Momente tensioni janë regjistruar në aeroportin “Eleftherios Venizelos” në Athinë, pasi një avion i kompanisë Lufthansa u detyrua të kryente ulje emergjente për shkak të një problemi teknik gjatë fluturimit.
Avioni Airbus A321, i nisur nga Athina drejt Mynihut me 177 pasagjerë dhe 7 anëtarë ekuipazhi në bord, u kthye në aeroport vetëm pak minuta pas ngritjes. Pilotët njoftuan se ishte e nevojshme rikthimi i menjëhershëm për arsye sigurie, pasi defekti u konstatua gjatë fluturimit.
Ulja u realizua pa incidente, por menjëherë pas ndalimit të avionit u aktivizuan procedurat e emergjencës. Ekuipazhi hapi dyert dhe përdori rrëshqitëset fryrëse për evakuimin e shpejtë të pasagjerëve, ndërsa në bord u krijuan momente konfuzioni dhe paniku.
Në pistë u angazhuan zjarrfikëset dhe forcat e sigurisë së aeroportit, ndërsa ekipet e emergjencës orientuan udhëtarët drejt zonave të sigurta. Autoritetet greke raportuan se të gjithë pasagjerët dhe ekuipazhi janë jashtë rrezikut, ndërsa gjatë evakuimit u regjistruan dy lëndime të lehta.
Problemet për pasagjerët nuk përfunduan me kthimin në Athinë. Gjatë nisjes së re drejt Mynihut, një pasagjer i moshuar humbi ndjenjat në bord dhe mori ndihmën e parë nga një mjek që ndodhej në avion. Më pas, gjatë uljes në Mynih, avioni anuloi kontaktin me pistën në momentet e fundit dhe realizoi uljen vetëm pas një tentative të dytë. Sipas raportimeve, aeroporti i Mynihut ka vënë në dispozicion edhe psikologë për pasagjerët e përfshirë në incident.
View this post on Instagram
Lini një Përgjigje