Kryeministrja e Italisë, Giorga Meloni, ka shkuar sot në Serbi për vizitë zyrtare ku do të pritet nga presidenti serb Aleksandar Vuçiç.
Kjo është vizita e parë në Serbi që kur ajo u zgjodh kryeministre e Italisë.
Në orën 14:15 para Pallatit “Serbia” është caktuar një pritje formale dhe më pas takimi mes tyre, raporton RTS.
Sipas Vuçiçit, temë bisede mes tyre do të jenë edhe negociatat Kosovë-Serbi, si dhe “bashkëpunimi dypalësh mes dy vendeve dhe marrëdhëniet ekonomike”.
Vuçiç kishte pretenduar se “vizita e Melonit është e rëndësishme për marrëdhëniet tona politike dhe mbështetjen e vazhdueshme të Italisë për përparimin e Serbisë në rrugën drejt BE-së, por edhe sepse Italia është partneri i dytë më i rëndësishëm i Serbisë në Bashkimin Europian dhe në përgjithësi, partneri i tretë më i rëndësishëm i Serbisë”.
Mediat në Beograd shkruajnë se do të ketë edhe një diskutim për çështje evropiane dhe ndërkombëtare pasi disa vende anëtare të BE-së janë të hutuar nga marrëdhënia mes Beogradit dhe Moskës dhe e konsiderojnë atë një rrezik për Bashkimin.
Megjithatë, procesi i integrimit evropian mbetet rruga kryesore për ankorimin e Serbisë në kampin perëndimor. Çështja e Kosovës gjithashtu mbetet një element qendror i jetës politike në Serbi.
Nga perspektiva italiane dhe evropiane, është thelbësore të parandalohen tensionet e fundit në veri të Kosovës që të pengojnë dialogun Beograd-Prishtinë të lehtësuar nga BE-ja dhe marrëveshjen për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, e arritur në mars në Ohër, Maqedonia e Veriut.
Në mbështetje të këtij dialogu shërben edhe vizita e Melonit.
Lini një Përgjigje