Presidenti amerikan Donald Trump ka deklaruar se kryeministri britanik Keir Starmer po përballet me vështirësi serioze për të mbijetuar politikisht mes krizës që ka përfshirë qeverinë e tij.
Komentet Trump i bëri gjatë një bisede me gazetarët në bordin e Air Force One, teksa po kthehej nga samiti dyditor me presidentin kinez Xi Jinping në Pekin.
Gjatë deklaratës së tij, Trump kritikoi politikat e Starmer për emigracionin dhe energjinë, duke pretenduar se refuzimi i kryeministrit britanik për të lejuar shpimet në Detin e Veriut ka shtuar presionin ndaj tij dhe kërkesat për dorëheqje.
“Është një gjë e vështirë, përveç nëse ai mund ta rregullojë çështjen e imigracionit, ku është i dobët, dhe nëse nuk fillon shpimet dhe nuk ndalet me mullinjtë e erës kudo… ai duhet të hapë Detin e Veriut.”, tha ai.
Trump ka kritikuar vazhdimisht Starmer edhe për qëndrimin e tij ndaj konfliktit me Iranin, pasi kryeministri britanik refuzoi fillimisht të mbështeste operacionet ushtarake të SHBA-së dhe Izraelit kundër Teheranit.
Sipas raportimeve, Starmer në fillim kishte ndaluar përdorimin e bazës ushtarake amerikane në Diego Garcia, në Ishujt Chagos, për nisjen e sulmeve ndaj Iranit, por më pas u detyrua të tërhiqej nga ky vendim.
Ndërkohë, kryeministri britanik po përballet me tensione të forta brenda Partisë Laburiste. Rebelimi i brendshëm ka sjellë dorëheqjen e Wes Streeting nga posti i sekretarit të shëndetësisë, ndërsa afro 100 deputetë laburistë kanë kërkuar largimin e Starmer nga drejtimi i qeverisë.
Lini një Përgjigje