TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota 3 Korrik 2024, 20:58

Pse dështoi Makronizmi?

Shkruar nga Jan-Werner Mueller

Pse dështoi Makronizmi?

Stili mendjemadh i qeverisjes së Macron - që në vitin 2017, la të nënkuptojë se donte të sundonte si “Jupiteri” - sigurisht që nuk ndihmoi. Me apo pa të drejtë, ai e ka bërë atë një figurë politike jashtëzakonisht të urryer.

Pas humbjes vendimtare të partisë së tij përballë Tubimit Kombëtar të ekstremit të djathtë në zgjedhjet e Parlamentit Evropian, presidenti francez Emmanuel Macron i tronditi të gjithë duke e shpërndarë Asamblenë Kombëtare dhe thirrur zgjedhje e parakohshme parlamentare. Ai e arsyetoi vendimin e tij me pretendimin se këto zgjedhje do të “sqarojnë” situatën politike.  Por bashkë-kombasit e tij nuk e ndajnë këtë pikëpamje. Edhe ata që nuk kanë frikë se basti i Macron do të sjellë në pushtet të djathtën ekstreme, janë të shqetësuar për kaosin që mund të pasojë.

Siç u shpreh edhe Édouard Philippe, kryeministri i Macron në vitet 2017-2020, presidenti “ka vrarë në mënyrë të panevojshme shumicën presidenciale”. Një parlament i varur, me Tubimin Kombëtar si partinë më të madhe tani konsiderohet si rezultati më i mundshëm.

Megjithatë, vendimi i Macron ka sqaruar një gjë:ka dështuar strategjia e tij për të krijuar një centrizëm të fuqishëm në Francë. Dhe këtë duhet ta kenë parasysh edhe udhëheqësit e tjerë evropianë. Legjenda thotë se pyetja e parë që Napoleoni i bënte një oficeri të ushtrisë, nuk ishte nëse ai ishte i talentuar, por nëse ishte me fat.

Kur Macron triumfoi në zgjedhjet presidenciale të vitit 2017, ai ishte jashtëzakonisht me fat. Presidenti i kohës, ishte aq i papëlqyeshëm, saqë as u mundua të kandidonte për një mandat të dytë, teksa fituesi i mundshëm nga radhët e konservatorëve, u përjashtua nga gara pas një skandali seksual.

Macron e shfrytëzoi më së miri momentin për të ofruar atë që dikush mund ta quajë ai Ardhja e Dytë e “ Rrugës së Tretë “. Ashtu si Tony Blair, lideri i Partisë Laburiste britanike që erdhi në pushtet në vitin 1997, Macron u shpreh se ndarja e vjetër ideologjike e së majtës dhe e djathtës ishte e padobishme, dhe se centristët duhet thjesht të zgjidhnin politikat që “funksiononin më mirë”.

Macron u bëri apel si socialistëve ashtu edhe golistëve konservatorë, me supozimin se të gjithë njerëzit e arsyeshëm mund të bashkohen të lumtur me të moderuarit. Kushdo që e refuzoi ftesën ishte sipas tij një ekstremist i paarsyeshëm.

Për një fare kohë, kjo qasje pati tërheqje, sepse qendra në dukje gjithnjë në zgjerim e Macron-it rrethohej nga Fronti Kombëtar i Marine Le Pen (tani Tubimi Kombëtar) në të djathtën ekstreme dhe nga Franca e Papërkulur e Jean-Luc Mélenchon në të majtën ekstreme. Por qasja teknokratike - “nëse nuk je me ne, je i paarsyeshëm” - dështoi në fund ta transformojë peizazhin politik.

E djathta ekstreme, e majta ekstreme, qendra e majtë dhe qendra e djathtë, priren secila që të fitojnë mesatarisht të paktën 20 për qind të votave në raundin e parë të zgjedhjeve presidenciale franceze. Por Republikanët e qendrës së djathtë, kanë humbur shumë vota që kanë shkuar për Tubimin Kombëtar.

Kjo e detyroi udhëheqësin e partisë, Éric Ciotti, të hyjë në një aleancë me të djathtën ekstreme. Dhe ky element ka shumë rëndësi, pasi mbështetja dërrmuese e Macron në raundin e dytë të zgjedhjeve në vitet 2017 dhe 2022 - kur ai kishte përballë Le Pen - erdhi kryesisht për shkak të armiqësisë së votuesve ndaj të djathtës ekstreme, dhe jo entuziazmit në rritje për teknokracinë e stilit të Macron.

Përkundrazi, teknokracia priret të provokojë reagim, pasi krijon një mundësi për populistët që të argumentojnë - jo pa arsye - se s’ka një zgjidhje unike racionale për problemet komplekse, dhe se demokracia supozohet të ketë lidhje me zgjedhjen dhe pjesëmarrjen popullore, dhe jo me cilësimin e elitave si të pakonkurrueshme.

Stili mendjemadh i qeverisjes së Macron - që në vitin 2017, la të nënkuptojë se donte të sundonte si “Jupiteri” - sigurisht që nuk ndihmoi. Me apo pa të drejtë, ai e ka bërë atë një figurë politike jashtëzakonisht të urryer.

Por përveç dështimeve personale të një njeriu që e imagjinon veten një mbret filozof, një projekt centrist që synonte të merrte më të mirën nga e majta dhe e djathta, kishte gjithmonë më shumë gjasa të armiqësohej me të dyja se sa të harmonizonte axhendat e tyre të kundërta.

Pasi Macron e humbi shumicën në Asamblenë Kombëtare në vitin 2022, kryeministrja e tij Élisabeth Borne, u përpoq heroikisht që të bashkonte shumicën ad hoc për të çuar përpara axhendën e presidentit. Por në më shumë se 20 raste, ajo iu drejtua rrugëve të shkurtra kushtetuese për të miratuar masat të cilave u mungonte qartazi mbështetja popullore.

Centrizmi i Macron-it, jo vetëm që dukej gjithnjë e më autoritar; por ai nisi të anonte djathtas. Prandaj, Ministri i tij i Brendshëm i linjës së ashpër, shkoi aq larg sa e akuzoi Le Penin për sjellje të butë ndaj islamizmit, teksa Borne prezantoi një ligj mbi migracionin që dukej se legjitimonte atë që e djathta ekstreme kishte thënë gjatë gjithë kohës.

Dhe nëse zhvendoset vazhdimisht djathtas, në fund do të arrish në një pikë ku nuk mund t’i shantazhosh më votuesit me argumentin se jeni pengesa e vetme në rrugën drejt ekstremizmit të djathtë dhe fundit të Republikës.

Disa analistë po spekulojnë se Macron dëshiron që Tubimi Kombëtar të qeverisë deri në zgjedhjet presidenciale të vitit 2027, me arsyetimin se kjo forcë politike do të tregohet e paaftë dhe krijojë terrenin për një zhvendosje triumfale sërish drejt qendrës. Por ky lloj projekti gati-pedagogjik, me drejtorin që u tregon nxënësve të tij se mësuesi zëvendësues nuk di ta bëjë punën, është i gabuar për disa arsye.

Së pari, jo të gjithë populistët e ekstremit të djathtë kanë ide politikash tepër të thjeshtëzuara apo janë administratorë amatorë. Por edhe në rastet kur ata tregojnë se janë të paaftë, mbështetja mund të ripërtërihet. Kur kancelari makiavelist i kristian-demokratëve të Austrisë, Ëolfgang Schüssel, solli në qeveri Partinë e Lirisë së ekstremit të djathtë të Jörg Haider-it në vitin 2000, populistët u përçanë dhe zbuluan paaftësinë dhe korrupsionin e tyre.

Por pasi u nda dhe lëpiu plagët e saj, Partia e Lirisë shkoi drejt fitores në zgjedhjet evropiane të muajit të kaluar. Për më tepër, duke qenë se sistemi francez e lejon “bashkëjetesën” - kur presidenti dhe kryeministri u përkasin partive kundërshtare  - një parti qeverisëse që duket e paaftë, mund të fajësojë palën tjetër për lidhjen e duarve.

Duke përdorur fuqitë e jashtëzakonshme të presidencës franceze, Macron do të gjejë pa dyshim një rrugëdalje në skenën ndërkombëtare. Por është e hidhur të shohësh sesi vizioni i tij është reduktuar nga një “revolucion” në vitin 2017, “rilindja” në vitin 2022 në atë që është sot.

Macron dyshoi ta transformonte lëvizjen që nisi, në një parti të duhur politike që nuk varet nga një lider karizmatik. Karizma e tij është zhdukur, dhe perspektivat e qendrës për zgjedhjet e vitit 2027, duken vërtet të zymta./Përshtati "Pamfleti" nga “Project Syndicate”

*Shënim: Jan-Werner Mueller, profesor i politikës në Universitetin Princeton, SHBA.

Lini një Përgjigje