Një juri federale në SHBA ka vendosur kundër Elon Musk në padinë e tij ndaj OpenAI, duke rrëzuar pretendimet se kompania e inteligjencës artificiale kishte devijuar nga misioni i saj fillestar për të vepruar në dobi të njerëzimit.
Vendimi unanim u dha të hënën në gjykatën federale të Oaklandit, ku juria arriti në përfundimin se Musk e kishte ngritur çështjen shumë vonë.
Procesi gjyqësor, i cili nisi më 28 prill, u konsiderua një moment kyç për debatin mbi të ardhmen e inteligjencës artificiale, përdorimin e saj dhe përfitimet financiare që lidhen me këtë teknologji.
Musk akuzoi OpenAI se kishte braktisur karakterin jofitimprurës dhe po favorizonte investitorët dhe drejtuesit e kompanisë në dëm të sigurisë dhe interesit publik. Ai pretendoi gjithashtu se Microsoft kishte qenë në dijeni që në fillim për orientimin fitimprurës të OpenAI.
Nga ana tjetër, OpenAI argumentoi se vetë Musk kishte qenë i motivuar nga interesat financiare dhe se ai kishte vonuar padrejtësisht padinë.
“Zoti Musk mund të ketë prekjen e Midas në disa fusha, por jo në inteligjencën artificiale”, deklaroi avokati i OpenAI, William Savitt, gjatë argumenteve përfundimtare.
Gjatë 11 ditëve të dëshmive, avokatët e të dyja palëve vunë në pikëpyetje besueshmërinë e Elon Musk dhe të drejtuesit të OpenAI, Sam Altman.
Avokati i Musk, Steven Molo, tha para jurisë se disa dëshmitarë kishin vënë në dyshim sinqeritetin e Altmanit. “Besueshmëria e Sam Altman është drejtpërdrejt në pikëpyetje. Nëse nuk i besoni, ata nuk mund të fitojnë”, deklaroi ai.
OpenAI aktualisht konkurron me kompani si Anthropic dhe xAI, startup-i i Musk në fushën e inteligjencës artificiale. Kompania po përgatitet gjithashtu për një ofertë publike fillestare (IPO), që sipas raportimeve mund ta vlerësojë atë në rreth 1 trilion dollarë.
Ndërkohë, Microsoft ka investuar mbi 100 miliardë dollarë në partneritetin me OpenAI, sipas dëshmisë së një drejtuesi të kompanisë gjatë gjyqit.
Lini një Përgjigje