
Lideri bjellorus Alyaksandr Lukashenko ka thënë të premten se i kishte paralajmëruar mercenarët rusë, Yevgeny Prigozhin dhe Dmitry Utkin, të bënin kujdes se mund të përballeshin me kërcënime me jetë.
Prigozhini besohet të ketë vdekur nga rrëzimi i një avioni privat në veri të Moskës më 23 gusht, rreth dy muaj pasi e udhëhoqi një kryengritje të dështuar drejt Moskës me grupin e vet mercenar, Wagner.
Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, ishte zotuar fillimisht se do ta shkatërronte kryengritjen e Prigozhinit në qershor, por disa orë më vonë u arrit një marrëveshje për lejimin e Prigozhinit dhe disa prej trupave të tij të shkonin në Bjellorusi.
Lukashenko, i cili e ndërmjetësoi marrëveshjen, e përdori një zhargon burgu pak pas kryengritjes jetëshkurtër të Wagnerit, kur tha se ai e kishte bindur Putinin të mos e “hiqte qafe” mercenarin i cili ndodhej në listën e udhëtarëve të avionit privat që u rrëzua të mërkurën në veri të Moskës.
Prigozhini, tha Lukashenko të premten, i kishte hedhur poshtë dy herë shqetësimet e ngritura nga ai për kërcënimet e mundshme me jetë me të cilat përballej ai.
Lini një Përgjigje