
Konferenca e 62-të e Sigurisë në Mynih vijon sot, më 14 shkurt, me një program të përqendruar te sfidat kryesore të sigurisë ndërkombëtare. Liderë politikë dhe drejtues institucionesh globale do të mbajnë fjalime dhe do të marrin pjesë në panele diskutimi mbi zhvillimet aktuale gjeopolitike.
Mes folësve kryesorë janë Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, dhe presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky. Në punimet e konferencës marrin pjesë gjithashtu kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar, Keir Starmer, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, si dhe ministri i Jashtëm i Kinës, ëang Yi.
Marco Rubio dhe ëang Yi do të paraqesin qëndrimet e vendeve të tyre për rolin në arenën ndërkombëtare. Ndërkohë, Volodymyr Zelensky dhe Mark Rutte do të diskutojnë në një panel mbi mënyrat e sigurimit të mbështetjes afatgjatë për Ukrainën.
Keir Starmer dhe Ursula von der Leyen do të zhvillojnë një bisedë mbi përdorimin e ndikimit politik në kushtet e tensioneve globale. Kryeministrat e Danimarkës dhe Finlandës, së bashku me përfaqësues të Spanjës, do të trajtojnë çështjen e forcimit të sigurisë transnacionale.
Në program përfshihet edhe María Corina Machado, figurë e opozitës në Venezuelë dhe fituese e Çmimit Nobel, e cila do të flasë për zhvillimet e fundit në vendin e saj.
Konferenca zhvillohet në hotelin Bayerischer Hof, në Mynih të Gjermanisë. Organizatorët njoftojnë se në këtë edicion marrin pjesë mbi 60 krerë shtetesh dhe qeverish, rreth 50 drejtues organizatash ndërkombëtare dhe përfaqësues nga më shumë se 115 vende.
Në ditën e parë, presidenti francez Emmanuel Macron bëri thirrje për një Evropë më të fuqishme, ndërsa kancelari gjerman Friedrich Merz theksoi se marrëdhëniet mes Evropës dhe Shteteve të Bashkuara po përballen me vështirësi.
Dita e dytë e konferencës pritet të fokusohet te sfidat globale të sigurisë, roli i fuqive të mëdha dhe perspektiva e mbështetjes ndërkombëtare për Ukrainën.
Lini një Përgjigje