Në vend që të përdorin procesin tradicional të politikëbërjes, qeveritë e huaja po angazhohen me një numër të vogël të dërguarish që duket se kanë ndikim te presidenti Donald Trump...
Brian Mast, kongresmeni republikan, distrikti i të cilit kufizohet me rezidencën e dytë jozyrtare të Donald Trumpit në Floridën jugore, ka një tavolinë të madhe druri për konferenca në zyrën e tij në Uashington, të cilën e mban vazhdimisht të mbushur me shishe të vogla uji për vizitorët. Të ftuarit mbërrijnë çdo ditë nga ambasadat përreth Uashingtonit dhe nga kryeqytete anembanë botës. Një ditë më parë kishin qenë përfaqësues nga Nigeria, Turqia, Azerbajxhani, Tajvani dhe dy vende të tjera që ai nuk i kujton.
Por të gjithë vijnë të përgatitur për t’i treguar Amerikës se çfarë kanë për të ofruar, thotë Mast, i cili kryeson Komisionin për Punë të Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve.
Nëse transaksionalizmi është një nga temat përcaktuese të politikës së jashtme të mandatit të dytë të Trumpit, duke mos pyetur se çfarë mund të bëjë Uashingtoni për një vend të huaj, por çfarë mund të bëjnë vendet e huaja për Uashingtonin, karakteristika tjetër kryesore është roli i të dërguarit.
“Politika e bazuar te personaliteti” ka zëvendësuar proceset dhe institucionet që për dekada kanë mbështetur politikëbërjen e jashtme të SHBA-së. Në vend të Departamentit të Shtetit, është zhvilluesi i pasurive të paluajtshme Steve Witkoff, mik i hershëm dhe partner biznesi i presidentit, i kthyer në të dërguar special për “negociatat e paqes”, ai që lëviz mes Moskës, Riadit, Jerusalemit dhe më gjerë në shërbim të marrëveshjeve.
Në krah të tij është Jared Kushner, dhëndri i Trumpit, kapitalist sipërmarrës, i cili nuk ka një titull zyrtar qeveritar, por që, mes marrëveshjeve të tij të biznesit me monarkitë e Gjirit, ka gjetur kohë të luajë një rol udhëheqës në bisedimet e paqes për Lindjen e Mesme dhe Ukrainën në emër të SHBA-së.
Tom Barrack, njeriu i besuar i Trumpit dhe donator i hershëm i fushatës së tij, shërben si ambasador në Turqi dhe, më konkretisht, si ndërmjetës joformal për paqen në Siri dhe Liban. Massad Boulos, vjehrri libanezo-amerikan i vajzës së Trumpit, Tiffany, ka ndërtuar prej kohësh një perandori biznesi në Afrikën Perëndimore. Siç pritej, ai shërben gjithashtu si i dërguari i Trumpit për Afrikën.
Kanalet tradicionale të këshillimit dhe mbikëqyrjes, si dhe “hierarkia e angazhimeve politike” që dikur rregullonin këtë fushë, janë zhdukur, thotë një ish-zyrtar amerikan që ka shërbyer në disa administrata, përfshirë edhe këtë. Me to kanë ikur edhe ekspertiza tematike dhe përvoja e dekadave të diplomacisë së praktikuar.
Çdo administratë ka pasur të dërguarit e saj, përfshirë individë që ushtronin pushtet në dukje joproporcional me rolin e tyre ose që shpërfillnin pjesërisht strukturat. Por edhe atëherë, vërejnë nëpunësit publikë veteranë, agjencitë funksiononin.
Sot, në një mjedis ku, sipas Shoqatës Amerikane të Shërbimit të Jashtëm, “kapaciteti diplomatik i Amerikës po shkatërrohet nga brenda”, nuk ka askënd që ta mbajë sistemin nën kontroll.
Duke shkurtuar burimet e Departamentit të Shtetit, duke lënë mënjanë shumë nga stafi i tij i lartë dhe duke i zëvendësuar ata me një grusht manjatësh biznesi dhe këshilltarësh për të zbatuar axhendën e SHBA-së jashtë vendit, Trump ka ndryshuar rrënjësisht mënyrën e zhvillimit të politikës së jashtme në Uashington, thonë zyrtarë karriere, diplomatë të huaj dhe ligjvënës.
Për shumë aleatë tradicionalë, të mësuar me kanalet klasike të diplomacisë, gjetja e rrugës së aksesit në administratë ka qenë një sfidë serioze. Me Korenë e Jugut, për shembull, negociatorët u detyruan më herët këtë vit të bënin udhëtime të përsëritura 30-orëshe vajtje-ardhje drejt Uashingtonit, ndonjëherë dy herë në javë, për t’ia paraqitur çështjen e tyre drejtpërdrejt Trumpit.
Gjithçka është e kushtëzuar nga Trumpi. Asgjë nuk jepet nëse nuk “vë lëkurën në lojë”.
Për më tepër, rrethi i njerëzve që kanë akses të drejtpërdrejtë dhe besimin për të folur në emër të Trumpit është jashtëzakonisht i vogël.
“Ka mijëra njerëz që pretendojnë se janë pëshpëritës të Trumpit këto ditë”, thotë një zyrtar evropian.
Presidenti i Argjentinës, Javier Milei, ka ndërtuar lidhje me rrethin e ngushtë të Trumpit përmes pelegrinazheve vjetore në Konferencën e Veprimit Politik Konservator (CPAC), një lloj “MAGA Woodstock”. Ai madje kërceu me nusen e Trumpit, Lara Trump, në edicionin e CPAC-it në Buenos Aires.
Por përputhja e tyre politike për botën u përforcua nga lidhje personale, përfshirë ato mes zëvendësministrit të ekonomisë së Mileit, José Luis Daza, dhe sekretarit amerikan të Thesarit, Scott Bessent.
Trump ka mohuar çdo përzierje mes interesave të tij personale të biznesit dhe rolit të tij si udhëheqës i botës së lirë, ndonëse nga retorika e tij shpesh është e paqartë se ku mbarojnë interesat e Amerikës dhe ku fillojnë ato personale.
Në Zvicër, raportet se drejtues biznesesh i dhuruan bibliotekës presidenciale të Trumpit një orë Rolex dhe një shufër ari të gdhendur personalisht shkaktuan shqetësim. Megjithatë, gjesti duket se uli tarifat e kërcënuara nga 39% në 15%.
Në këtë epokë të re të diplomacisë amerikane, oferta në momentin e duhur është thelbësore. Kur disa presidentë afrikanë siguruan një audiencë të përbashkët me Trumpin në Shtëpinë e Bardhë në korrik, secili prej tyre shfrytëzoi rastin për t’i prezantuar rezervat fitimprurëse minerale të vendit të vet.
Pakistani ka qenë veçanërisht i suksesshëm në këtë lojë. Një grup biznesmenësh me prejardhje pakistaneze, me bazë në SHBA dhe në Gjirin Persik, po shfrytëzojnë lidhjet me familjen Trump dhe me Witkoff për të ofruar marrëveshje mbi minerale kritike dhe kriptovaluta.
Administrata argumenton se natyra transaksionale e Trumpit është në dobi të popullit amerikan. Kritikët e tij kundërshtojnë duke thënë se ai ka anashkaluar pjesën më të madhe të procesit institucional për të ndërthurur më lehtë interesat e tij të biznesit me politikën e jashtme. Edhe disa nga kundërshtarët e Uashingtonit nuk mund të mos admirojnë atë që e shohin si një “kulturë oborrtare” të Uashingtonit të Trumpit.
Ndërsa shumë aleatë evropianë e konsiderojnë këtë servilizëm poshtërues, shumica janë përkulur, duke e pranuar si një strategji kritike në një epokë jokonvencionale.
Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, habiti shumëkënd në qershor kur, në një moment kur Evropa mezi priste të mbante Trumpin të angazhuar në mbrojtjen e Ukrainës, e quajti atë “baba” gjatë një konference të përbashkët për shtyp.
Ata që kanë ofruar shumë pak ose kanë hezituar të japin lëvdata janë përballur me pasoja të padëshiruara. Refuzimi i autoriteteve braziliane për të hequr akuzat federale për grusht shteti ndaj ish-presidentit Jair Bolsonaro e shtyu Trumpin të vendoste tarifa prej 50%. Më pas, Brazili negocioi heqjen e disa prej tyre, pjesërisht duke kërkuar ndihmë lobimi nga bizneset amerikane. Mbështetësit e Trumpit nuk kërkojnë falje, përkundrazi, disa shprehen të kënaqur me këtë qasje të ashpër ndaj partnerëve të vjetër.
Prandaj, zyrtarët e huaj që kërkojnë një marrëdhënie më të mirë me SHBA-në mund të kenë nevojë të marrin në konsideratë oferta që më parë as nuk kanë qenë në tryezë./Përshtati "Pamfleti" nga "Financial Times"
Lini një Përgjigje