanitare përkeqësohet...

Teksa lind dielli mbi qytetin Chaghcharan, kryeqendra e provincës Ghor në Afganistan, qindra burra mblidhen çdo mëngjes në një shesh të mbuluar nga pluhuri. Ata qëndrojnë buzë rrugës me shpresën se dikush do të ndalet për t’u ofruar një punë të përkohshme. Nga ajo punë varet nëse familjet e tyre do të kenë bukë për atë ditë.

Por shanset janë minimale.

45-vjeçari Juma Khan thotë se gjatë 6 javëve të fundit ka arritur të punojë vetëm tri ditë. Pagesa ishte rreth 2 deri në 3 dollarë amerikanë në ditë.

“Fëmijët e mi shkuan në shtrat të uritur për 3 netë rresht. Gruaja ime qante, po ashtu edhe fëmijët. U detyrova t’i lutesha një fqinji të më jepte para hua për të blerë miell”, rrëfen ai, duke shtuar “jetoj me frikën se fëmijët e mi do të vdesin nga uria.”

Historia e tij përsëritet pothuajse në çdo familje të zonës.

Sipas Kombeve të Bashkuara, 3 në 4 afganë sot nuk arrijnë të sigurojnë nevojat minimale për jetesë. Papunësia është përhapur në të gjithë vendin, sistemi shëndetësor është në krizë dhe ndihma ndërkombëtare që dikur mbështeste miliona njerëz është reduktuar në mënyrë drastike.

Afganistani po përballet me nivele rekord urie. Rreth 4.7 milionë njerëz, më shumë se 1/10 e popullsisë, konsiderohen vetëm një hap larg urisë ekstreme. Provinca Ghor renditet ndër zonat më të goditura.

Në sheshin ku burrat presin punë, dëshpërimi është i dukshëm.

Ferri i Afganistanit/ “Na jep bukë, baba”, si shiten

“Më telefonuan dhe më thanë se fëmijët e mi nuk kishin ngrënë për dy ditë”, thotë Rabani me zërin që i dridhet. Në vijim ai shton “mendova të vrisja veten. Por pastaj mendova: si do ta ndihmonte kjo familjen time? Kështu që dola sërish të kërkoj punë.”

Një tjetër burrë, Khwaja Ahmad, shpërthen në lot sapo nis të flasë. “Po vdesim nga uria. Fëmijët e mi më të mëdhenj kanë vdekur. Duhet të punoj për të ushqyer familjen, por jam plakur dhe askush nuk më merr në punë”, thotë ai.

Kur një furrë buke aty pranë hap dyert, pronari shpërndan bukë të ndenjur për turmën. Brenda pak sekondash, burrat grinden për copa të vogla buke.

Pak më vonë, një burrë me motor ndalon dhe kërkon vetëm një punëtor për të transportuar tulla. Dhjetëra njerëz hidhen drejt tij duke u shtyrë mes tyre.

Ferri i Afganistanit/ “Na jep bukë, baba”, si shiten

Gjatë dy orëve që gazetarët qëndruan aty, vetëm tre persona arritën të gjenin punë. Në fshatrat përreth, mes kodrave të thata dhe shtëpive të rrënuara, varfëria është bërë pjesë e përditshme e jetës.

Abdul Rashid Azimi i çon gazetarët në shtëpinë e tij të varfër dhe sjell pranë dy vajzat binjake shtatëvjeçare, Roqia dhe Rohila. Ai i përqafon fort ndërsa përpiqet të shpjegojë vendimin që po mendon të marrë. “Jam gati t’i shes vajzat e mia. Jam i varfër, i zhytur në borxhe dhe pa asnjë rrugëdalje”, thotë ai duke qarë. Ai tregon se kthehet në shtëpi i rraskapitur, i uritur dhe pa asgjë në duar.

“Fëmijët më afrohen dhe më thonë: ‘Baba, na jep bukë’. Por çfarë mund t’u jap? Ku është puna?”, rrëfen Abdul. Ai përqafon Rohilan dhe e puth në ballë ndërsa lotët i rrjedhin në fytyrë. “Më thyhet zemra, por kjo është mënyra e vetme për të ushqyer fëmijët e tjerë”, shprehet ai.

Gruaja e tij, Kayhan, thotë se familja ushqehet vetëm me bukë dhe ujë të nxehtë. “As çaj nuk kemi”, thotë ajo. Dy djemtë e saj adoleshentë punojnë duke lustruar këpucë në qytet, ndërsa një tjetër mbledh mbeturina që përdoren si lëndë djegëse për gatim.

Një tjetër baba, Saeed Ahmad, thotë se tashmë është detyruar të shesë vajzën e tij pesëvjeçare, Shaiqa. Vajza kishte apandesit dhe një cist në mëlçi, ndërsa familja nuk kishte para për trajtimin mjekësor.

“Nuk kisha para për spitalin. Kështu që e shita vajzën time tek një i afërm”, thotë ai.

Operacioni i Shaiqës rezultoi i suksesshëm. Paratë për ndërhyrjen erdhën nga marrëveshja për shitjen e saj, me vlerë rreth 3,200 dollarë amerikanë.

“Nëse do ta merrja të gjithë shumën menjëherë, ai do ta merrte vajzën time menjëherë. Kështu që i kërkova vetëm aq sa duhej për trajtimin e saj tani. Pjesën tjetër do ta japë gjatë pesë viteve të ardhshme dhe më pas do ta marrë”, shpjegon ai.

Shaiqa përqafon babanë e saj fort rreth qafës. Lidhja mes tyre duket e fortë, por pas pesë vitesh ajo do të duhet të largohet nga familja.

“Nëse do të kisha para, nuk do ta bëja kurrë këtë”, thotë Saeed, duke shtuar “por mendova: çfarë do bëj nëse ajo vdes pa operacion? Të paktën kështu do të jetojë.”

Ferri i Afganistanit/ “Na jep bukë, baba”, si shiten

Vetëm dy vite më parë, familja e tij merrte ndihma ushqimore si miliona afganë të tjerë: miell, vaj gatimi, thjerrëza dhe suplemente ushqimore për fëmijët. Por shkurtimet masive të ndihmës humanitare kanë lënë miliona njerëz pa mbështetje.

Shtetet e Bashkuara, dikur donatori më i madh i Afganistanit, ndërprenë pothuajse të gjithë ndihmën vitin e kaluar. Edhe vende të tjera, përfshirë Britaninë e Madhe, kanë ulur ndjeshëm financimet.

Sipas OKB-së, ndihma që Afganistani ka marrë këtë vit është 70% më e ulët krahasuar me vitin 2025.

Kriza po përkeqësohet edhe nga thatësira e rëndë që ka goditur më shumë se gjysmën e provincave të vendit. “Nuk kemi marrë ndihmë nga askush, as nga qeveria dhe as nga organizatat humanitare”, thotë banori Abdul Malik.

Qeveria talebane, e cila mori pushtetin në vitin 2021 pas tërheqjes së forcave ndërkombëtare, fajëson administratën e mëparshme për gjendjen aktuale ekonomike. “Gjatë 20 viteve të pushtimit u krijua një ekonomi artificiale për shkak të fluksit të dollarëve amerikanë”, deklaroi për BBC-në Hamdullah Fitrat, zëvendëszëdhënës i qeverisë talebane.

“Pas përfundimit të pushtimit trashëguam varfëri, papunësi dhe shumë probleme të tjera”, shtoi ai.

Megjithatë, politikat e vetë talebanëve, veçanërisht kufizimet ndaj grave dhe vajzave,  konsiderohen nga shumë vende perëndimore si një nga arsyet kryesore të reduktimit të ndihmave.

Talebanët i hedhin poshtë këto akuza dhe thonë se ndihma humanitare nuk duhet të politizohet. Ata pretendojnë se po punojnë për krijimin e vendeve të punës përmes projekteve infrastrukturore dhe minerare.

Por për miliona afganë, ndihma urgjente mbetet çështje mbijetese. Mohammad Hashem humbi vajzën e tij 14-muajshe disa javë më parë. “Fëmija im vdiq nga uria dhe mungesa e ilaçeve. Kur një fëmijë është i sëmurë dhe i uritur, është e qartë se do të vdesë”, thotë ai.

Një i moshuar i zonës tregon se vdekjet e fëmijëve për shkak të kequshqyerjes janë rritur ndjeshëm gjatë dy viteve të fundit. Nuk ekzistojnë statistika zyrtare për vdekjet, por varrezat tregojnë realitetin. Gazetarët numëruan varret e vogla dhe ato të mëdha. Varret e fëmijëve ishin pothuajse dyfish më të shumta se ato të të rriturve.

Në repartin neonatal të spitalit lokal, çdo shtrat është i zënë. Disa foshnja ndajnë të njëjtin krevat. Shumica janë nënpeshë dhe shumë prej tyre nuk arrijnë të marrin frymë vetë.

Një infermiere sjell dy vajza binjake të lindura dy muaj para kohe. Njëra peshon 2 kilogramë, tjetra vetëm 1 kilogram. Të dyja vendosen menjëherë në oksigjen. Nëna e tyre, Shakila, 22 vjeçe, kishte kaluar shtatzëninë pothuajse vetëm me bukë dhe çaj. “Ajo ishte shumë e dobët. Kjo është arsyeja pse foshnjat janë në këtë gjendje”, thotë gjyshja e tyre, Gulbadan. Pak orë më vonë, foshnja më e madhe vdes pa marrë ende një emër. “Mjekët u përpoqën ta shpëtonin, por ajo vdiq”, thotë gjyshja, duke shtuar “e mbështolla trupin e saj të vogël dhe e çova në shtëpi. Kur nëna e saj e mori vesh, humbi ndjenjat”.

Ferri i Afganistanit/ “Na jep bukë, baba”, si shiten

Ajo shikon foshnjën tjetër dhe thotë me shpresë: “shpresoj që të paktën kjo të mbijetojë.”

Infermierja Fatima Husseini thotë se ka ditë kur vdesin deri në tre foshnja. “Në fillim ishte shumë e rëndë për ne. Tani pothuajse është bërë normale të shohim fëmijë që vdesin”, thotë ajo.

Drejtori i repartit neonatal, Dr. Muhammad Mosa Oldat, thotë se shkalla e vdekshmërisë arrin deri në 10%. “Kjo nuk është e pranueshme. Por për shkak të varfërisë, numri i pacientëve rritet çdo ditë dhe ne nuk kemi pajisjet e nevojshme”, thotë ai.

Në repartin e kujdesit intensiv pediatrik, foshnja gjashtëjavëshe Zameer vuan nga meningjiti dhe pneumonia, sëmundje të trajtueshme nëse do të kishte pajisjet dhe ilaçet e nevojshme.

Mjekët thonë se spitali publik nuk ka barna për shumicën e pacientëve dhe familjet detyrohen t’i blejnë vetë në farmaci private.

“Ndonjëherë përdorim ilaçet që mbeten nga foshnjat e familjeve më të pasura për të trajtuar foshnjat e familjeve të varfra”, thotë infermierja Fatima.

Ferri i Afganistanit/ “Na jep bukë, baba”, si shiten

Mungesa e parave po i detyron familjet të marrin vendime të dhimbshme. Mbesa e Gulbadanit që mbijetoi filloi të merrte pak peshë dhe frymëmarrja iu stabilizua. Por familja e mori në shtëpi pak ditë më vonë sepse nuk mund të përballonte më shpenzimet e spitalit.

Edhe foshnja Zameer u largua nga spitali për të njëjtën arsye. Tani trupat e tyre të vegjël do të duhet të luftojnë vetë për mbijetesë. /Përshtati Pamfleti nga BBC/

 

ferri afganistan uria vajza shitje

Lini një Përgjigje