Një nga operacionet më të bujshme të raportuara ishte edhe marrja e dokumenteve të programit bërthamor iranian nga një depo në Teheran në vitin 2018.
Tridhjetë vjet spiunazh, qindra agjentë të rekrutuar – përfshirë edhe gjeneralë – operacione të fshehta në zemër të Iranit, orë të pafundme mbikëqyrjeje dhe analiza të mëdha të të dhënave. Kështu përshkruajnë disa media ndërkombëtare dhe arabe aktivitetin e shërbimit sekret izraelit Mossad brenda territorit iranian.
Sipas këtyre raportimeve, operacionet kanë përfshirë përgjime telefonike, hakimin e antenave të telekomunikacionit dhe kamerave të trafikut, si edhe analizë të rrjeteve sociale përmes metodave matematikore dhe algoritmeve të posaçme për identifikimin e objektivave.
Në këtë kontekst, disa media arabe raportuan se gjenerali i Gardës Revolucionare, Esmail Qaani, dyshohet se kishte një rol të rëndësishëm në operacionet izraelite dhe se është ekzekutuar të premten si i dyshuar për bashkëpunim me Mossadin. Pretendimet nuk janë konfirmuar zyrtarisht nga autoritetet iraniane.
Qaani kishte marrë pjesë në takime me figura të rëndësishme të organizatave aleate të Iranit, të cilat më pas u vranë nga operacione të ushtrisë izraelite ose nga Mossadi menjëherë pas largimit të tij.
Ai thuhet se i kishte shpëtuar disa sulmeve të veçanta, gjë që kishte ngritur dyshime brenda strukturave iraniane. Media arabe raportojnë se pikërisht këto rastësi të përsëritura çuan në dyshime për bashkëpunim me shërbimet izraelite.
Sipas të njëjtave burime, fati i tij u vulos pasi doli nga një takim ku udhëheqësi suprem iranian Ali Khamenei po zhvillonte një mbledhje me gjeneralë dhe këshilltarë të tij.
Tradhtari “i padukshëm”
Rreth një orë më vonë, sipas raportimeve të mediave, një sulm ajror izraelit goditi kompleksin e ndërtesave në rrugën Pasteur në Teheran, ku ndodhej takimi.
Sulmi, për të cilin thuhet se përfshiu më shumë se tridhjetë bomba bunkerësh ose raketa të tipit Blue Sparrow, shkatërroi kompleksin dhe vrau disa nga të pranishmit.
Sipas disa mediave izraelite, kryeministri i Izraelit mori në telefonin e tij një video që tregonte trupin e Ali Khameneit, duke ofruar prova për vdekjen e tij. Lajmi u publikua disa orë më vonë nga burime izraelite, ndërsa mediat shtetërore iraniane fillimisht e mohuan.
Kjo ngriti pyetjen se kush mund të kishte dhënë informacionin e saktë për vendndodhjen e udhëheqësit iranian.
Mundësia që pamjet të ishin filmuar nga një dron izraelit u hodh poshtë nga disa analistë, ndërsa dyshimet u përqendruan te një zyrtar i lartë brenda strukturave iraniane.
Media të ndryshme përmendën emrin e gjeneralit Esmail Qaani, komandant i Forcës Quds të Gardës Revolucionare, i cili kishte mbijetuar disa sulme të mëparshme izraelite.
Qaani ishte pasardhësi i Qassem Soleimanit, i vrarë në janar të vitit 2020 nga një sulm amerikan me dron në Bagdad. Ndryshe nga paraardhësi i tij, ai konsiderohej më shumë një organizator teknik i operacioneve sesa një figurë karizmatike politike.
Rastësitë që ngritën dyshime
Më 31 korrik 2024, sipas raportimeve, Qaani vizitoi në mënyrë të fshehtë liderin politik të Hamasit, Ismail Haniyeh, në një vendndodhje në qendër të Teheranit.
Ai qëndroi me të për më shumë se një orë dhe u largua nga ndërtesa. Më pak se dy orë më vonë, ndërtesa u godit nga një sulm izraelit. Dy muaj më vonë ndodhi një rast tjetër i ngjashëm.
Më 27 shtator 2024, Qaani u takua në Bejrut me liderin e Hezbollahut, Hassan Nasrallah. Pas takimit dhe një bisede të shkurtër, ai u largua nga ndërtesa. Disa orë më vonë, sipas raportimeve, një shpërthim i fuqishëm shkatërroi objektin ku ndodhej Nasrallah.
Media ndërkombëtare raportuan gjithashtu për dyshime se një person i afërt me liderin e Hezbollahut mund të kishte përdorur një substancë të padukshme për ta kthyer atë në një objektiv të gjurmueshëm.
Në fillim të tetorit, Qaani u kthye sërish në Bejrut për t’u takuar me pasardhësin e Nasrallahut, Hashem Shaafeddine.
Pas këtij takimi, Izraeli goditi një seli nëntokësore të shërbimeve të inteligjencës së Hezbollahut. Për disa ditë nuk pati informacion për vendndodhjen e Qaanit dhe përkohësisht u raportua se ai mund të ishte vrarë ose plagosur rëndë.
Sipas portalit Middle East Eye, kur Qaani u kthye në Teheran ai ishte tashmë nën dyshime dhe u arrestua në mënyrë të fshehtë nga autoritetet iraniane.
Raportohet se ai u vendos në arrest shtëpiak dhe iu nënshtrua një serie marrjesh në pyetje. Gjatë kësaj periudhe ai u shtrua edhe në spital pas problemeve shëndetësore.
Megjithatë, sipas mediave arabe, ai vazhdoi të dyshohej për bashkëpunim me shërbimet izraelite dhe më vonë u ekzekutua si spiun i dyshuar.
Operacioni kundër Khameneit
Sipas disa burimeve mediatike, operacioni për eliminimin e udhëheqjes iraniane ishte rezultat i një planifikimi shumëvjeçar nga Mossadi.
Ish-zyrtari i inteligjencës izraelite Oded Ailam deklaroi se operacione të tilla kërkojnë vite të tëra mbledhjeje informacioni dhe analiza të vazhdueshme.
Sipas raportimeve, për më shumë se një dekadë u monitoruan lëvizjet e Ali Khameneit, familjes së tij dhe truprojave të tij.
Në këtë proces, sipas mediave, u përdorën edhe sisteme mbikëqyrjeje që përfshinin kamerat e trafikut në Teheran. Thuhet se një pjesë e madhe e tyre ishte hakuar dhe transmetonte imazhe të drejtpërdrejta në serverë jashtë Iranit.
Vëmendje e veçantë iu kushtua truprojave dhe personelit të sigurisë që shoqëronte udhëheqësin iranian. Të dhënat për lëvizjet e tyre, vendbanimet dhe rutinën e përditshme u analizuan për vite me radhë nga shërbimet izraelite.
Roli i njësisë 8200
Një rol të rëndësishëm në mbledhjen dhe analizën e të dhënave, sipas mediave ndërkombëtare, ka luajtur edhe Njësia 8200 e ushtrisë izraelite.
Kjo njësi e specializuar në inteligjencën elektronike konsiderohet një nga strukturat më sekrete të Izraelit dhe shpesh përmendet si “sytë dhe veshët” e vendit në operacionet e mbikëqyrjes.
Raportimet e Financial Times dhe mediave të tjera përmendin se kjo njësi ka analizuar miliarda të dhëna nga rrjetet sociale dhe komunikimet elektronike për të identifikuar marrëdhënie, rrjete ndikimi dhe objektiva të mundshëm. Sipas disa burimeve, në këto analiza janë përdorur edhe sisteme të inteligjencës artificiale.
Një rrjet i gjerë informatorësh
Raportimet flasin gjithashtu për një rrjet të gjerë informatorësh brenda Iranit. Sipas mediave, Mossadi ka rekrutuar jo vetëm qytetarë iranianë të pakënaqur me regjimin, por edhe refugjatë afganë që jetojnë në vend.
Ata thuhet se janë përdorur për të mbledhur informacione mbi vendbanimet e zyrtarëve të lartë ushtarakë dhe shkencëtarëve të programit bërthamor iranian.
Operacione sabotimi dhe atentate
Që nga fillimi i viteve 2000, operacionet e fshehta kundër programit bërthamor iranian janë shtuar.
Sipas mediave ndërkombëtare, Mossadi ka organizuar sabotime të pajisjeve në centralet bërthamore dhe ka eliminuar disa shkencëtarë që punonin në program.
Një nga rastet më të njohura ishte vrasja e shkencëtarit Mohsen Fakhrizadeh në vitin 2020, një operacion që sipas analistëve kërkoi një planifikim shumë të gjatë dhe pjesëmarrjen e shumë agjentëve në terren.
Vjedhja e arkivit bërthamor
Një nga operacionet më të bujshme të raportuara ishte edhe marrja e dokumenteve të programit bërthamor iranian nga një depo në Teheran në vitin 2018.
Sipas mediave izraelite, një ekip agjentësh arriti të hynte në ndërtesë gjatë natës dhe të merrte mijëra dokumente dhe materiale elektronike që lidhen me projektet bërthamore të Iranit. Operacioni zgjati disa orë dhe dokumentet u transportuan më pas jashtë vendit.
Analistët e sigurisë theksojnë se shumë nga këto raportime nuk janë konfirmuar zyrtarisht, por ato pasqyrojnë rivalitetin e thellë mes Izraelit dhe Iranit, i cili për vite me radhë është zhvilluar edhe në fushën e operacioneve të fshehta dhe të inteligjencës.
Kalate merren vetem nga brenda, histori e lashte kjo. E ka shtjelluar bukur me duket Ismail Kadare ne nje esse dorezimin e Trojes. Pse Laokonti bashke me djemte u derguan gjarperinjte e i mbyten? Sepse Laokonti zbuloi tradhetine e brendeshme te Trojaneve qe te dorezojne Trojen ne kembim te ikjes se Princave te Trojes e familjes Mbreterore qe iken pa u hyre gjemb ne kembe. Insistimi i futjes se kalit te drunjte ishte loje per t'i hedhur hi syve popullit se dera u hap nga pas. E keqja me e madhe e njerezimit eshte, se shpelarja e gjeneratave te reja manipulohet e nuk kane njohuri per historine e shkuar e u duhet te ndeshen me luftera e fatkeqesira qe te kuptojne kur eshte teper vone. E keshtu kjo bote e ngrate rrotullohet e zuzaret kane bere e do bejne qejf me injorancen e brezave qe krijohen.