
Izraeli ka kryer sulme ajrore masive në qytetin Khan Younis në jug të Gazës, që nga banorët është konsideruar si bombardimi më i rëndë që kur nisi lufta mes Izraelit dhe Hamasit.
Banorët e zonës lindore të Gazës ishin njoftuar nga ushtria izraelite që të largoheshin drejt jugut. Por Izraeli beson se disa liderë të Hamasit janë ende në qytet, ku shumë civilë janë strehuar pasi u larguan nga zonat veriore.
Ministria e Shëndetësisë e Gazës, e drejtuar nga Hamasi, njofton se janë vrarë të paktën 193 persona nga vala e fundit e sulmeve izraelite.
Numri i personave të vrarë në Gaza që nga fillimi i luftës më 7 Tetor, ka shkuar në 15,200 persona, sipas Ministrisë së Shëndetësisë të drejtuar nga Hamasi.
Të premten, Izraeli rifilloi sulmet ajrore kundër Hamasit në Gaza, pas përfundimit të armëpushimit.
Ushtria izraelite tha se kishte goditur më shumë se 400 objektiva terroriste të Hamasit.
Edhe Izraeli është sulmuar me raketa nga ana e Hamasit.
Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu, në një konferencë shtypi mbrëmjen e të shtunës, u zotua të vazhdojë operacionin ushtarak deri sa të arrihet qëllimi për eliminimin e Hamasit dhe lirimin e pengjeve izraelite.
“Një luftë e ashpër është përpara nesh”, tha Netanyahu.
Pala izraelite fajëson Hamasin për ngërçin, të cilin e akuzon për dështimin e përmbushjes së pjesës së saj të marrëveshjes. Kjo përfshinte "lirimin e të gjithë fëmijëve dhe grave sipas një liste të dërguar dhe miratuar nga Hamasi ". Izraeli vuri në dukje gjithashtu se marrëveshja e armëpushimit parashikonte që Kryqi i Kuq të vizitonte të gjithë pengjet, por Hamasi refuzoi ta lejojë atë.
Nga ana tjetër, nga Katar presidenti francez Emmanuel Macron paralajmëroi Izraelin se "shkatërrimi total i Hamasit" do të çojë në "dhjetë vjet" luftë .
Mirëpo, përballë kësaj deklarate, Izraeli nuk tërhiqet. Lufta e Izraelit kundër Hamasit në Rripin e Gazës do të vazhdojë derisa " të arrihen të gjitha qëllimet e tij ", domethënë shkatërrimi i lëvizjes islamike palestineze, tha Benjamin Netanyahu të shtunën mbrëma.
Dje, në Izrael, qindra njerëz protestuan në Tel Aviv, duke kërkuar lirimin e 137 personave që vazhdojnë të mbahen në Rripin e Gazës. Shumë prej tyre kishin postera me fotografitë e pengjeve. Katër ish-pengje iu drejtuan turmës përmes lidhjes video për të folur për atë që ata përjetuan -- frikën, urinë, mungesën e gjumit -- gjatë robërisë së tyre.
"Vajzat tona panë gjëra që fëmijët e asaj moshe, apo çdo moshe, nuk duhet t'i shohin," tha Danielle Aloni, 45 vjeç, e cila u lirua më 24 nëntor me vajzën e saj pesëvjeçare.
Lini një Përgjigje