Departamenti i Drejtësisë i Shteteve të Bashkuara njoftoi të hënën krijimin e një fondi prej 1.7 bilion dollarësh për të kompensuar aleatët e presidentit Donald Trump, të cilët pretendojnë se janë shënjestruar padrejtësisht nga administrata e mëparshme.
Fondi, i quajtur “anti-weaponization”, do të administrohet nga një komision prej pesë anëtarësh, emrat e të cilëve ende nuk janë bërë publikë. Sipas Departamentit të Drejtësisë, presidenti Trump do të ketë autoritetin për të shkarkuar anëtarët e komisionit. Aplikimet për kompensim do të pranohen deri më 15 dhjetor 2028, një muaj para përfundimit të mandatit të dytë presidencial të Trump.
Administrata Trump argumenton se fondi synon të adresojë rastet e asaj që e quan “përdorim politik të sistemit të drejtësisë”, duke përfshirë hetimet për ndërhyrjen ruse në zgjedhjet presidenciale dhe procedurat ndaj personave të akuzuar për sulmin ndaj Kapitolit më 6 janar 2021.
Ushtruesi i detyrës së Prokurorit të Përgjithshëm, Todd Blanche, ish-anëtar i ekipit ligjor personal të Trump, deklaroi se “makineria e qeverisë nuk duhet të përdoret kurrë kundër qytetarëve amerikanë” dhe se procesi synon “korrigjimin e padrejtësive të së kaluarës”.
Njoftimi vjen pasi Trump tërhoqi një padi prej 10 miliardë dollarësh kundër Shërbimit të të Ardhurave të Brendshme (IRS), ku pretendonte se agjencia kishte dështuar të mbronte deklaratat e tij tatimore nga publikimi i paautorizuar. Sipas marrëveshjes, Trump nuk do të marrë kompensim financiar, por Departamenti i Drejtësisë do t’i paraqesë një kërkimfalje formale.
Rasti lidhet me Charles Littlejohn, ish-kontraktor i IRS, i cili u dënua me pesë vite burg për publikimin e deklaratave tatimore të Trump dhe mijëra qytetarëve të tjerë.
Krijimi i fondit pritet të përballet me sfida të menjëhershme ligjore. Demokratët dhe organizatat mbikëqyrëse argumentojnë se iniciativa mund të përbëjë konflikt interesi dhe përdorim të fondeve publike për përfitime politike.
Lideri demokrat në Senat, Chuck Schumer, e quajti nismën “të degjeneruar”, duke akuzuar Trump se po përdor institucionet shtetërore për të financuar mbështetësit e tij politikë.
Edhe organizata “Public Citizen” reagoi kundër fondit, duke deklaruar se ai përbën “një mekanizëm pagesash për mbështetësit dhe bashkëpunëtorët e Trump”.
Gjykata federale në Florida kishte shprehur më herët dyshime mbi legjitimitetin e padisë së Trump kundër IRS, ndërsa afro 100 deputetë demokratë paraqitën një dokument ligjor ku akuzojnë presidentin për “vetëpërfitim të hapur”.
Kjo nuk është marrëveshja e parë e tillë e administratës Trump. Në muajt e fundit, Departamenti i Drejtësisë ka arritur marrëveshje edhe me ish-këshilltarin e sigurisë kombëtare Michael Flynn dhe ish-këshilltarin e fushatës Carter Page, të cilët kishin ngritur padi ndaj qeverisë amerikane për hetime që i konsideronin të padrejta.
Lini një Përgjigje