TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota14 Nëntor 2024, 19:46

Matt Gaetz, Pete Hegseth dhe Tulsi Gabbard: operacioni “hakmarrja” e Trump sapo ka nisur!

Shkruar nga Massimo Gaggi
Matt Gaetz, Pete Hegseth dhe Tulsi Gabbard: operacioni “hakmarrja” e
Nga e majta Matt Gaetz, Tulsi Gabbard dhe Pete Hegseth

Trump ka shtangur botën me të përzgjedhurit e tij, por cilët janë 3 emrat që i kanë habitur të gjithë...

Pete Hegseth, një prezantues i rrjetit "miqësor" Fox News, u zgjodh si kreu i aparatit ushtarak më të fuqishëm në botë. Matt Gaetz, një senator i diskutueshëm, ende nën hetim në Dhomën e Përfaqësuesve për sjelljen e tij seksuale - ai vetë u tregoi kolegëve të tij video porno me pjesëmarrje të dyshuar të të miturve – do të marrë në dorë drejtësinë.

Ndërsa përgjegjësia për koordinimin e 16 shërbimeve sekrete, civile dhe ushtarake të Shteteve të Bashkuara, do t'i besohet Tulsi Gabbard: ish kongresmene demokrate, fanse e madhe e liderit të së majtës liberale, Bernie Sanders, e cila u zhvendos papritur në radhët e republikanëve dy vjet më parë dhe është përfshirë në mënyrë aktive, që nga vera e kaluar, në fushatën e Trump.

Emërime në dukje të pakuptueshme nga ana e Trump. Hegseth ishte një oficer i rangut të ulët në Gardën Kombëtare. Kjo eksperiencë nuk mjafton për të pasur mbi supe peshën e Pentagonit (buxheti 850 miliardë dollarë dhe bazat në të gjithë botën).

Gabbard gjithashtu shërbeu për një kohë të shkurtër në Gardën Kombëtare të Ishujve Havai, por kurrë nuk kishte lidhje me Shërbimin Sekret.

Sa i përket Gaetz-it, ai ka pasur disa marrëdhënie me Drejtësinë, por pothuajse gjithmonë si i akuzuar. Që kur u ndalua për drejtimin e mjetit në gjendje të dehur dhe më pas u lirua pasi refuzoi t'i nënshtrohej testit.

Por, duke qenë se zëdhënësja e Trump, e bombarduar me pyetje për emërimet, priret të mos japë përgjigje konkrete, por kujton se presidenti i zgjedhur synon të respektojë premtimet e bëra ndaj votuesve, është e dobishme të kthehemi pas në kohë.

Është 4 Marsi i vitit 2023. Trump nisi fushatën e tij, në atë moment me një rezultat të pasigurt, duke qenë se ai sfidohej nga njerëz që në atë moment me sa duket kanë mundur t'i bëjnë ballë, para së gjithash guvernatori i Floridës Ron DeSantis.

Donaldi zgjodhi si trampolinë konferencën e miqve të tij ultra-konservatorë në CPAC (Conservative Political Action Conference). Ai prezantohet me një mesazh të fortë dhe të qartë, i mirëpritur me ovacione: “Në 2016 premtova se do të jem zëri juaj. Tani ju premtoj se do të jem zëri juaj, luftëtari juaj, ai që do t'ju japë drejtësi dhe, për ata që janë keqtrajtuar dhe tradhtuar, do të jem ai që do të sjell hakmarrjen".

Parë në këtë këndvështrim dhe në dritën e dëshirës së deklaruar të Trump për të çmontuar strukturat administrative që ai i konsideron armiqësore, këto emërime tregojnë hapur se ka nisur hakmarrja.

Hegseth, si komentator i Fox-it ka përsëritur mijëra herë se krerët ushtarakë, të cilët ai i akuzoi se ishin të kapur, d.m.th. se ishin të varur nga nënkulturat e majta, duhet të ndryshohen. Ai ka arsye për inat (dhe dëshirë për hakmarrje) ndaj një aparati ushtarak që e dëboi nga Garda Kombëtare.

Edhe Goetz ka vend për hakmarrje, pasi është ende nën hetim për skandalin seksual.

Tulsi Gabbard është e zemëruar me shërbimet e sigurisë sepse pretendon se ka përfunduar në një listë të zezë të njerëzve të rrezikshëm, për shkak të pozicioneve të saj politike, duke iu nënshtruar kontrolleve veçanërisht të ashpra kur kthehej nga udhëtimet jashtë vendit. Akuza të pamundura për t'u verifikuar sepse "listat e zeza" të të dyshuarve janë në fakt sekret.

Por për të kuptuar se sa Gabbard në krye të inteligjencës është e destinuar të shkaktojë një dhimbje koke gjigante për shërbimet sekrete, mjafton t'i hedhim një sy qëndrimeve që ajo mbajti në publik: Ishte kundër ndërhyrjes ushtarake të SHBA në Siri dhe sulmin rus ndaj Ukrainës e ka cilësuar si përgjigje ndaj "provokimeve" nga Shtetet e Bashkuara. /Përshtati “Pamfleti” nga “Corriere della Sera”

Lini një Përgjigje