TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota11 Mars 2026, 15:30

Ministri izraelit paralajmëron Teheranin: Sulmet do të vazhdojnë deri në fitore!

Shkruar nga Pamfleti

Ministri izraelit paralajmëron Teheranin: Sulmet do të vazhdojnë

Operacioni ushtarak i Izraelit në Iran do të vijojë pa një kufizim kohor, deklaroi të mërkurën në mëngjes ministri izraelit i Mbrojtjes, Israel Katz, gjatë një takimi në selinë e Forcave të Mbrojtjes së Izraelit (IDF) në Tel Aviv.

Sipas Katz, fushata ushtarake do të vazhdojë deri në arritjen e të gjitha objektivave të saj. “Ky operacion do të vazhdojë pa asnjë kufizim kohor, derisa të arrijmë të gjitha objektivat dhe të fitojmë me vendosmëri fushatën”, tha ai.

Megjithatë, ministri i Mbrojtjes nuk specifikoi objektiva të qarta ushtarake për operacionin që Izraeli e ka quajtur “Luani që Ulërin”. Në deklaratat e tij, ai theksoi gjithashtu se e ardhmja politike e Iranit varet nga vetë qytetarët iranianë.

“Ne duhet të vazhdojmë këtë përpjekje edhe për t’i mundësuar popullit iranian të ngrihet, të veprojë dhe të heqë qafe këtë regjim. Përfundimisht, varet prej tyre”, u shpreh Katz.

Deklaratat e ministrit izraelit kanë nxitur reagime edhe në skenën politike në Izrael. Yair Golan, kreu i partisë së majtë Demokratike, e kritikoi ashpër qeverinë në një reagim në rrjetin social X.

“Një luftë nuk ka nevojë për një afat kohor, ajo ka nevojë për një strategji daljeje dhe për një ministër mbrojtjeje që nuk është klloun. Por për dy vjet e gjysmë kjo qeveri ka shkëlqyer vetëm në një gjë, hapjen e fronteve dhe ngecjen në to”, shkroi Golan.

Lini një Përgjigje