TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota 3 Korrik 2024, 22:15

Lufta do përfundojë me dorëzimin e Ukrainës, Perëndimi duhet të rigjejë formulën e bashkëjetesës me Rusinë

Shkruar nga Stephen Bryen

Lufta do përfundojë me dorëzimin e Ukrainës, Perëndimi

Tre forca të plotfuqishme po e mbajnë Zelenskyn larg tryezës së bisedimeve.

Lufta e Ukrainës do të përfundojë në një dorëzim dhe jo me një marrëveshje të negociuar. Ky është parashikimi im mbi trajektoren e kësaj lufte, dhe pse palët nuk mund të negociojnë një zgjidhje.

Zhvillimi i fundit në sagën e munguar të negociatave, është një deklaratë në formën e një interviste të dhënë nga presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky për gazetën amerikane  “Philadelphia Inquirer”.  

Në këtë intervistë, Zelensky thoë se nuk mund të ketë negociata të drejtpërdrejta  midis Ukrainës dhe Rusisë, por mund të ketë negociata indirekte përmes një pale të tretë.

Në skenarin e propozuar nga Zelensky, pala e tretë do të shërbejë si ndërmjetëse dhe çdo marrëveshje do të jetë vetëm me ndërmjetësuesin, jo mes Rusisë apo Ukrainës.  Zelensky sugjeroi se këtë rol mund të luajë OKB-ja. Por propozimi i presidentit ukrainas   nuk është një nismë për shumë arsye, kur më kryesorja është se shtetet ndërluftuese duhet të bien dakord drejtpërdrejt për përfundimin e një konflikti.

S’ka asnjë shpresë që një palë e tretë të zbatojë ndonjë marrëveshje, siç e dëshmuan edhe marrëveshjet e dështuara të Minskut (në vitet 2014 dhe 2015).  Minsku ishte një rast hibrid ku marrëveshja u nënshkrua nga Rusia, Ukraina dhe Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE). Ukraina refuzoi ta zbatonte marrëveshjen, dhe OSBE-ja u tregua e pafuqishme dhe e pavullnetshme që të përpiqej të impononte zbatimin e Marrëveshjeve të Minskut.

Ajo marrëveshje pati mbështetje politike nga Gjermania dhe Franca, megjithëse asnjëra prej tyre nuk ishte zyrtarisht nënshkruese dhe as ligjërisht e detyruar për ta mbështetur marrëveshjen që doli nga ato negociata. “Propozimi” i Zelensky, është në fakt vetëm një tjetër tymnajë për të shmangur kritikat ndaj Ukrainës për mosdashjen e një zgjidhjeje me Rusinë.

Tre forca të plotfuqishme po e mbajnë Zelenskyn larg tryezës së bisedimeve. Më e rëndësishmja është se lojtarët kryesorë anglo-saksone në NATO, përkatësisht SHBA-ja dhe Britania e Madhe, kundërshtojnë me forcë çdo lloj negociate me Rusinë. SHBA-ja ka bërë gjithçka ka pasur në dorë, duke përfshirë sanksionet dhe masat diplomatike, për të parandaluar çdo dialog me Rusinë mbi çdo temë (përveç shkëmbimit të të burgosurve). 

Arsyeja e dytë është legjislacioni ukrainas, i sponsorizuar nga Zelensky, që i ndalon negociatat me Rusinë. Verkhovna Rada (parlamenti i Ukrainës) mund ta anulojë atë legjislacion brenda sekondës nëse do ta kërkonte Zelensky, por ky i fundit ka të ngjarë të mos e bëjë këtë.

Zelensky e kontrollon plotësisht parlamentin ukrainas. Ai ka arrestuar ose internuar politikanë të opozitës dhe po i kontrollon mediat. Qasja e tij e ashpër nënkupton se ai personalisht nuk do të lejojë negociata të drejtpërdrejta me rusët. Po ashtu, ai ka firmosur një dekret që ndalon çdo negociatë me presidentin rus, Vladimir Putin.

Arsyeja e tretë, lidhet me presionin që ushtrohet mbi Zelensky-n nga nacionalistët e djathtë, sidomos nga brigada neo-naziste Azov. Dëshmi e drejtpërdrejtë për këtë është shkarkimi i gjeneral-lejtnant Yuri Sodol, komandantit të lartë të forcave të Kievit në zonën e Kharkovit.

Sodol u akuzua nga krerët e brigadës Azov për vrasjen e më shumë ukrainasve sesa rusë në betejat e asaj zone. Azov ia dërgoi mesazhin Rada-s dhe Zelensky e detyroi të miratojë shkarkimin e Sodol. Që nga ky moment, situata e Ukrainës është përkeqësuar përgjatë gjithë linjës së kontaktit.

Humbjet në betejë janë shumë të larta, me rreth 2000 të vrarë dhe të plagosur në disa ditë. Rusët i kanë shtuar sulmet e tyre me bomba rrëshqitëse FAB, përfshirë përbindëshin  FAB-3000 , i cili së fundmi goditi një qendër komanduese të ushtrisë ukrainase në një qytezë në Donbas dhe thuhet se vrau 60 ose më shumë ushtarakë ukrainas.

Rusët thonë se Zelensky nuk është një partner i qëndrueshëm negociues, pasi mandati i tij ka skaduar në maj. Në Ukrainë ka një konfuzion për situatën ligjore, por ekspertët brenda dhe jashtë vendit mendojnë se udhëheqja duhet t’i kalonte kryetarit të Radës që kur Zelensky e përfundoi mandatin e tij. 

Kryetari i parlamentit ukrainas, Ruslan Stefanchuk, po bëhet më aktiv politikisht, edhe pse nuk e ka kundërshtuar sundimin e vazhdueshëm të Zelenskit. Ndërkohë, duke pasur parasysh situatën e vështirë në fushën e betejës, rusët pa dyshim e kuptojnë se së shpejti do të vijë koha kur ushtria ukrainase ose do të hyjë në kolaps, do të dorëzohet, ose të dyja bashkë.

Në secilin rast, qeveria ukrainase do të duhet të zëvendësohet në një farë mënyre, ndoshta me një udhëheqje të përkohshme ushtarake të zgjedhur nga Rusia. Kjo do t’i jepte mundësi rusëve të formulonin një marrëveshje kapitullimi me një qeveri të re.

Një dorëzim nga ushtria e Ukrainës, dhe një marrëveshje me një qeveri të emëruar nga Rusia, do ta bënte të pamundur përfshirjen e vazhdueshme të NATO-s në Ukrainë. Dhe kjo mund të krijojë më në fund hapësirë për një dialog në fushën e sigurisë midis NATO-s dhe Rusisë, sapo NATO të analizojë se çfarë ndodhi dhe arsyen pse.

Mjerisht, drejtimi i NATO-s nga liderë politikë si Marc Rutte, nuk është një shenjë e mirë për të ardhmen e aleancës. Mesazhi kyç për NATO-n nëse rusët fitojnë në Ukrainë, siç duket gjithnjë e më shumë e mundshme, është se aleanca e sigurisë duhet ta ndalë zgjerimin e saj dhe të kërkojë një marrëveshje më të qëndrueshme me Rusinë në Evropë./Përshtati "Pamfleti" nga “Asia Times”

*Shënim:Stephen Bryen, ish-zëvendëssekretar i Mbrojtjes i SHBA-së.

ukrainë

Lini një Përgjigje