TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota16 Dhjetor 2025, 20:48

Kur gabon mjekësia: Libri që po sfidon siguritë e shkencës

Shkruar nga Pamfleti
Kur gabon mjekësia: Libri që po sfidon siguritë e shkencës
Marti Makari

Ishte një premtim, më saktë një pakt: këshillat dhe praktikat e lindura nga provat shkencore, do ta përmirësojnë shëndetin tonë.

Udhëzime të gabuara, dogma të paprekshme dhe interesa ekonomike: Libri i ri i Marti Makari, po e trondit mjekësinë moderne dhe ka rihapur debatin mbi gabimet sistematike të mjekëve, besimin e tradhtuar dhe shëndetin publik.

Ishte një premtim, më saktë një pakt: këshillat dhe praktikat e lindura nga provat shkencore, do ta përmirësojnë shëndetin tonë.

Mjekësia moderne mbështetet në këtë shtyllë, tek një lidhje besimi midis shkencës dhe publikut, bazuar në kërkime dhe udhëzime, që janë fryt i viteve të studimit, provave dhe rishikimeve.

Por ndonjëherë, pas etiketave të sigurisë absolute, fshihen vendime të marra me nxitim, prova të brishta dhe interesa ekonomike. “Po sikur në përpjekjen e saj për të na mbrojtur, mjekësia të ketë marrë ndonjëherë rrugën e gabuar?”.

Është një pyetje shqetësuese, sepse depërton në zemër të paktit tonë, dhe shpërfillja e saj si përçartjet e komplotistit të zakonshëm anti-shkencë, do të ishte e papërshtatshme. Sepse personi që e ngre këtë pyetje, është një nga shkencëtarët më të rëndësishëm në botë.

Libri që po e bën mjekësinë të dridhet

Marti Makari, ish-onkolog kirurgjik në Shkollën e Mjekësisë Xhon Hopkins dhe komisioner i FDA-së në SHBA që nga marsi i këtij viti, po zgjon ndërgjegjet tona të përgjumura me librin e tij të fundit, “Kur gabon mjekësia”, disa javë më parë.

Ku libër na detyron të matim distancën midis autoritetit të këshillave mjekësore dhe brishtësisë së të dhënave, dhe të përballemi me një realitet të pakëndshëm: shumë vendime për kujdesin shëndetësor, lindin nga interesat lobuese ose gabimet metodologjike, të cilat më vonë ngrihen në të vërteta të padiskutueshme.

Herë pas here, institucionet dhe mjekësia e organizuar i kanë mbyllur gojën zërave kundërshtues të mjekëve të kualifikuar, duke krijuar iluzionin e konsensusit. Por ky qëndrim, ka një kosto shumë të lartë: hesht zërat e pionierëve në këtë fushë, e ngadalëson korrigjimin e gabimeve dhe e dëmton besimin e publikut tek sistemi shëndetësor”- thekson Makari

Një “përçarës” i shkencës

Kujdes: shkencëtari amerikan nuk është një armik i shkencës. Ai njihet në SHBA si një “përçarës”, një novator që nuk ka frikë të shkojë kundër rendit të vendosur për të krijuar gjëra të reja. Në fillim të karrierës së tij, nisi të krijonte një listë kontrolli - të modeluar sipas asaj të pilotëve të avionëve - për të përmirësuar sigurinë e procedurave kirurgjikale, sepse “thjeshtësia në mjekësi, është shpesh forma më e lartë e inovacionit”.

Pastaj këto protokolle më pas u përhapën. Ai paralajmëroi mbi përdorimin e tepërt të antibiotikëve, shumë kohë para se problemi i rezistencës ndaj antibiotikëve të bëhej një emergjencë globale siç është sot.

Debati që e ndan botën mjekësore

Për këtë arsye, libri i tij po e monopolizon debatin mjekësor në të gjithë botën. “Paradoksi është si metodologjik ashtu edhe kulturor”- thotë për Panorama.it Daniele Koen, anëtar i bordit të drejtorëve të Akademisë së Mjekësisë dhe Kujdesit të Emergjencës.

“Mjekësia fiton besueshmëri edhe duke pranuar kufizimet e saj, sepse kështu përparon dija. Nëse nuk përparon, dhe Marti Makari ka të drejtë për këtë, kjo e dëmton marrëdhënien e besimit me publikun. Unë do të shtoja se shpesh mjekët mendojnë në terma cilësorë dhe jo sasiorë: është mirë ose është keq, është e zezë ose e bardhë”- shton ajo.

Por në realitet, gjërat janë më të nuancuara: të luash me numrat, është një nga mënyrat më të lehta për t’i dhënë peshë rezultateve të hulumtimit tënd, dhe studimet përdorin shpesh përqindje relative në vend të atyre absolute të përmirësimit.

Nëse them që trajtimi me rreze X e zvogëlon me 25 për qind vdekshmërinë gjatë një periudhe 5-vjeçare nga diagonistikimi - një shifër relative - kjo do të thotë që nëse vdekshmëria në mungesë të trajtimit dhe në terma absolutë është 4 për qind, dhe me trajtimin do të bjerë me vetëm 1 për qind”- vazhdon Koen.

Pra në vend që të keni një shans 96 nga 100 për të mos vdekur, do të keni një shans 97 për qind. “Diçka pozitive, por sigurisht jo shumë emocionuese”- thotë eksperti.

Gabime që kushtojnë jetë

Gjithashtu edhe sepse pasojat afatgjata të këtij konfuzioni metodologjik mund të jenë destabilizuese. Makari citon një vlerësim se afro 140.000 gra vdiqën para kohe në SHBA gjatë 20 viteve, sepse nuk iu drejtuan terapisë zëvendësuese të hormoneve dhe kështu zhvilluan sëmundje të lidhura me menopauzën.

Nga këtu buron edhe kritika e tij e ashpër ndaj gjinekologëve dhe mjekëve të kujdesit parësor të cilët për dekada nuk e rekomanduan atë. “T’u thuash grave të shmangin terapinë zëvendësuese të hormoneve sepse shkakton kancer të gjirit, mund të ketë qenë gabimi më i madh i mjekësisë moderne. Megjithatë, në mënyrë të pashpjegueshme, kjo dogmë ekziston ende”- shkruan shkencëtari, i cili tani ka ndërmarrë hapa për ta korrigjuar këtë si një nga komisionerët e FDA-së.

Po apendiciti? Pavarësisht 3 studimeve të rastësishme, që tregojnë se 75 për qind e pacientëve nuk kanë nevojë për ndërhyrje kirurgjikale, problemi mund të kontrollohet me antibiotikë sot, thotë Makari “vetëm gjysma e kirurgëve e kanë përfshirë këtë qasje në praktikën e tyre, ndërsa gjysma tjetër vazhdon të operojë të gjithë pacientët”. Kjo do të thotë që në SHBA, nëse përfundoni nën bisturi ose jo për një apendicit, kjo varet nga kush është në detyrë kur hyni në sallën e urgjencës.

Udhëzimet: Mjete apo dogma

Por çfarë fshihet pas këtyre gabimeve sistematike? Autori identifikon nivele të shumëfishta përgjegjësie: përzgjedhja e provave, proceset e rishikimit që i nënshtrohen narrativave dominuese, presionet ekonomike dhe institucionale dhe komisionet që rrallë i shqyrtojnë rekomandimet me të njëjtin rigorozitet që i kanë shpallur ato.

Rezultati është një strukturë që vlerëson sigurinë institucionale mbi vetë-korrigjimin.

Dhe pikërisht mbi udhëzimet ne na duhet qartësi.

Ato janë një mjet mbështetës për një vendimmarrje, e cila duhet të përshtatet rast pas rasti”- thotë Davide Kapodanno, profesor i Kardiologjisë në Universitetin e Katanias.

Ato janë rezultat i një procesi rigoroz, por duhet të përditësohen vazhdimisht, sepse shkenca evoluon. Pranimi i kufizimeve nuk e dobëson mjekësinë: përkundrazi, tregon se është një sistem i gjallë”- thekson ai.

Nga pandemia tek kostoja e dogmave

Natyrisht, kur flasim për një shkelje të besimit, mendimet rikthehen tek pandemia Covid-19, me udhëzimet e saj kontradiktore, ndalimet, ndryshimet e qasjes në lidhje me vaksinat dhe komunikimin jo të duhur që ka lënë pasoja të thella.

Makari rrëfen një episod personal: ndalimin e pjesëmarrjes në një konferencë, sepse nuk ishte “i përditësuar” me vaksinimet, pavarësisht se kishte marrë dhe tashmë dy doza dhe ishte infektuar me virusin. Lidhur me temën e vaksinave, konfuzioni, veçanërisht rreth AstraZeneca,  ka krijuar një valë të gjatë skepticizmi, që tani reflektohet edhe në rënien e vaksinimeve kundër gripit.

Pastaj eksperti hedh dritë mbi diskriminimin gjinor, duke përmendur rastin e dr.Liza Litman nga Universiteti Braun, e cila u pushua nga puna pas një studimi që sfidoi narrativën mbizotëruese. “Cili ishte krimi i saj? Publikimi i rezultateve që nuk u pëlqenin titullarëve”- Makari.

Rindërtimi i besimit

“Një nga problemet e mëdha sot në mjekësi, është se mjekëve u është ngulitur në tru mentaliteti i  delegimit të punëve”- thotë Guido Bertolini i spitalit “Mario Negri” në Itali. “Ne e kemi humbur aftësinë për të ditur: nuk mjafton të dish, duhet edhe të dish se si ta menaxhosh dijen”- nënvizon ai.

Autonomia, pranimi i gabimit dhe transparenca bëhen kësisoj fjalët kyçe për rindërtimin e paktit të humbur. “Nëse përpiqemi që t’ua mbyllim derën të gjitha gabimeve, e vërteta do të mbetet jashtë”- thotë Karlo Maria Petrini, drejtor i Njësisë së Bioetikës në Institutin e Lartë të Shëndetësisë.

Komunikimi i ndryshimit dhe autokritikës promovon tek publiku besueshmërinë e shkencës”- shton ai. Prandaj mjekët duhet të rikthehen pranë shtratit të pacientit, me përulësi dhe kompetencë. Dhe ta pranojnë se kanë gabuar. Sepse gabimi nuk është një disfatë për shkencën: është rrahja e “zemrës” së saj.

Dhe çmimi i dogmës, siç duhet ta kishim kuptuar deri tani, paguhet gjithmonë me jetë njerëzore./ Përshtati "Pamfleti"

 

 

marti makari shkenca mjekesia

Lini një Përgjigje