TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota 6 Mars 2024, 17:48

Kush është Sergej Kiriyenko, njeriu me të cilin Putin dëshiron të destabilizojë Evropën

Shkruar nga Gabriele Carrer

 

Kush është Sergej Kiriyenko, njeriu me të cilin Putin
Sergej Kiriyenko /

Ai jeton sot në Moskë, por shkon rregullisht në Francë dhe drejton blogun Stratpol, i cili “shpërndan analiza politiko-ushtarake që pasqyrojnë propagandën e regjimit rus”. Po ashtu ai merr pjesë në një program në gjuhën frënge që transmetohet nga Russia Today, nënvizon Le Monde...

Një emër shfaqet shpesh në shkëmbimet e informacionit midis shërbimeve sekrete perëndimore: Sergej Kiriyenko. Mbush 62 vjeç më 26 korrik të këtij viti. Ka qenë kryeministri më i ri në historinë e Rusisë (në vitin 1998, nën presidentin Boris Yeltsin).

Ndërsa për 11 vjet (2005-2016) ka drejtuar gjigantit bërthamor Rosatom. Ndërsa që prej vitit  2016 vazhdon të mbajë detyrën e zëvendësshefit të parë të stafit në administratën presidenciale të Vladimir Putin. Një ish-“liberal”, sot ai është krahu i djathtë i udhëheqësit rus, eminenca gri e Kremlinit siç e përshkruan edhe gazeta ruse në gjuhën angleze “Moscow Times”.

Pas fillimit të pushtimit rus të Ukrainës 2 vjet më parë, ai u bë “nënkryetari i Donbass-it” sipas portalit investigativ dhe të pavarur rus Meduza, duke pasur nën përgjegjësi territoret e pushtuara.

Kiriyenko është në listën e personave të sanksionuar nga Shtetet e Bashkuara (së bashku me vëllain e tij, Vladimir Kiriyenko, numri një i mediave sociale ruse VK) që nga viti 2022, dhe nga Bashkimi Evropian dhe Britania e Madhe që nga viti 2020, pas helmimit të kundërshtarit politik të Putinit, Alexei Navalny, që vdiq në një burg të sigurisë së lartë në Siberi më 16 shkurt të këtij viti.

Emri i tij shfaqet edhe në një raport të kohëve të fundit nga Instituti Britanik i Shërbimeve Mbretërore të Bashkuara (RUSI) mbi kërcënimin jokonvencional dhe hibrid rus. Ai drejton Komitetet e Ndikimit të Posaçëm, që janë përgjegjëse për caktimin e detyrave specifike të shërbimeve speciale ndaj vendeve të caktuara dhe për vlerësimin e efekteve të operacioneve”.

Disa dokumente të Kremlinit, të cilat kanë përfunduar në duart e një shërbimi inteligjent perëndimor dhe të analizuara nga Washington Post, tregojnë se Kiriyenko është kreu i operacioneve ruse të informacionit për të nxitur përçarje në Francë përmes mediave sociale dhe figurave politike, analistëve dhe aktivistëve të shoqërisë civile.

Kjo përpjekje e vënë re në Francë, është paralele me ndërhyrje të ngjashme në Gjermani, ku Kremlini u përpoq të bashkonte të djathtën ekstreme dhe ekstremin e majtë në një aleancë kundër luftës në Ukrainë, shpjegon e njëjta gazetë që zbuloi këto përpjekje. Edhe në atë rast truri i operacionit duket të jetë Kiriyenko.

“Qëllimi i Moskës është të dëmtojë mbështetjen për Ukrainën si dhe vendosmërinë e NATO-s”- shkruan gazeta amerikane. Po si? Në të shumtën e kohës duke fajësuar Perëndimin për shkaktimin e luftës. Megjithatë, jo gjithmonë me të njëjtat metoda.

Emri i Kiriyenkos shfaqet gjithashtu në një artikull të gjatë të kohëve të fundit në gazetën franceze “Le Monde” mbi punën e kundër-spiunazhit francez kundër përpjekjeve ruse për të ndikuar në zgjedhjet e ardhshme evropiane në qershor, duke përdorur grupet e ekstremit të djathtë.

Në veçanti përmes Jean-Luc Schaffhauser, ish-deputet që e ndihmoi Frontin Kombëtar të Marine Le Pen të merrte dy kredi, përfshirë njërën nga një bankë ruse në vitin 2014. Kiriyenko “mund të ketë mbikëqyrur operacionin për destabilizimin e zgjedhjeve evropiane” shkruan gazeta franceze. Në mesin e kontakteve të tij franceze është edhe Xavier Moreau, një aktivist pro-rus me nënshtetësi ruse që nga viti 2013.

Ai jeton sot në Moskë, por shkon rregullisht në Francë dhe drejton blogun Stratpol, i cili “shpërndan analiza politiko-ushtarake që pasqyrojnë propagandën e regjimit rus”. Po ashtu ai merr pjesë në një program në gjuhën frënge që transmetohet nga Russia Today, nënvizon Le Monde.

Por emri i Kiriyenkos shfaqet në një investigim të fundit nga France24 për Ilya Gambashidze, i vendosur nën sanksione vitin e kaluar nga Bashkimi Evropian sepse si themelues i Agjencisë Kombëtare të Teknologjive dhe Dizajnit Social, ishte një “lojtar kyç” në fushatën ruse të dezinformimit që synonte Ukrainën dhe disa vende të Evropës Perëndimore. Gambashidze është i përfshirë në gati të gjitha operacionet më të fundit të dezinformimit rus në botë, përfshirë atë të quajtur Doppelganger, i denoncuar së fundmi nga qeveria franceze, i cili përsëriti faqet e internetit të gazetave të njohura për të mashtruar lexuesit dhe përhapur propagandën ruse.

Por sipas France24, niveli i tij nuk është ende barabartë me atë të “Carit” të mëparshëm të trollëve të Kremlinit, Yevgeny Prigozhin, themeluesit të grupit Wagner. Ndër kontaktet e tij në Kremlin është edhe këshilltari Alexander Kharichev. Gjëja më e rëndësishme, sipas Andrey Pertsev gazetarit të portalit Meduza, është se ai është “një shoqërues i udhëtimeve të Kiriyenkos.

Njerëzit, shpjegon Pertsev, i drejtohen Kiriyenkos “për çështje elektorale apo të llojeve të tjera, dhe ai i delegon Kharitchev “detyrën për të gjetur teknologët politikë të duhur”, siç përkufizohen në Rusi ekspertët në manipulimin e informacionit. Dhe në fakt duket se për fushatën Doppelganger, Gambashidze ka punuar edhe me Sofiya Zakharova, e afërt me Kiriyenkon dhe e konsideruar si organizatorja e operacionit.

Duke përshkruar Kiriyenkon dhe rikthimin e tij në skenën politike në tetor dy vjet më parë, France24 shkroi:“Ai pritet të ngarkohet me detyrën e ripërtëritjes së imazhit të Rusisë në skenën ndërkombëtare pasi të përfundojë lufta. Plani përfshin paraqitjen e Rusisë si “kontinenti i lirisë” për figura të tilla si Silvio Berlusconi i Italisë dhe Viktor Orbán i Hungarisë.

Siç u përmend më lart, metodat ruse ndryshojnë në bazë të objektivit. Në fakt, nëse do të duhej të zgjidhnim vetëm një karakteristikë për të përshkruar shërbimet ruse, kjo do të ishte aftësia për të kuptuar objektivin dhe për t’u përshtatur me të.

Nuk është e qartë se cilat janë shënjestrat e Kiriyenkos në Itali. Por disa metoda të përdorura në Francë dhe Gjermani, sugjerojnë se ato ekzistojnë edhe këtu. Ai e njeh mirë Italinë dhe e di shumë mirë se marrëdhënia mes Italisë dhe Rusisë ka qenë gjithmonë e bazuar tek energjia.

Kjo ishte në fakt edhe tema e privilegjuar e aktiviteteve dezinformuese ruse në Itali gjatë zgjedhjeve parlamentare të shtatorit 2022, siç theksohet nga një raport i Këshillit Evropian për Marrëdhëniet me Jashtë (ECFR). Ai e di këtë sepse ishte protagonist i saj.

Ishte viti 2008, kur Silvio Berlusconi si kryeministër, ndodhej në Moskë për të takuar presidentin e atëhershëm rus Dmitri Medvedev dhe për të nënshkruar një marrëveshje që parashikonte ndërtimin në Itali të reaktorëve bërthamorë të gjeneratës së tretë dhe të katërt.

Kiriyenko, president i Rosatom, tha se Italia përballej me “sfidën e rikthimit në një pozicion udhëheqës në industrinë e energjisë bërthamore në Evropë”, siç kujtojnë Jacopo Iacoboni dhe Gianluca Paoluçi në librin “Oligarkët”.

Sot nga AISI, kundërspiunazhit italian, “ka një aktivitet të vazhdueshëm” sa i përket dezinformatave, përfshirë ato që vijnë nga Rusia, siç shpjegoi këtë javë edhe drejtori i saj Mario Parente në prezantimin e raportit vjetor të inteligjencës. Por kjo edhe sepse po afrojnë zgjedhjet evropiane.

Gjatë vitit të kaluar, viti i dytë i luftës në Ukrainë, “aparati i informacionit i lidhur me Kremlinin vazhdoi të funksiononte brenda fushës së luftës informative për të dobësuar kohezionin brenda Evropës dhe besimin e qytetarëve” tek institucionet kombëtare apo Bashkimi Evropian dhe NATO thuhet më tej në raport.

Pasi Bashkimi Evropian vendosi bllokimin e aktiviteteve të mediave ruse, si Russia Today dhe Sputnik ndaj shteteve anëtare dhe nisi të zbatojë politika më të rrepta kundër dezinformimit dhe propagandës nga Rusia, “kjo e fundit ishte në gjendje mbështetej tek rrjetet mediatike të vendeve të treta për të promovuar narrativat e saj, duke e zgjeruar kapacitetin e tyre koordinues në nivel ndërkombëtar”, shpjegon shërbimi sekret italian./Përshtati Pamfleti nga “Formiche.net”

sergej kiriyenko vladimir putin evropa destabilizimi i kontinentit

Lini një Përgjigje