TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota 2 Korrik 2025, 10:42

Mbështetja ndaj Palestinës, Trump kërcënon kandidatin e demokratëve për New York me heqjen e nënshtetësisë

Shkruar nga Pamfleti
Mbështetja ndaj Palestinës, Trump kërcënon kandidatin e
Zohran Mamdani dhe Trump

Presidenti i SHBA-ve, Donald Trump dhe administrata e tij ka hapur mundësinë që t’i heqë shtetësinë amerikane Zohran Mamdanit, kandidatit demokrat për kryetar bashkie të New York-ut, si pjesë e një fushate të re ndaj qytetarëve të natyralizuar që janë dënuar për vepra penale të caktuara.

Mamdanit, një 33-vjeçar i lindur në Ugandë nga prindër me origjinë indiane dhe i natyralizuar në SHBA në vitin 2018, u vu në shënjestër pas deklaratave të tij kundër deportimeve nga ICE dhe mbështetjes për të drejtat e palestinezëve.

Presidenti Trump tha për të se do të “duhet ta arrestojmë”, kur u pyet për premtimin e Mamdanit për të ndaluar agjentët e ICE që veprojnë të maskuar në qytet. Mamdani reagoi menjëherë në rrjetin X duke thënë se kërcënimet ndaj tij nuk lidhen me ndonjë shkelje ligji, por me refuzimin për të heshtur përballë padrejtësive.

“Presidenti i Shteteve të Bashkuara sapo më kërcënoi me arrestim, heqje të shtetësisë, burgosje dhe deportim. Jo sepse kam shkelur ndonjë ligj, por sepse nuk do lejoj që ICE të terrorizojë qytetin tonë,” shkroi ai.

Kongresmeni republikan Andy Ogles kërkoi nga Prokurorja e Përgjithshme, Pam Bondi, hetimin e Mamdanit, duke pretenduar se ai mund të ketë përfituar shtetësinë në mënyrë të paligjshme përmes “keqinformimit të qëllimshëm”. Si provë, Ogles përmendi një këngë rap të Mamdanit ku ai i referohet të dënuarve për mbështetje të Hamasit si “shokët e mi”, si dhe refuzimin e tij për të dënuar shprehjen “globalizoje intifadën”.

Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt, u shpreh se “nëse këto akuza janë të vërteta, ato duhet të hetohen”.

Departamenti i Drejtësisë ka konfirmuar se ka marrë letrën e Ogles, por nuk ka dhënë ndonjë koment të mëtejshëm.

Ndërkohë, reagimi ka qenë i menjëhershëm edhe nga kampi demokrat. Senatori Chris Murphy e quajti këtë një “sulm racist” dhe akuzoi Trumpin se po përpiqet të frikësojë zërat kritikë. “Zohran fitoi sepse bëri një fushatë që fuqizoi njerëzit e zakonshëm. Dhe kjo është kërcënim për elitën e Mar-a-Lagos,” shkroi Murphy.

Mamdanit, i cili identifikohet si socialist demokratik, i janë vënë në qendër të vëmendjes postimet në rrjete sociale dhe aktivizmi i mëparshëm. Që pas fitores në zgjedhjet paraprake demokrate, ai është sulmuar ashpër nga figura të djathta, përfshirë Trumpin, i cili e ka quajtur “komunist të pastër”.

Në një konferencë në Florida, Trump kërcënoi se do të ndërpresë fondet për New York-un nëse Mamdani zgjidhet kryetar bashkie dhe “nuk sillet siç duhet”. “Do ta vëzhgojmë nga afër. Shumë thonë se është këtu në mënyrë të paligjshme. Nëse është komunist, s’kemi nevojë për të,” tha Trump.

Ai përmendi edhe kryebashkiakun aktual të New York-ut, Eric Adams, të cilin e përgëzoi për “sjellje të mirë”, duke përmendur faktin se ndaj tij u pushua një çështje federale korrupsioni.

Mamdanit nuk i erdhi aspak e çuditshme kjo. “Që Trump përfshiu lavdërime për Adams në kërcënimet e tij autoritare nuk është për t’u habitur,” shkroi ai në rrjetet sociale.

Lini një Përgjigje