TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota11 Mars 2026, 14:40

Irzaeli thirrje OKB-së: Garda Revolucionare të shpallet organizatë terroriste 

Shkruar nga Pamfleti
Irzaeli thirrje OKB-së: Garda Revolucionare të shpallet
Gideon Sa’ar

Izraeli i ka bërë thirrje Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara që ta shpallë Gardën Revolucionare të Iranit organizatë terroriste, duke e akuzuar Teheranin për veprime që, sipas tij, kërcënojnë stabilitetin rajonal dhe sigurinë ndërkombëtare.

Kërkesa u formulua nga ministri i Jashtëm izraelit, Gideon Sa’ar, i cili reagoi në rrjetin social X duke theksuar se aktivitetet e fundit të regjimit iranian tregojnë një rrezik të drejtpërdrejtë jo vetëm për Izraelin, por edhe për paqen në Lindjen e Mesme.

Sa’ar bëri thirrje që Republika Islamike të dënohet në mënyrë të qartë nga komuniteti ndërkombëtar dhe që Garda Revolucionare iraniane, e njohur gjithashtu si Pasdaranët, të shpallet zyrtarisht organizatë terroriste nga Këshilli i Sigurimit i OKB-së.

Deklarata e tij vjen në një moment tensionesh të larta në rajon, ndërsa Izraeli dhe Irani vazhdojnë të përballen në mënyrë të tërthortë përmes aleatëve dhe grupeve të armatosura në disa fronte të Lindjes së Mesme. Izraeli akuzon Teheranin se mbështet financiarisht dhe ushtarakisht organizata si Hezbollah në Liban, milicitë shiite në Irak dhe Siri, si dhe lëvizjen Houthi në Jemen.

Konflikti është intensifikuar edhe më shumë që nga shpërthimi i luftës në Gaza pas sulmit të Hamasit ndaj Izraelit në tetor 2023, një ngjarje që ka rritur frikën për një përshkallëzim më të gjerë rajonal. Autoritetet izraelite argumentojnë se Garda Revolucionare luan rol kyç në koordinimin dhe furnizimin me armë të grupeve që veprojnë kundër Izraelit në rajon.

Garda Revolucionare u krijua pas Revolucionit Islamik të vitit 1979 dhe përbën një nga institucionet më të fuqishme ushtarake dhe politike në Iran. Përveç rolit të saj në mbrojtjen e sistemit politik iranian, ajo ka një ndikim të madh në operacionet ushtarake jashtë vendit përmes forcës së saj elitare, të njohur si Forca Quds.

Shtetet e Bashkuara e kanë shpallur Gardën Revolucionare organizatë terroriste që në vitin 2019, duke e përfshirë atë në listën e organizatave terroriste të huaja. Sipas raportimeve ndërkombëtare, edhe Bashkimi Evropian ka ndërmarrë hapa në të njëjtin drejtim në janar, pas shtypjes së dhunshme të protestave masive kundër qeverisë iraniane.

Megjithatë, një vendim i tillë në Këshillin e Sigurimit do të kërkonte konsensus mes fuqive të mëdha, përfshirë anëtarët me të drejtë vetoje, gjë që e bën procesin politikisht të ndërlikuar. Debati për rolin e Iranit në konfliktet rajonale dhe për aktivitetet e Gardës Revolucionare mbetet një nga çështjet më të ndjeshme në diplomacinë ndërkombëtare.

garda revolucionare irani izraeli

Lini një Përgjigje