Kontinenti harton një strategji për të mbrojtur veten duke përdorur strukturat ekzistuese të NATO-s, mes tensioneve për luftën në Iran. Shtetet evropiane kërkojnë të marrin më shumë përgjegjësi në mbrojtje, mes dyshimeve për angazhimin e SHBA-së nën presidencën Trump…
Evropa po përshpejton hartimin e një plani alternativ për të siguruar që mund të mbrojë veten duke përdorur strukturat ekzistuese të NATO-s në rast se Shtetet e Bashkuara largohen nga aleanca. Ky plan po fiton mbështetje pasi Gjermania, një kundërshtare e kahershme e një qasjeje të pavarur, ka dhënë miratimin e saj.
Zyrtarët që po punojnë mbi këtë plan, të cilin disa e quajnë “NATO evropiane”, synojnë të rrisin pjesëmarrjen e vendeve evropiane në rolet e komandës dhe kontrollit të aleancës dhe të plotësojnë kapacitetet ushtarake amerikane me burimet e tyre.
Sipas pjesëmarrësve, këto plane nuk synojnë të rivalizojnë aleancën aktuale. Qëllimi është të ruhet parandalimi ndaj Rusisë, vazhdimësia operacionale dhe besueshmëria bërthamore edhe nëse Uashingtoni tërheq forcat nga Evropa ose refuzon ta mbrojë atë, siç ka kërcënuar presidenti Donald Trump.
Planet, të konceptuara fillimisht vitin e kaluar, tregojnë nivelin e shqetësimit në Evropë për besueshmërinë e SHBA-së. Ato u përshpejtuan pasi Trump kërcënoi të merrte Groenlandën nga Danimarka, një anëtare e NATO-s, dhe kanë marrë urgjencë të re për shkak të përplasjes mbi refuzimin e Evropës për të mbështetur luftën amerikane në Iran.
Një zhvillim vendimtar është ndryshimi politik në Berlin. Për dekada, Gjermania kishte kundërshtuar thirrjet e udhëhequra nga Franca për më shumë sovranitet evropian në mbrojtje, duke preferuar që SHBA të mbetej garantuesi kryesor i sigurisë. Ky qëndrim po ndryshon nën kancelarin Friedrich Merz për shkak të shqetësimeve mbi besueshmërinë e SHBA-së si aleat gjatë presidencës Trump dhe më tej.
Sfida është e madhe. E gjithë struktura e NATO-s është ndërtuar mbi udhëheqjen amerikane në pothuajse çdo nivel, nga logjistika dhe inteligjenca deri te komanda më e lartë ushtarake e aleancës.
Evropianët po përpiqen të marrin më shumë nga këto përgjegjësi, diçka që Trump e ka kërkuar prej kohësh. Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, deklaroi së fundmi se aleanca do të jetë “më shumë e udhëhequr nga Evropa”.
Dallimi tani është se këto hapa po ndërmerren me iniciativë evropiane, për shkak të qëndrimit gjithnjë e më kritik të Trump, dhe jo si rezultat i presionit amerikan. Ditët e fundit, Trump i quajti aleatët evropianë “frikacakë” dhe e përshkroi NATO-n si një “tigër prej letre”, duke shtuar se edhe presidenti rus Vladimir Putin e di këtë.
Presidenti i Finlandës, Alexander Stubb, një nga liderët e përfshirë në këto plane, deklaroi se zhvendosja e barrës së mbrojtjes nga SHBA drejt Evropës është në zhvillim dhe do të vazhdojë si pjesë e strategjisë amerikane të sigurisë. Ai theksoi rëndësinë që ky proces të jetë i menaxhuar dhe i kontrolluar, në vend që SHBA të tërhiqet shpejt.
Më herët këtë muaj, Trump kërcënoi të largohej nga NATO për shkak të refuzimit të aleatëve për të mbështetur fushatën e tij në Iran, duke deklaruar se vendimi ishte “përtej rishqyrtimit”. Edhe pse një tërheqje kërkon miratimin e Kongresit, presidenti mund të tërheqë trupa ose mjete ushtarake nga Evropa ose të refuzojë mbështetjen duke përdorur autoritetin e tij si komandant i përgjithshëm.
Pas këtij kërcënimi, Stubb kontaktoi Trump për ta informuar mbi planet evropiane për forcimin e mbrojtjes. Ai theksoi se mesazhi kryesor për SHBA-në është se pas dekadash është koha që Evropa të marrë më shumë përgjegjësi për sigurinë dhe mbrojtjen e saj.
Ndryshimi i qëndrimit të Gjermanisë ka hapur rrugën për një marrëveshje më të gjerë mes vendeve si Britania e Madhe, Franca, Polonia, vendet nordike dhe Kanadaja, të cilat po e shohin këtë plan si një “koalicion të të gatshmëve” brenda NATO-s.
Vetëm pasi Berlini ndryshoi qëndrim, planifikimi kaloi në çështje praktike ushtarake, si drejtimi i mbrojtjes ajrore dhe raketore të NATO-s, korridoret e përforcimit drejt Polonisë dhe shteteve baltike, rrjetet logjistike dhe organizimi i stërvitjeve të mëdha rajonale në rast të tërheqjes së oficerëve amerikanë. Këto mbeten sfidat kryesore.
Zyrtarët theksojnë se rikthimi i shërbimit të detyrueshëm ushtarak është një element i rëndësishëm për suksesin e planit. Shumë vende e kishin hequr atë pas Luftës së Ftohtë.
Po ashtu, synohet përshpejtimi i prodhimit evropian të pajisjeve ushtarake në fusha ku kontinenti është prapa SHBA-së, si lufta kundër nëndetëseve, kapacitetet hapësinore dhe zbulimi, furnizimi në ajër dhe mobiliteti ajror.
Megjithëse kjo përpjekje përfaqëson një ndryshim të madh në mendësinë evropiane, realizimi i saj do të jetë i vështirë. Komandanti i Lartë i Forcave Aleate në Evropë është gjithmonë amerikan dhe SHBA nuk ka sinjalizuar gatishmëri për ta dorëzuar këtë rol.
Asnjë vend evropian nuk ka peshë të mjaftueshme për të zëvendësuar SHBA-në si udhëheqëse ushtarake, pjesërisht sepse vetëm SHBA ofron mburojën bërthamore që garanton parimin e parandalimit të ndërsjellë të NATO-s.
Evropianët po marrin më shumë role drejtuese, por ende u mungojnë kapacitete kyçe për shkak të viteve të nën-investimit dhe varësisë nga SHBA.
Një boshllëk i veçantë mbetet në fushën e inteligjencës dhe parandalimit bërthamor. Zyrtarët evropianë pranojnë se asnjë riorganizim i shpejtë nuk mund të zëvendësojë sistemet amerikane të satelitëve, mbikëqyrjes dhe paralajmërimit raketor, që përbëjnë bazën e besueshmërisë së NATO-s.
Kjo situatë rrit presionin mbi Francën dhe Britaninë e Madhe për të zgjeruar rolin e tyre në parandalimin bërthamor dhe inteligjencën strategjike. Pas kërcënimeve të Trump për Groenlandën, kancelari Merz dhe presidenti francez Emmanuel Macron nisën diskutime mbi mundësinë që parandalimi bërthamor francez të shtrihet edhe në vende të tjera evropiane, përfshirë Gjermaninë.
Vetë Trump e pranoi se çështja e Groenlandës ishte një moment kyç, duke deklaruar: “Gjithçka nisi me Groenlandën… Ne e duam Groenlandën. Ata nuk duan ta japin dhe unë thashë: ‘Mirupafshim’.” /Përshtatur nga WSJ/
Lini një Përgjigje