Aktivisti tajvanez i pavarësisë Lai Ching-te, është fituesi i zgjedhjeve presidenciale të mbajtura sot në Tajvan. Gjatë festimeve për fitoren zgjedhore ai i bëri të qarta disa pika kundër Kinës, të cilat i paraqiti si “autoritare” dhe akuzoi Pekinin për "përpjekje për të ndikuar në rezultatin e zgjedhjeve".
"Tajvani është Tajvani i Kinës. Pavarësia e Tajvanit është e papajtueshme me paqen në ngushticën e Tajvanit dhe është kundër interesave dhe lumturisë së popullit tajvanez", iu përgjigj Pekini deklaratave të presidentit të sapozgjedhur.
Lai Ching-te, fituesi i zgjedhjeve presidenciale të sotme në Tajvan, pohoi se, me fitoren e tij, ai tani hap "një kapitull të ri" për demokracinë e ishullit vetëqeverisës prej 23 milionë banorësh, sovraniteti i të cilit pretendohet nga Pekini.
"Dua të falënderoj popullin e Tajvanit për shkrimin e një kapitulli të ri në historinë e demokracisë sonë. Ne po i themi komunitetit ndërkombëtar se, midis demokracisë dhe autoritarizmit, ne do të jemi në anën e demokracisë", tha presidenti i ri gjatë fjalimit të tij triumfues.
Lai theksoi se votuesit i rezistuan me sukses përpjekjeve të forcave të jashtme për të ndikuar në këto zgjedhje, duke fajësuar Pekinin, i cili e kishte kundërshtuar atë dhe e përshkroi atë si një “rrezik serioz" për shkak të pozicioneve të tij pro pavarësisë së Tajvanit .
"Falë veprimit tonë, populli i Tajvanit i ka rezistuar me sukses përpjekjeve të forcave të jashtme për të ndikuar në këto zgjedhje", u tha ai mbështetësve të tij, duke theksuar se "vetëm populli i Tajvanit ka të drejtë të zgjedhë presidentin e tij".
Kritika ndaj Pekinit por edhe aludime për ruajtjen e ekuilibrit
Në vazhdim, Lai u zotua të mbrojë Tajvanin nga kërcënimet dhe frikësimet e Kinës.
"Ne jemi të vendosur të mbrojmë Tajvanin nga kërcënimet dhe frikësimet e vazhdueshme të Kinës", tha ai, duke theksuar megjithatë se në të njëjtën kohë shkëmbimet dhe bashkëpunimi me Kinën do të vazhdojnë, ndërsa përsëriti dëshirën e tij që bisedimet me Pekinin të kryhen mbi bazën e "dinjitetit dhe barazisë".
Përqindjet e kandidatëve
Lai Ching-te i Partisë Demokratike Progresive (DPP) fitoi zgjedhjet e sotme me 40.2% të votave, sipas rezultateve zyrtare, me votat e numëruara nga 98% e qendrave të votimit.
Megjithatë, Lai Ching-te, 64 vjeç, ishte cilësuar si "rrezik serioz" nga Pekini, sepse partia e tij pretendon se ishulli është tashmë de fakto i pavarur. Kina, e cila e konsideron Tajvanin territorin e saj, u kishte bërë thirrje votuesve të bëjnë "zgjedhjen e duhur".
Rivali kryesor i Lait, 66-vjeçari Hu Yu-yi, një kandidat nga Kuomintang (KMT), i cili mbron një afrim me Pekinin, mori 33.4% të votave.
"Unë respektoj vendimin përfundimtar të popullit të Tajvanit dhe Përgëzoj Lai Ching-te dhe Hsiao Bi-him për zgjedhjen e tyre, duke shpresuar se ata nuk do të zhgënjejnë pritshmëritë e popullit tajvanez", tha Hu.
Kandidati i tretë, 64-vjeçari Ko Wen-je i Partisë Popullore të Tajvanit (TPP), doli i treti me 26.4%.
Lini një Përgjigje