
Putin tha se stërvitjet do të simulojnë veprimet e zyrtarëve më të lartë për përdorim të armëve bërthamore, dhe do të përfshijnë lëshim praktik të raketave me kapacitet bërthamor, dhe atyre lundruese.
Presidenti rus, Vladimir Putin mori pjesë këtë të martë në stërvitjen e forcave të parandalimit strategjik të vendit. Putin vëzhgoi stërvitjet nga qendra e situatës së Kremlinit përmes një video-konferencë.
Ai urdhëroi një stërvitje masive të forcave bërthamore të shtetit, duke përfshirë aty edhe lëshueset e raketave, teksa vazhdon të përshkallëzojë tensionet me Perëndimin, për shkak të luftës së nisur në Ukrainë.
Duke folur me liderët ushtarakë përmes “video-call”, Putin tha se stërvitjet do të simulojnë veprimet e zyrtarëve më të lartë për përdorim të armëve bërthamore, dhe do të përfshijnë lëshim praktik të raketave me kapacitet bërthamor, dhe atyre lundruese.
Putin ka thënë se Moska do të vazhdojë të modernizojë forcën bërthamore, do të pozicionojë raketa të reja me precizitet më të lartë, me shpejtësi më të madhe në nisje, dhe me kapacitete të rritura për t'i tejkaluar mbrojtjet raketore.
Manovrat e së martës janë vazhdimësi e një serie të stërvitjeve tjera të forcave bërthamore të Rusisë. Më herët gjatë vitit, ushtria ruse ka zhvilluar stërvitje të përbashkëta ushtarake me aleaten e Moskës, Bjellorusinë, në territorin e së cilës janë pozicionuar disa armë bërthamore taktike të Rusisë.
Por çfarë janë forcat e parandalimit strategjik të Rusisë?
Forcat e parandalimit strategjik të Rusisë janë një komponent i Forcave të Armatosura Ruse të përcaktuara për të penguar agresionin kundër Rusisë dhe aleatëve të saj dhe për t'i shkaktuar një disfatë agresorit në një luftë, duke përdorur lloje të ndryshme armatimi, duke përfshirë armët bërthamore, raporton “Tass”.
Forcat e parandalimit strategjik përbëhen nga forcat strategjike sulmuese dhe mbrojtëse. Forcat strategjike bërthamore (triada bërthamore) janë një komponent kyç i forcave sulmuese strategjike dhe përbëhen nga Forca Raketore Strategjike, komponenti detar bërthamor strategjik dhe komponenti ajror i përfaqësuar nga Forcat Ajrore bërthamore).
Rusia filloi të zhvillonte treshen e saj bërthamore në vitet 1950. Armatimi i tij bazë aktualisht përbëhet nga sisteme të palëvizshme dhe të lëvizshme të raketave balistike ndërkontinentale me bazë tokësore, nëndetëse strategjike me energji bërthamore dhe gjithashtu bombardues strategjikë që mbajnë raketa strategjike të lundrimit ajër-tokë dhe bomba ajrore.
Putin ka paralajmëruar shpesh SHBA-në dhe aleatët e NATO-s, që lejimi i Ukrainës për të përdorur armë perëndimore me rreze të gjatë për të sulmuar Rusinë, do t’i përfshinte ata direkt në luftë.
Ai e ka përforcuar mesazhin e tij duke e prezantuar një version të ri të doktrinës bërthamore që e konsideron sulmin konvencional ndaj Rusisë nga një shtet jobërthamor që mbështetet prej një force bërthamore, si sulm të përbashkët të të dyjave ndaj shtetit të vet, një paralajmërim i qartë për SHBA-në dhe aleatët e Kievit.
Ndërkohë kujtojmë se manovrat e së martës janë vazhdimësi e një serie të stërvitjeve tjera të forcave bërthamore të Rusisë.
Lini një Përgjigje