
Ekrem Imamoglu, kryetari aktual i Stambollit dhe një nga figurat më të njohura të opozitës turke, është përballur sot me një proces gjyqësor ku akuzohet për kërcënim ndaj një prokurori publik. Ky gjyq është pjesë e një sërë akuzash ligjore që mund të çojnë në dënime të ashpra ndaj tij, përfshirë burgim dhe ndalim nga pjesëmarrja në jetën politike.
Imamoglu, i cili ka fituar tre mandate si kryetar i qytetit më të madh të Turqisë, është paraqitur në një gjykatë të vendosur në një burg të sigurisë së lartë jashtë Stambollit. Sipas akuzës, ai mund të përballet me deri në shtatë vjet e katër muaj burg dhe me ndalim të plotë nga funksionet publike. Procesi është shtyrë për në 16 qershor, çka ka ngritur shqetësime për të drejtat e tij, veçanërisht për mungesën e një gjykimi të hapur për publikun.
Gjatë mbrojtjes së tij, ish-kryebashkiaku Imamoglu vuri në dyshim bazën e akuzave, duke iu referuar gjyqeve të kaluara politike dhe duke shprehur shqetësimin për procesin gjyqësor të stisur ndaj tij. Më tej ai shtoi se arsyeja përse po ndodhte kjo, ishte për shkak se ai ka fituar tre palë zgjedhje përballë Erdoganit dhe për faktin se do të garonte për president zgjedhjet e ardhshme.
“Unë jam këtu sot dhe nuk mund të mos pyes veten: 'Pse jam këtu?' Dhe sinqerisht, përgjigjja nuk është e vështirë për t'u gjetur, jam i shqetësuar. Kjo më kujton gjyqet e Ergenekonit, ku dëshmova drejtpërdrejt vuajtjet e njerëzve të pafajshëm dhe familjeve të tyre. Ato përvoja formuan ndërgjegjen time politike. Ajo që filloi si një fjalim që mbajta në një panel më 20 janar, tani më ka sjellë këtu në Silivri, gjë që vërteton shqetësimet e mia. Unë qëndroj para jush jo vetëm si kryebashkiak i Stambollit - një nga qytetet më të vjetra dhe më të rëndësishme në botë - por edhe si dikush që ka fituar tre zgjedhje. Unë jam gjithashtu këtu sepse kam ndërmend të kandidoj për president para 86 milion njerëzve të Turqisë. Ajo që po përjetoj këtu është thellësisht zhgënjyese. Unë jam në shënjestër sepse i shërbej më mirë publikut të Stambollit, dhe ofroj shërbime e mundësi më të drejta”, tha Ekrem Imamoglu.
Më tej kryebashkiaku i Stambollit deklaroi se ky lloj trajtimi nuk i bëhet as kriminelit më të madh në vende, duke shtuar se kjo tregon fare qartë klimën politike në vend.
"Unë qëndroj para jush jo vetëm si kryebashkiak i Stambollit - një nga qytetet më të vjetra dhe më të rëndësishme në botë - por edhe si dikush që ka fituar tre zgjedhje. Unë jam gjithashtu këtu sepse kam ndërmend të kandidoj për president para 86 milion njerëzve të Turqisë. Ajo që po përjetoj këtu është thellësisht zhgënjyese. Unë jam në shënjestër sepse i shërbej më mirë publikut të Stambollit, dhe ofroj shërbime e mundësi më të drejta. Kjo atmosferë politike në Turqi - ku ata që punojnë për të mirën publike tërhiqen zvarrë në gjykatë - është një shkak për shqetësim. Edhe shkelësit më të këqij nuk i nënshtrohen një trajtimi të tillë. Unë e dua çdo fëmijë në këtë vend, pavarësisht nga prejardhja e tyre. Po, e bëra atë fjalim. Dhe brenda pak minutash më treguan titujt e lajmeve duke thënë se ishte hapur një hetim kundër meje. Kjo është klima politike në të cilën ndodhemi”, shtoi ai.
Sa i takon akuzave për kërcënim të prokurorit të çështjes, Imamoglu tha se nuk kishte asgjë të tillë, por argumentoi se thjeshtë kishte dhënë një mendim të tijin, gjë që ia lejon dhe liria e shprehjes. Ai e mbylli fjalimin e tij para gjykatës duke thënë se besonte te drejtësia dhe se drejtësia do të vihej në fund.
"Unë kurrë nuk kam bërë kërcënime në jetën time. Thjesht kam kërkuar një takim me Kryeprokurorin, i cili u refuzua për javë të tëra. Kam bërë një deklaratë publike, një shprehje mendimi, të mbrojtur nga liria e fjalës. Si mund të konsiderohet kjo një kërcënim apo një fyerje kriminale? I besoj drejtësisë së lartë turke dhe besoj në drejtësi. Besoj se ky proces do të përfundojë me drejtësi”, përfundoi ai.
Lini një Përgjigje