
Papa Françesku e përshkroi përfundimin e armëpushimit të Hamasit me Izraelin si “të dhimbshëm” dhe u bëri thirrje të gjitha palëve të përfshira që të arrijnë një marrëveshje të re armëpushimi sa më shpejt të jetë e mundur.
Papa tha gjithashtu se lutjet e tij janë me pengjet në Gaza dhe me mungesën e ndihmave të nevojshme në territorin palestinez.
Mesazhi i Papës u lexua nga një ndihmës gjatë predikimit të tij sot, të cilin ai e mbajti nga pjesa e brendshme e rezidencës së tij në Vatikan dhe jo nga ballkoni si gjithmonë.
Rikujtojmë se Izraeli ka kryer sulme ajrore masive në qytetin Khan Younis në jug të Gazës, që nga banorët është konsideruar si bombardimi më i rëndë që kur nisi lufta mes Izraelit dhe Hamasit.
Banorët e zonës lindore të Gazës ishin njoftuar nga ushtria izraelite që të largoheshin drejt jugut. Por Izraeli beson se disa liderë të Hamasit janë ende në qytet, ku shumë civilë janë strehuar pasi u larguan nga zonat veriore.
Ministria e Shëndetësisë e Gazës, e drejtuar nga Hamasi, njofton se janë vrarë më shumë se 200 persona nga vala e fundit e sulmeve izraelite.
Numri i personave të vrarë në Gaza që nga fillimi i luftës më 7 Tetor, ka shkuar në 15,200 persona, sipas Ministrisë së Shëndetësisë të drejtuar nga Hamasi.
Lini një Përgjigje