
Rusia ka sulmuar Ukrainën me 32 dronë gjatë mëngjesit të sotëm, shumica e të cilëve ishin nisur drejt Kiev, raportuan zyrtarët e ushtrisë ukrainase. Mbrojtja Ajrore e Ukrainës rrëzoi 25 prej tyre, pa treguar detaje për shtatë dronët e tjerë.
Sulmet ajrore ruse vijnë në një kohë kur liderët ukrainas po i bëjnë thirrje Perëndimit për përkrahje shtesë për ta zmbrapsur pushtimin rus.
Shtabi i Përgjithshëm i ushtrisë ukrainase tha se “pushteti rus sulmoi Ukrainën me 32 dronë kamikazë... prej të cilëve 25 u shkatërruan nga forcat e mbrojtjes ajrore ukrainase”.
“Dronët u futën në kryeqytet në grupe dhe nga drejtime të ndryshme”, tha Sergiy Popko, kryetar i Administratës Ushtarake të qytetit të Kievit.
Mbetjet e tyre ranë në disa rrethina, duke dëmtuar një banesë në një ndërtesë shumëkatëshe, si dhe rrugët dhe linjat e rrymës, shtoi ai, duke thënë se një person u lëndua.
Rusia i sulmoi sistematikisht qytetet ukrainase në fillim të pushtimit që nisi vitin e kaluar, por sulmet masive janë bërë më pak të shpeshta, për shkak se rezervat e Moskës po pakësohen, ndërsa Ukraina e ka përforcuar mbrojtjen ajrore.
Muajin e kaluar, Kievi shkatërroi më shumë se 20 dronë dhe raketa ruse në atë që e cilësoi si sulmin më të fuqishëm në kryeqytet që nga pranvera.
Lini një Përgjigje