Në mungesë të të dhënave të Pentagonit (dhe ndërsa sondazhet tregojnë kundërshtim të gjerë ndaj ndërhyrjes amerikane në Iran), na duhet të mjaftohemi me vlerësime të ndryshme të cilat, megjithatë, bien dakord për një gjë: konflikti është shumë i kushtueshëm.
Sondazhet e fundit tregojnë se një pjesë e konsiderueshme e opinionit publik amerikan kundërshton sulmet ndaj Iranit, veçanërisht nëse operacioni ushtarak do të shndërrohet në një konflikt të gjatë. Skepticizmi nuk vjen vetëm nga qarqet pacifiste, por edhe nga shumë votues me simpati për Donald Trump, të cilët shprehin dyshime për ndërhyrjen ushtarake të Shtëpisë së Bardhë.
Një nga arsyet kryesore të kësaj hezitimi lidhet me kostot ekonomike të konfliktit. Deri tani administrata amerikane nuk i ka kërkuar Kongresit të miratojë fonde shtesë për Pentagonin, por vlerësimet tregojnë se shpenzimet e luftës mund të jenë shumë të larta.
Presidenti i Komisionit për Buxhetin në Dhomën e Përfaqësuesve, republikani nga Oklahoma Tom Cole, i cituar nga Politico, e përshkroi koston e konfliktit me një përgjigje të shkurtër: “Shumë”. Një vlerësim më konkret sugjeron se lufta mund t’i kushtojë SHBA-së rreth një miliard dollarë në ditë.
Për krahasim, operacioni “Midnight Hammer”, ofensiva e shkurtër e 22 qershorit gjatë së cilës SHBA bombardoi disa objekte bërthamore iraniane, ka kushtuar rreth 2 miliardë dollarë.
Në mungesë të të dhënave zyrtare nga Pentagoni, analizat bazohen kryesisht në vlerësime të organizatave dhe instituteve kërkimore. Një përllogaritje e publikuar nga Center for Strategic and International Studies (CSIS) në Uashington vlerëson se 100 orët e para të konfliktit i kushtuan SHBA-së rreth 3.7 miliardë dollarë.
Sipas kësaj analize, rreth 196 milionë dollarë janë përdorur për operacionet ushtarake (125 milionë për operacionet ajrore, 64 milionë për ato detare dhe 7 milionë për operacionet tokësore). Shpenzimi më i madh lidhet me municionet, që arrijnë në 3.1 miliardë dollarë, ndërsa 359 milionë dollarë janë përdorur për zëvendësimin e pajisjeve të shkatërruara dhe riparimin e dëmeve në infrastrukturë.
Vetëm tre avionë luftarakë F-15, të rrëzuar nga “zjarri miqësor” në Kuvajt, kanë një vlerë të përbashkët prej gati 300 milionë dollarësh.
Një tjetër vlerësim, i cituar nga The New York Times, sugjeron se java e parë e sulmeve mund të ketë kushtuar rreth 6 miliardë dollarë, ndërsa disa ligjvënës republikanë të intervistuar nga Politico e çojnë këtë shifër edhe më lart, deri në 2 miliardë dollarë në ditë. Një shifër e ngjashme është përmendur edhe nga Kent Smetters, drejtues i modelit të analizës buxhetore Penn Wharton në Universitetin e Pensilvanisë, i cituar nga Al Jazeera.
Megjithatë, analistët bien dakord për një aspekt të rëndësishëm të konfliktit: një nga shpenzimet më të mëdha lidhet me mbrojtjen kundër raketave dhe dronëve iranianë. Këto armë prodhohen shpesh me kosto relativisht të ulët, ndërsa sistemet për t’i interceptuar janë shumë më të shtrenjta.
Sipas një përllogaritjeje të ish-zyrtarit të CIA-s Jonny Gannon, për çdo 1 dollar që Irani shpenzon për raketa dhe dronë, monarkitë arabe të Gjirit shpenzojnë rreth 28 dollarë për t’i neutralizuar ato.
Për këtë arsye, kostoja përfundimtare e konfliktit do të varet shumë nga një faktor kryesor: sa i madh është ende arsenali iranian. Për këtë çështje, vlerësimet mbeten të ndryshme dhe të vështira për t’u verifikuar në mënyrë të pavarur. /Corriere Della Sera
Lini një Përgjigje