
Data e varrimit të Papës do të vendoset nesër nga Kongregacioni i Kardinalëve dhe - siç parashikohet nga teksti liturgjik - duhet të bëhet midis ditës së katërt dhe të gjashtë pas vdekjes së tij. Pra, midis të premtes dhe të dielës.
Këtë e bëri të ditur Zyra e Shtypit e Vatikanit, duke sqaruar gjithashtu se sot vulat do të vendosen si në Santa Marta, ashtu edhe në katin e tretë të Pallatit Apostolik ku mbahet Angelus.
Të Dielën e Pashkëve, Papa Françesku u shfaq në ballkonin e Bazilikës së Shën Pjetrit për të uruar besimtarët për festën e Pashkëve. Por për shkak të gjendjes së tij të rënduar shëndetësore, mesazhin e lexoi Imzot Diego Ravelli. Pasi bekoi të pranishmit Ati i Shenjtë përsëriti thirrjen e tij për një armëpushim në Gaza dhe dënoi konfliktin.
Jorge Mario Bergoglio lindi në Buenos Aires të Argjentinës më 17 Dhjetor të vitit 1936. Ai ishte papa i parë nga Amerika e Jugut dhe njëkohësisht i pari papë Jezuit.
Papa, i cili ishte peshkop i Romës dhe kreu i Kishës Katolike, u bë Papë në vitin 2013 pasi paraardhësi i tij Benedikti XVI dha dorëheqjen. Vitet e fundit, papati i tij ishte shënuar nga disa vizita spitalore dhe shqetësime për shëndetin e tij.
Lini një Përgjigje