TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota 8 Nëntor 2023, 21:47

"La Repubblica": Marrëveshja për refugjatët me Shqipërinë përçan qeverinë italiane

Shkruar nga Pamfleti

"La Repubblica": Marrëveshja për refugjatët me

Marrëveshja Rama-Meloni për të sjellë refugjatët në Shqipëri po përçan qeverinë italiane.

Gazeta “La Repubblica” shkruan se drafti i firmosur të hënën në Romë nuk i ka pëlqyer La Lega të Matteo Salvinit që është pjesë e koalicionit qeverisës.

“Çështja është kjo: rruga diplomatike është në rregull, marrëveshja e Melonit me Shqipërinë është e shkëlqyer. Por Italia duhet të jetë Itali. Duhet marrje e përgjegjësisë. Salvini, kur u bë Ministër i Brendshëm, ndaloi emigracionin e paligjshëm. Ndoshta kjo ka bërë që të tjerët të jenë më të kujdesshëm në këto çështje”, thotë zëvendëssekretari i La Lega, Andrea Crippa i cili ka konfirmuar përplasjet në qeveri.

Ai thotë se akordi me Tiranën “është një lëvizje e mirë e Melonit. Më në fund një vend në kontinentin evropian, që drejtohet nga një socialist, sepse Rama është socialist, po ndihmon Italinë”. Nga pikëpamja thelbësore ai thotë se është një rezultat i shkëlqyer, por a ishin të informuar ministrat?

“Nuk e di nëse ia ka thënë apo jo Piantedosit (ministrit të Brendshëm). Si zëvendëssekretar dhe deputet nuk më është kërkuar të përfshihem. Salvini komentoi dje dhe dukej i kënaqur. Diplomacia është e nevojshme, por, siç ka treguar Salvini, nevojitet edhe një grusht i fortë në lidhje me dëbimin e emigrantëve. Edhe sepse mesazhi që duhet dërguar atje është: mos u largoni, sepse nuk do të mbërrini në Itali.

Nga pikëpamja thelbësore marrëveshja është perfekte, nga pikëpamja strukturore do të ishte e nevojshme që Bashkimi Evropian të bënte siç bëri Shqipëria. Dhe kjo do të thotë që BE duhet të vihet në dispozicion për të ndihmuar Italinë. Nëse një socialist si Rama e bën këtë, ka vende të tjera që mund të japin një dorë më shumë. Nuk e kanë bërë më parë, nuk po e bëjnë tani”, thotë ai.

Ka edhe një detaj tjetër që po shkakton debate në Itali. Kjo pasi marrëveshja me Shqipërinë “nuk do të kalojë në Parlament”. Meloni e nuk e ka konsideruar si një marrëveshje ndërkombëtare, por si amendim të një traktati.

“Ky është një traktat bashkëpunimi i forcimit të bashkëpunimit midis Italisë dhe Shqipërisë për çështjen e imigracionit, i cili tashmë është parashikuar nga marrëveshjet e mëparshme ndërkombëtare të nënshkruara i pari në 1995 dhe tjetri në 2017”, thotë ministri për marrëdhëniet me parlamentin Luca Ciriani.

Opozita e ka reaguar ashpër duke kërkuar që drafti të shkojë në parlament.

“Në Itali marrëveshjet ndërkombëtare kalojnë nga Parlamenti dhe për ne është e papranueshme që kjo të mos kalojë në Parlament. Nuk e bëjnë sepse e dinë që bie ndesh me nenin 10 të Kushtetutës”, thotë Partia Demokratike.

Edhe Giuseppe Conte e ka kritikuar marrëveshjen me Shqipërinë për refugjatët.

la repubblica marreveshje shqiperi itali

Lini një Përgjigje