TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota15 Maj 2026, 14:07

“Do të pështyja në fytyrë veten”, Vuçiç refuzon ftesën për 20-vjetorin e pavarësisë së Malit të Zi

Shkruar nga Pamfleti
“Do të pështyja në fytyrë veten”,
Presidenti i Serbisë, Aleksander Vuçiç

Presidenti i Serbisë, Aleksander Vuçiç, ka refuzuar ftesën për të marrë pjesë në ceremoninë e 20-vjetorit të pavarësisë së Malit të Zi, duke bërë deklarata të forta ndaj festimeve të organizuara nga Podgorica.

“Unë nuk do të shkoj në festimin madhështor të shkëputjes nga Serbia ime. Do të turpërohesha dhe do të pështyja në fytyrë veten dhe popullin tim, ndërsa ata le të festojnë çfarë të duan.”, tha Vuçiç gjatë një komunikimi me gazetarët.

Presidenti serb u shpreh se në Mal të Zi po organizohej një festë e madhe me pjesëmarrjen e artistëve ndërkombëtarë, përfshirë Ricky Martin, por sipas tij, ajo që po festohet është largimi nga Serbia.

“Shoh që janë shumë të lumtur që janë larguar nga serbët dhe Serbia, u uroj fatin më të mirë,” tha Vuçiç. Ai shtoi gjithashtu se nuk e konsideron të habitshme që Bashkimi Evropian nuk këmbëngul për përdorimin e gjuhës serbe në Mal të Zi.

“Le të vazhdojnë punën e tyre, u uroj gjithë lumturinë e botës, ndërsa Serbia të ecë përpara dhe të arrijë suksese të mëdha në përparimin ekonomik të vendit tonë,” deklaroi presidenti serb.

Pas deklaratave të Vuçiçit reagoi Ministria e Jashtme e Malit të Zi, e cila i cilësoi komentet e tij si retorikë që nuk ndihmon marrëdhëniet e mira fqinjësore dhe respektin reciprok mes dy shteteve.

“Ju kujtojmë se Mali i Zi nuk u ‘shkëput’ nga Serbia dhe as nuk ka qenë ndonjëherë pjesë e Serbisë në kuptimin që presidenti Vuçiç përpiqet ta paraqesë. Përkundrazi, Mali i Zi dhe Serbia ishin anëtarë të barabartë të bashkimit shtetëror të krijuar pas shpërbërjes së ish-Jugosllavisë, dhe me rikthimin e pavarësisë së tij, Mali i Zi i mundësoi Serbisë të vazhdojë si shtet i pavarur. Për këtë arsye është e papranueshme dhe politikisht e papërgjegjshme që jubileu i rikthimit të pavarësisë së Malit të Zi të paraqitet si një akt i drejtuar kundër Serbisë ose popullit serb”, thuhet në reagimin zyrtar.

Në deklaratë theksohet gjithashtu se Mali i Zi e feston pavarësinë si shprehje të vullnetit të lirë të qytetarëve të tij dhe të së drejtës për të vendosur në mënyrë demokratike për të ardhmen e vendit.

Lini një Përgjigje