TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota15 Maj 2026, 12:35

Ukraina sulmon Rusinë me dronë, goditen rafineritë e naftës

Shkruar nga Pamfleti
Ukraina sulmon Rusinë me dronë, goditen rafineritë e naftës
Zjarre pranë rafinerisë së naftës Ryazan në Rusi

Ukraina ka ndërmarrë një sulm të gjerë me dronë me rreze të gjatë veprimi ndaj disa rajoneve të Rusisë, përfshirë edhe rafinerinë e madhe të naftës në Rjazan, pas disa ditësh bombardimesh masive ruse mbi territorin ukrainas.

Sulmi i Kievit të premten erdhi pas tri ditësh radhazi sulmesh me dronë dhe raketa nga Moska ndaj Ukrainës, përfshirë kryeqytetin Kiev, ku një raketë lundruese goditi të enjten një pallat banimi, duke vrarë 24 persona, mes tyre edhe tre fëmijë.

Bilanci përfundimtar i viktimave në Kiev u bë i ditur pasi ekipet e emergjencës përfunduan kërkimet në rrënojat e një ndërtese nëntëkatëshe, e cila u godit gjatë asaj që Forcat Ajrore të Ukrainës e cilësuan si breshërinë më të madhe të sulmeve ruse që nga nisja e pushtimit të plotë në shkurt të vitit 2022.

Ndërkohë që Ukraina shpalli ditë zie kombëtare, Këshilli i Europës deklaroi të premten, gjatë samitit të 46 ministrave të Jashtëm europianë në Moldavi, se po ndërmerr hapa për krijimin e një gjykate për krime lufte, me qëllim gjykimin e udhëheqjes ruse për agresionin ndaj Ukrainës.

“Duhet të ndërmerren hapa konkretë për ta çuar përpara këtë angazhim politik, duke siguruar funksionimin dhe financimin e tribunalit”, deklaroi sekretari i përgjithshëm i Këshillit të Europës, Alain Berset.

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, vizitoi vendin ku u shkatërrua pallati në lagjen Darnytskyi të Kievit, në bregun e majtë të lumit Dnipro. Ai vendosi lule dhe falënderoi ekipet e shpëtimit.

“Ekipet tona të emergjencës punuan pa ndërprerje për më shumë se një ditë”, shkroi Zelensky në aplikacionin Telegram.

“Rusët praktikisht rrafshuan një pjesë të tërë të ndërtesës me raketë”, tha ai. Zelensky shtoi se, sipas analizave paraprake, arma që goditi pallatin ishte një raketë ruse Kh-101 e prodhuar së fundmi.

Rusia, e cila nisi pushtimin e plotë të Ukrainës në shkurt 2022, ka lëshuar gjatë kësaj jave mbi 1 500 dronë dhe dhjetëra raketa ndaj objektivave në Ukrainë përgjatë tri ditëve radhazi, sipas zyrtarëve ukrainas.

“Një Rusi e tillë nuk mund të normalizohet kurrë; një Rusi që shkatërron me qëllim jetë njerëzish dhe shpreson të mbetet e pandëshkuar. Nevojitet presion”, deklaroi Zelensky, duke u bërë sërish thirrje aleatëve që të ndihmojnë Ukrainën për forcimin e mbrojtjes ajrore.

Autoritetet e Kievit thanë se nga rrënojat e pallatit u nxorën 24 trupa, ndërsa rreth 30 persona u shpëtuan të gjallë. Afro 50 persona mbetën të plagosur dhe rreth 400 të tjerë kishin nevojë për mbështetje psikologjike, sipas Ministrisë së Brendshme ukrainase.

Rusia nuk komentoi menjëherë mbi sulmin ndaj pallatit të banimit. Moska mohon se synon civilët, por gjatë më shumë se katër viteve të luftës ka goditur shpesh ndërtesa banimi dhe infrastrukturë civile në sulmet ajrore në Ukrainë.

Nga ana tjetër, autoritetet ruse deklaruan se katër persona, përfshirë një fëmijë, u plagosën nga sulmet ukrainase. Komiteti Hetimor i Rusisë njoftoi hapjen e një hetimi për terrorizëm, duke pretenduar se sulmet kishin në shënjestër “objekte banimi dhe infrastrukturë civile”.

“Sulmuesit dëmtuan dy ndërtesa shumëkatëshe banimi dhe një objekt industrial”, thuhet në deklaratën e autoriteteve ruse.

Dëshmitarët në Rjazan thanë se objektivi kryesor i sulmit dukej të ishte rafineria e naftës, një nga më të mëdhatë në Rusi, e cila u përfshi nga flakë të mëdha pas disa goditjeve.

Autoritetet në Kiev shpallën të premten ditë zie në nder të viktimave. Flamujt kombëtarë u ulën në gjysmështizë në të gjithë qytetin me rreth 3 milionë banorë, ndërsa të gjitha aktivitetet argëtuese u anuluan ose u shtynë.

Ministria e Brendshme e Ukrainës bëri të ditur se operacioni i kërkim-shpëtimit në pallatin e goditur zgjati më shumë se 28 orë dhe se qindra efektivë kontrolluan mbi 3 000 metra kub rrënoja.

ukraina sulmon rusinë me dronë goditen rafineritë e naftës

Lini një Përgjigje