TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota 7 Prill 2026, 22:55

"Lajme të mira priten së shpejti", Pakistani negociata intensive për të shmangur sulmin e Trump

Shkruar nga Pamfleti
"Lajme të mira priten së shpejti", Pakistani negociata
Kryeministri pakistanez Shehbaz Sharif

Pakistani ka intensifikuar përpjekjet diplomatike për të shmangur përshkallëzimin e konfliktit në Lindjen e Mesme, duke propozuar një armëpushim dyjavor dhe shtyrjen e ultimatumit të presidentit amerikan Donald Trump ndaj Iranit.

Kryeministri Shehbaz Sharif u bëri thirrje palëve ndërluftuese të pranojnë një ndalesë të përkohshme të armiqësive “për t’i dhënë mundësi diplomacisë të arrijë një përfundim përfundimtar të luftës”. Ai kërkoi gjithashtu që SHBA të shtyjë afatin me dy javë dhe që gjatë kësaj periudhe Irani të rihapë Ngushticën e Hormuzit.

Në një zhvillim që mund të ndryshojë rrjedhën e krizës, një burim rajonal i tha CNN se “priten lajme të mira nga të dyja palët shumë shpejt”, duke shtuar se diskutimet janë drejtuar drejtpërdrejt nga shefi i ushtrisë pakistaneze, Field Marshal Asim Munir. Sipas të njëjtit burim, një marrëveshje mund të mbyllet që sonte.

Shtëpia e Bardhë konfirmoi se presidenti Trump është informuar për propozimin e Pakistanit dhe se një përgjigje pritet, ndërsa vetë Trump deklaroi se SHBA është në “negociata intensive” për konfliktin me Iranin, pa dhënë detaje të mëtejshme.

Jemi në negociata intensive,” tha ai, duke lënë të kuptohet se situata mbetet e hapur dhe në zhvillim të shpejtë.

Pakistani, së bashku me Egjiptin, Turqinë dhe Arabinë Saudite, ka luajtur rol kyç si ndërmjetës mes palëve në javët e fundit. Sipas Sharif, përpjekjet diplomatike “po avancojnë në mënyrë të qëndrueshme, të fortë dhe me potencial për rezultate konkrete në të ardhmen e afërt”.

Zhvillimet vijnë në një moment kritik, vetëm pak orë para skadimit të ultimatumit të SHBA, ndërsa rajoni mbetet në tension maksimal dhe çdo vendim mund të përcaktojë nëse kriza do të zgjidhet përmes diplomacisë apo do të kalojë në një përplasje të hapur ushtarake.

 

pakistan iran

Lini një Përgjigje