
Zbulohet fytyra e vërtetë e fushatës ushtarake amerikane në Karaibe dhe Amerikën Latine: jo luftë kundër drogës, por një tjetër përpjekje për ndryshim regjimi.
Shefja e stafit të Shtëpisë së Bardhë, Susie Wiles, ka pohuar se bombardimet e ushtrisë amerikane ndaj varkave të dyshuara për trafik droge janë në fakt pjesë e një strategjie për të rrëzuar presidentin e Venezuelës, Nicolas Maduro.
Në një intervistë të publikuar nga revista Vanity Fair, Wiles është cituar të ketë thënë: “Ai (Trump) do të vazhdojë t’i shpërthejë ato varka derisa Maduro të dorëzohet. Dhe njerëz shumë më të zgjuar se unë thonë se do të ndodhë.”
Kjo deklaratë bie ndesh me narrativën zyrtare të administratës Trump, e cila e ka justifikuar ndërhyrjen si pjesë të “luftës kundër drogës”.
Komentet e Wiles kanë shkaktuar reagime të forta në Uashington. Senatori demokrat Chris Murphy, shkroi në rrjetin X: “Pra nuk është luftë ndaj karteleve. Është ndryshim regjimi. Në të dy rastet, kjo është totalisht e paligjshme dhe absurde”.
Ndërkohë, vetë Pentagoni njoftoi se vetëm këtë javë ka kryer tre sulme të tjera në Oqeanin Paqësor Lindor, ku u raportua vdekja e tetë personave. Që prej nisjes së fushatës, janë vrarë mbi 90 persona, shumica në ujëra ndërkombëtare, çka ngre shqetësime për shkelje të ligjit ndërkombëtar dhe ekzekutime jashtëgjyqësore.
Tensionet mes SHBA-së dhe Venezuelës janë rritur ndjeshëm muajt e fundit. Javën e kaluar, forcat amerikane kapën një cisternë nafte pranë brigjeve të Venezuelës, duke shkaktuar reagim të ashpër nga qeveria e Caracasit, e cila e cilësoi aktin si “pirateri ndërkombëtare”.
Ndërkohë, Trump vazhdon t’i referohet Maduros si një “narkodiktator” dhe ka deklaruar se “ditët e tij janë të numëruara”.
Ironikisht, Trump pak javë më parë fali ish-presidentin e Hondurasit, Juan Orlando Hernandez, një aleat i djathtë i dënuar për trafik ndërkombëtar droge.
Lini një Përgjigje