E përbashkëta e të gjitha këtyre situatave të ndryshme sot në botë, është se në një demokraci, vullneti i popullit nuk është dhe nuk duhet të jetë absolut dhe i pakufizuar nga ligji...
Vullneti i popullit i shprehur përmes zgjedhjeve të lira, dhe shteti ligjor i mbështetur nga gjykatat e pavarura, janë dy nga shtyllat e një demokracie liberale. Ose të paktën kështu
na mësuan dikur në shkollë. Megjithatë, këto dy parime thelbësore vazhdojnë të përplasen me njëra- tjetrën në shoqëritë e sotme gjithnjë e më të polarizuara, nga Uashingtoni në Londër, nga Parisi në Berlin dhe nga Varshava në Jerusalem.
Politikanët populistë po kërkojnë që “vullneti i popullit” të kapërcejë kushtetutën, traktatet apo parimin e ndarjes së pushteteve. Për shëndetin afatgjatë të demokracisë, është jetike që
në këtë garë të dominojë gjyqësori. Sepse nëse politikanët do jenë në gjendje të thyejnë ose përkulin parimet ligjore themelore për t’iu përshtatur humorit të momentit, do jetë në rrezik e ardhmja e lirisë dhe e të drejtave të njeriut.
Në Shtetet e Bashkuara, Gjykata e Lartë do të vendosë së shpejti nëse Donald Trump duhet të lejohet apo jo që të kandidojë sërish për president, pasi inkurajoi dhe miratoi sulmin ndaj Kapitolit nga mbështetësit e tij më 6 janar 2021 në një përpjekje të dhunshme për ta penguar Kongresin të çertifikonte zgjedhjen e Joe Biden si pasardhësin e tij.
Dy shtete, Colorado dhe Maine, e kanë penguar të jetë në fletën e votimit. Amendamenti i 14-të i Kushtetutës së SHBA-së, i miratuar menjëherë pas Luftës Civile, thotë se asnjë person nuk do të “mbajë asnjë post, civil apo ushtarak në Shtetet e Bashkuara, pasi është betuar për ta mbështetur Kushtetutën e Shteteve të Bashkuara, dhe ndërkohë përfshihet në kryengritje ose rebelim kundër vendit apo i ndihmon armiqtë e tij”.
Nëse gjykata e zbaton kushtetutën fjalë për fjalë, është e vështirë se si ajo mund ta lejojë Trumpin të garojë në zgjedhjet e nëntorit, edhe nëse ai mund të mos shpallet fajtor nga një gjykatë për akuzën e rebelimit.
Por nga ana tjetër, mohimi i shansit ndaj kandidatit favorit për nominimin nga Partia Republikane për të rihyrë në Shtëpinë e Bardhë, do të ndizte një valë të re zemërimi midis mbështetësve të tij, dhe ndoshta një ndjenjë më të gjerë të mohimit të rregullave të demokracisë.
Edhe disa që urrejnë Trumpin, pretendojnë se do të ishte një lëvizje më e mençur që ai të mposhtet në zgjedhje, sesa të pengohet nga gjyqtarët që të kandidojë për postin e presidentit. Fakti që Gjykata e Lartë dominohet nga gjyqtarë konservatorë të emëruar nga Trump dhe paraardhësit e tij republikanë, mund të mos mjaftojë për të bindur miliona amerikanë se atyre u është grabitur vota e lirë.
E njëjta çështje është ngritur vazhdimisht në Britaninë e Madhe, ku Gjykata e Lartë vendosi në vitin 2016 se edhe pas referendumit të Brexit, qeveria duhet të kërkonte ende miratimin e parlamentit për të njoftuar qëllimin e Britanisë për t’u larguar nga Bashkimi Evropian.
Në atë kohë gazeta “Daily Mail” i quajti gjyqtarët “armiq të popullit”.
Në vitin 2019, Gjykata e Lartë anuloi vendimin e Boris Johnson për pezullimin e parlamentit, dhe më së afërmi vendosi njëzëri se Ruanda nuk është një vend i sigurt për të dërguar atje njerëzit që kërkojnë azil në Britani.
Në çdo rast, politikanët populistë kanë denoncuar atë që ata e quajnë “sundim të gjyqtarëve”, dhe janë zotuar të gjejnë mënyra për të kufizuar kompetencat e tyre. Natyrisht, është politikisht e papërshtatshme kur gjyqtarët i thonë një qeverie apo një parlamenti, se apo vepron në mënyrë të paligjshme apo jo kushtetuese.
Por është një garanci thelbësore e demokracisë sonë, që ato vendime të respektohen dhe zbatohen me besnikëri. Ndërsa Britanisë së Madhe i mungon një kushtetutë e shkruar, dhe qeveriset nga një përzierje ligjesh dhe konventash joformale, gjykatat e saj janë të detyruara të mbështesin Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut, në të cilën Mbretëria e Bashkuar është një nënshkruese themeltare, dhe korpusin ligjor të Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut, e cila rrjedh prej saj.
Në Francë, Këshilli Kushtetues rrëzoi javën e kaluar pjesët kryesore të një ligji mbi migracionin, të miratuar nga parlamenti muajin e kaluar. Ai anuloi më shumë se 1/3 e masave, përfshirë dispozitat që do ta detyronin parlamentin të vendosë kuota vjetore mbi migracionin, duke ligjëruar diskriminimin midis shtetasve francezë dhe të huajve, si dhe midis të huajve që punojnë dhe atyre të papunë në raport me të drejtën për përfitime sociale.
Po ashtu, ky ligj i mohon shtetësinë automatike fëmijëve të shtetasve të huaj të lindur në Francë.
Emmanuel Macron e referoi ligjin në Këshill, sapo opozita konservatore detyroi qeverinë e tij të pakicës të pranonte një ashpërsim të projektligjit fillestar, duke ngritur akuza për hipokrizi, pasi partia e tij votoi për projektligjin, duke e ditur se disa pjesë të tij kishte të ngjarë të cilësoheshin si antikushtetuese.
Sikurse edhe pritej, vendimi i Këshillit u denoncua nga republikanët konservatorë dhe Tubimi Kombëtar i të djathtës ekstreme të Marine Le Pen si një “grusht i gjyqësorit” kundër vullnetit të parlamentit dhe popullit. Ata kërkuan ndryshimin e kushtetutës për të lejuar një referendum mbi kuotat vjetore të migracionit.
Por ndryshimi i kushtetutës, është një proces i gjatë që kërkon nga të dyja dhomat e parlamentit të miratojnë formulime identike. Më pas një shumicë prej 3/5 në një mbledhje speciale të të dyja dhomave.
Në Gjermani, Gjykata Kushtetuese federale vendosi vitin e kaluar se ishte jo kushtetuese përpjekja e qeverisë për të devijuar paratë e mbetura nga fondi special për rikuperimin nga pasojat e Covid-19, tek investimet në tranzicionin drejt energjisë së gjelbër.
Vendimi e ka lënë kancelarin, Olaf Scholz, me një vrimë të madhe në buxhetin e tij, të cilin qeveria po përpiqet ta mbushë.
Vendimi i gjykatës, ka nxitur fillimet e një debati të arsyeshëm mbi ndryshimin e një frenimi kushtetues të borxhit, të miratuar gjatë krizës financiare globale të vitit 2009, që kufizon ashpër deficitet buxhetore, përveçse në kohë emergjence.
Deri tani askush në Gjermani nuk e ka cilësuar gjyqësorin si “armik të popullit” ose nuk
ka kërkuar ndëshkimin e tyre.
Në Izrael, një përpjekje e qeverisë së djathtë të Benjamin Netanyahut për të kufizuar të drejtën e Gjykatës së Lartë për të interpretuar dhe anuluar vendimet dhe emërimet e qeverisë, apo për të rrëzuar ligjet e miratuar nga vetëm njëra dhomë e parlamentit, shkaktoi disa muaj protesta në rrugë vitin e kaluar.
Netanyahu, që është në gjyq me akuzat për korrupsion dhe që po synon të ushtrojë kontroll politik mbi emërimet në gjyqësor, argumentoi se vullneti i popullit duhet të mbizotërojë mbi një sistem gjyqësor të pazgjedhur me votë. Anëtarët e ekstremit të djathtë të qeverisë së tij, pretendojnë se ligji fetar hebre, duhet ta mbizotërojë ndaj ligjit themeltar të shtetit.
Këtë muaj, Gjykata e Lartë rrëzoi një ligj që do ta kishte penguar atë të përdorte parimin e “arsyeshmërisë” për të shfuqizuar vendimet e qeverisë. Në Poloni, një qeveri nacionaliste e zgjedhur në mënyrë demokratike, e sfidoi BE-në duke çmontuar pavarësinë e gjyqësorit ne vend, dhe duke mbushur Gjykatën Kushtetuese dhe zyrat e prokurorive me besnikë e saj.
Po ashtu, ajo krijoi një organ të kontrolluar politikisht për të disiplinuar gjyqtarët për vendimet e tyre.
Tani një qeveri pro-evropiane, po përpiqet që të riparojë dëmin e shkaktuar nga paraardhësit e saj. Por edhe ajo po përballet me akuza për shkelje të vetë shtetit të së drejtës duke injoruar vendimet e gjykatës. E përbashkëta e të gjitha këtyre situatave të ndryshme, është se në një demokraci, vullneti i popullit nuk është dhe nuk duhet të jetë absolut dhe i pakufizuar nga ligji. / Përshtati Pamfleti nga “The Guardian”
Shënim: Paul Taylor, anëtar i grupit kërkimor “Friend of Europe” (Miqtë e Evropës).
Lini një Përgjigje