Brenda forcave të armatosura iraniane po raportohet për një situatë konfuzioni dhe pasigurie, sipas mediave opozitare iraniane. Televizioni Iran International, që operon jashtë Iranit, citon burime nga brenda ushtrisë që flasin për largimin e disa oficerëve të lartë nga bazat ushtarake.
Raportimet vijnë në një kohë kur tensionet në rajon janë rritur dhe sulmet e vazhdueshme të Izraelit dhe Shteteve të Bashkuara kundër objektivave të lidhura me regjimin iranian kanë shtuar presionin mbi strukturat e sigurisë së vendit.
Sipas ushtarëve që kanë folur për Iran International, situata është bërë më e paqartë që nga zhvillimet e fundit politike dhe ushtarake të raportuara në vend. Disa prej tyre thanë se brenda njësive ushtarake është krijuar konfuzion për zinxhirin e komandës.
Ushtarë të vendosur në një bazë ushtarake në provincën Lorestan deklaruan se nuk kanë më qartësi se kush drejton njësitë e tyre, pasi disa oficerë të lartë, sipas tyre, janë larguar nga kampi. Një prej tyre tha për median se disa komandantë, të shqetësuar për mundësinë e trazirave, kanë braktisur pozicionet duke lënë ushtarët pa udhëzim dhe mbështetje.
Disa ushtarë kanë raportuar gjithashtu se, nga frika e sulmeve ajrore amerikane dhe izraelite, kalojnë natën jashtë bazave ushtarake në zona të hapura për të shmangur rrezikun e goditjeve të mundshme. Ata akuzojnë drejtuesit e forcave të armatosura se i kanë lënë njësitë pa mbrojtje dhe pa udhëzime të qarta.
Raportimet e Iran International nuk janë konfirmuar në mënyrë të pavarur nga autoritetet iraniane.
Lini një Përgjigje