Një marrëveshje e fshehtë prej 30 milionë eurosh, parashikon kalimin e rrjetit më të madh të mediave të pavarura në rajon te një fond investimesh me lidhje të ngushta me ish-kryeministrin hungarez. Shitja e planifikuar e aseteve të United Group po ngre alarme për rrezikimin e lirisë së shtypit dhe shtrirjen e modelit joliberal të kontrollit të informacionit në Evropën Juglindore.
Sipas një draft-kontrate të bërë tashmë publike, një perandori mediatike ballkanike e përhapur dhe e njohur për gazetarinë e saj të pavarur, po përgatitet në heshtje për shitje te një fond investimi me lidhje të thella me orbitën politike të ish-kryeministrit hungarez Viktor Orbán.
Shitja e planifikuar prej 30 milionë eurosh e aseteve mediatike të United Group te një fond me seli në Luksemburg, ka ngritur alarme të reja rreth ndikimit gjithnjë e në rritje të qeverive joliberale mbi shtypin në Evropën Lindore.
Pronat mediatike të planifikuara për shitje përfshijnë rrjetet televizive N1 dhe Nova, të cilat historikisht kanë shërbyer si bastione të rralla të raportimit kritik në Serbi, Bosnjë dhe Hercegovinë, Kroaci, Slloveni dhe Mal të Zi.
Zbulimi, i nxjerrë në dritë nga media lokale investigative Raskrikavanje, vjen pas një sërë ndryshimesh të diskutueshme editoriale dhe një regjistrimi audio të publikuar që sugjeronte ndërhyrje të drejtpërdrejtë në udhëheqjen e rrjetit nga presidenti gjithnjë e më autoritar i Serbisë, Aleksandar Vuçiç.
Ndërkohë që kontrata përfundimtare nuk është nënshkruar ende, drafti përcakton si blerësin zyrtar një fondacion luksemburgas të quajtur European Future Media Investments (EFMI). Megjithatë, detajet e fshehura në dokument - duke përfshirë adresat e njoftimit dhe kontaktet kryesore - tregojnë drejtpërdrejti për Alpac Capital, një firmë investimi portugeze. Kontrata e liston Pedro Vargas David, drejtorin e Alpac Capital, si përfaqësuesin kryesor.
Vargas David është i njohur në qarqet mediatike evropiane. Në vitin 2022, Alpac Capital bleu shumicën e aksioneve në Euroneës. Një hetim i mëvonshëm nga mediat e pavarura evropiane, përfshirë Le Monde dhe Direkt36, zbuloi se blerja e Euronews u financua shumë nga kapitali shtetëror hungarez dhe kompanitë e lidhura ngushtë me aparatin e fuqishëm të propagandës së Orbán.
Sipas dokumenteve të brendshme të rrjedhura nga ajo marrëveshje e mëparshme, një nga qëllimet kryesore të investimit ishte “zbutja e paragjykimeve të krahut të majtë” në media. Financimi për blerjen u gjurmua deri te Gyula Balásy, një biznesmen hungarez, perandoria e të cilit ka siguruar kontrata shtetërore fitimprurëse për vite me radhë dhe kompanitë e të cilit tani janë objekt i një hetimi të nisur nga policia hungareze vetëm disa ditë para ndryshimit të kohëve të fundit në udhëheqjen e qeverisë.
Përfaqësimi ligjor për EFMI në blerjen aktuale të United Group po trajtohet nga Moore Legal Kovács, një firmë ligjore hungareze, duke forcuar më tej lidhjet e marrëveshjes me Budapestin.
Një premtim bosh për pavarësi?
Sipas draftit të kontratës, United Group duhet t’i nënshtrohet një riorganizimi masiv të korporatës përpara se të finalizohet shitja. Asetet e rrjetit, duke përfshirë stacionet televizive N1 në të gjithë Ballkanin, të përjavshmen serbe Radar dhe një pjesë prej 51 për qind të aksioneve në Vijesti të Malit të Zi, do të konsolidohen nën një ombrellë të vetme korporative, Adria News.
Kontrata përmban disa klauzola që premtojnë në mënyrë të qartë “pavarësi editoriale”. Megjithatë, për shumë gazetarë në rajon, këto premtime tingëllojnë boshe pas muajsh trazirash të brendshme.
Gushtin e vitit të kaluar, një regjistrim audio i publikuar nga OCCRP zbuloi një bisedë midis drejtorit ekzekutiv të United Group, Stan Miller, dhe Vladimir Lučić, drejtorit të Telekom Srbija. Audioja e bënte të qartë se iniciativa për shkarkimin e drejtoreshës së vjetër të United Media, Aleksandra Subotić, erdhi direkt nga presidenti serb Vuçiç.
“E kuptoj që presidenti ju telefonoi dhe është shumë i mërzitur... duhet ta bëj atë kompani shumë të vogël në Serbi... Ta ndaj. Dhe për këtë duhet kohë”- dëgjohej të thoshte Miller në regjistrim.
Plani u realizua shpejt. Në fund të muajit shkurt 2026, Subotić u shkarkua, dhe në prill u largua edhe Igor Božić, kreu i dhomës së lajmeve të N1. Shitja e afërt te Alpac Capital shënon një përfundim të hidhur për gazetarët që ndërtuan rrjetin.
Në nëntor të vitit të kaluar, redaktorët dhe drejtorët e mediave të United Group propozuan një blerje nga menaxhmenti për të mbrojtur pavarësinë e tyre. Një muaj më vonë, oferta e tyre u refuzua kategorikisht nga pronarët, përfshirë firmën BC Partners, me pretendimin se nuk dëshironin t’ia shisnin median një pale të tretë.
Dokumentet e tanishme dëshmojnë të kundërtën. Deri më tani, përfaqësuesit e BC Partners, Stan Miller dhe Alpac Capital, nuk u janë përgjigjur kërkesave të OCCRP për koment./Pamfleti nga “OCCRP”
Lini një Përgjigje