
Thënë ndryshe, ky tatim i padrejtë kontribuon në zgjerimin e pabarazive dhe nxit pakënaqësinë e disa qytetarëve ndaj klasave në pushtet.
Disa e drejtojnë gishtin e fajit për situatën aktuale drejt globalizimit liberal të viteve 1990, i cili i futi vendet në një garë të ashpër sa i përket uljes së taksave. Të tjerë akuzojnë një grusht ultra të pasurish, se po lobojnë tek udhëheqësit politikë, duke i kërcënuar këta të fundit se do të paketojnë valixhet dhe largohen nga vendi nëse rrisin taksat mbi ta.
Situata aktuale është e tmerrshme:në një kohë kur financat publike në shumë vende janë në krizë dhe gati në pikën e kolapsit, kur ndryshimet klimatike po kërkojnë investime shumë të mëdha për t’i përgatitur shoqëritë tona për shkatërrimet që do të sjellin, shumica e qeverive po refuzojnë të tatojnë ultra të pasurit, të cilët gëzojnë e pasurinë e tyre pa dhënë një kontribut të drejtë për vendet dhe shërbimet e tyre publike nga të cilat përfitojnë.
Prej tyre kërkohet vetëm një kontribut i drejtë. Sepse këtu nuk po flasim për një taksë të jashtëzakonshme apo një përndjekjeje të justifikuar nga emergjenca e situatës, por për një taksë “normale”, si ajo e paguar nga të gjithë taksapaguesit. Le të rikujtojmë disa shifra.
Sot, miliarderët nuk paguajnë thuajse asnjë taksë, sepse një pjesë e madhe e të ardhurave të tyre vjen nga kapitali (si p.sh dividentët), që tatohen më pak ose fare, falë teknikave të ndryshme të optimizimit që përdorin. Raporti mbi evazionin fiskal global të publikuar më 23 tetor 2023, nga Observatori Tatimor i BE-së, vlerësoi se tatimi mbi pasurinë që ata paguajnë është midis 0-0.5 për qind.
Duke marrë parasysh të gjitha taksat, ata po tatohen më pak edhe se shtresa e mesme. Puna e Observatorit, tregoi gjithashtu se pasuria e njerëzve më të pasur, është rritur me 6-9 për qind në vit në mbarë botën që nga viti 1995, krahasuar me 3 për qind rritje për pasurinë mesatare.
Thënë ndryshe, ky tatim i padrejtë kontribuon në zgjerimin e pabarazive dhe nxit pakënaqësinë e disa qytetarëve ndaj klasave në pushtet. Një raport tjetër i publikuar më 5 qershor nga Capgemini arrin në të njëjtat përfundime. Ai vlerëson se numri i njerëzve shumë të pasur në botë, pra i atyre me mbi 1 milionë dollarë pasuri, ishte 22.8 milion në vitin 2023 (5.1 për qind më shumë se sa në vitin 2022).
Rritje ka pësuar edhe pasuria e tyre, me një pasuri totale prej 86.8 trilionë dollarë, pra një rritje prej 4.7 për qind nga viti në vit. Ky është një rekord, i nxitur nga rritja e tregjeve të aksioneve në bursa.
Konkurrenca tatimore
Gjatë 15 viteve të fundit, vendet janë përfshirë në një konkurrencë tatimore, që të kujton konkurrencën e tyre afatgjatë për të tërhequr kompanitë e huaja:Disa kanë forcuar regjimet shumë të favorshme fiskale, për të tërhequr individët me të ardhura të larta.
Krahasuar me vitin 1995, sot në Evropë ka 28 programe të tilla, dhe ato po i reduktojnë të me të njëjtin volum të ardhurat buxhetore. Por fatmirësisht, gjithnjë e më shumë njerëz po bëjnë thirrje për një taksim më të drejtë të ultra të pasurve.
Brazili, vendi që aktualisht mban presidencën e radhës së vendeve të G20-ës, ka pranuar propozimin e ekonomistit Gabriel Zucman për të futur një taksë minimale globale prej 2 për qind mbi pasurinë e 3.000 miliarderëve të botës. Vetëm kjo taksë do të grumbullonte një fond prej rreth 250 miliardë dollarësh.
Një numër vendesh, përfshirë Francën, Afrikën e Jugut, Spanjën dhe Belgjikën, e mbështesin tashmë këtë lëvizje. Alarmistët dhe pesimistët e zakonshëm, thonë se ajo do të jetë e pamundur të zbatohet, për arsye teknike dhe praktike. Sepse ultra të pasurit, mund të iknin gjithmonë në vendet që nuk e zbatojnë një marrëveshje të tillë.
Nuk ka dyshim se disa do ta bëjnë, por jo të gjithë. Të tjerët do të kënaqeshin me këtë masë. “Unë jam i pasur, më taksoni! Unë dua të paguaj më shumë taksa se gjithë të tjerët, për të parandaluar zhytjen e shoqërisë në kaos”- tha në një intervistë me Le Monde më 23 tetor 2023, 71-vjeçari britanik Phil White, që e shiti firmën e tij të këshillimit për disa miliona dollarë disa vjet më parë.
Ashtu si ai, gjithnjë e më shumë milionerë po mblidhen së bashku në grupime (Milionerët Patriotë, Milionerët për Njerëzimin, Burimet në Lëvizje, Më Takso Tani...) për të organizuar peticione dhe konferenca. Që të gjitha me të njëjtin qëllim:t’i bindin qeveritë që t’i taksojnë më shumë. Dhe nëse edhe ata e kërkojnë këtë gjë atëherë, pse të mos ndodhë sa më parë.../ Përshtati "Pamfleti" nga "Le Monde".
Lini një Përgjigje