TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota22 Prill 2026, 16:13

Kriza e Hormuzit: Deri në nëntor tregut do t’i mungojnë 1 miliard fuçi naftë!

Shkruar nga Giovanni Ricci
Kriza e Hormuzit: Deri në nëntor tregut do t’i mungojnë 1
Foto ilustruese

Pasiguria gjeopolitike në Ngushticën e Hormuzit po rrezikon stabilitetin e furnizimit global me energji. Analistët paralajmërojnë se ndërprerjet e mundshme të lëvizjes mund të krijojnë një deficit masiv, duke detyruar tregjet të përballen me një krizë akute deri në fund të vjeshtës.

Analiza e flukseve energjetike në Ngushticën e Hormuzit, konfirmon se ky mbetet nyja më kritike për tranzitin botëror të lëndëve të para. Përmes një vlerësimi sasior

të flukseve, rezulton se nafta është lënda më pak elastike dhe më e ndjeshmja ndaj tronditjeve afatshkurtra, të cilat vënë nën presion ekstrem mënyrat e furnizimit në mbarë botën.

Sipas një ushtrimi teorik që merr në konsideratë një periudhë 270-ditore (nga 28 shkurti deri më 28 nëntor), të dhënat projektojnë një mungesë neto që mund të arrijë në 1 miliard fuçi nafte.

Ky afat nuk është rastësor, pasi përkon me pritshmëritë për pasoja të rënda politike për presidencën Trump pas zgjedhjeve të mesit të mandatit, duke filluar nga një Kongres i kontrolluar nga demokratët e deri te një procedurë e suksesshme shkarkimi (impeachment).

Duhet theksuar se lëndët e tjera të para që kalojnë përmes Hormuzit, si gazi, kanë mekanizma më efikasë balancimi. Për gazin ekziston një ndërkëmbyeshmëri me qymyrin deri në rreth 70 për qind.

Ndërsa elementë si fosfatet për bujqësinë apo heliumi për superçipat kanë burime alternative, siç janë kapacitetet gjigante në Siberi që mund të rriten lehtësisht. Rrjedhimisht, problematika kryesore dhe më e mprehtë mbetet ajo e naftës.

Në kushte normale, gjatë 270 ditëve në këtë ngushticë kalojnë rreth 6.2 miliardë fuçi. Megjithëse rezervat totale të SHBA-ve, Evropës dhe Kinës arrijnë rreth 3 miliardë fuçi, fakti që ato nuk koordinohen nga një qendër e vetme politike nxjerr në pah përmasën “oqeanike” të kësaj krize furnizimi.

Një vëmendje e veçantë i duhet kushtuar pretendimit për pavarësinë energjetike të SHBA-ve, i cili shpesh keqinterpretohet në media. Të dhënat zyrtare të Departamentit Amerikan të Energjisë, tregojnë se kjo pavarësi nuk ekziston realisht.

SHBA-ja prodhon rreth 13.5 milionë fuçi në ditë (të dhënat zyrtare të vitit 2025), por rreth 7 milionë vijnë nga nafta e nxjerrë me fraktim (fracking), e cila është më pak cilësore dhe kërkon përpunim shtesë me nafta më të rënda nga Lindja e Mesme për të prodhuar karburante të standardit të lartë.
Me një konsum ditor prej rreth 21 milionë fuçish, SHBA përballet me një hendek prej 7.5 milionë fuçish. Rreth 6.5 milionë fuçi importohen çdo ditë, ndërsa pjesa tjetër vjen nga burime si etanoli. Sa për krahasim, Italia konsumon rreth 1.8 milionë fuçi në ditë dhe prodhon vetëm 35-40 mijë.

Importet amerikane mbështeten kryesisht te Kanadaja (3.5 milionë fuçi), Meksika (1 milion) dhe pjesë të tjera të botës. Pas zhvillimeve në Venezuelë në fillim të janarit, SHBA-ja ka fituar qasje në një rezervë prej rreth 100 milionë fuçish dhe kontroll mbi një prodhim prej rreth 1 milion fuçi në ditë.

Këto shifra përdoren shpesh në mënyrë të shtrembëruar për të pretenduar se prodhimi amerikan tejkalon atë të vendeve arabe dhe Rusisë së bashku. Ky është një pohim i pasaktë që përfshin padrejtësisht prodhimin e vendeve të tjera si pjesë të SHBA-ve. Konsumi neto i brendshëm amerikan është rreth 17 milionë fuçi në ditë, shumë më i lartë për frymë se sa në vende si Italia. Nëse flukset nga Hormuzi do të ndërpriteshin papritur, SHBA do të ishte në pozitën më të favorshme ndër 4 zonat kryesore të konsumit, duke përballuar situatën për rreth dy vjet falë importeve nga Kanadaja, Meksika dhe Venezuela, por pa qenë plotësisht e vetë-mjaftueshme.

Ky është kuadri, përmes të cilit Trump krijon realitete të ekzagjeruara dhe shumë të rreme, ndërsa ai i bashkon dhe i interpreton në mënyrë shumë të gabuar grupe të mëdha dhe komplekse situatash dhe realitetesh industriale dhe kombëtare.

Nga 23 milionë fuçi që kalojnë çdo ditë në Hormuz, rreth 9 milionë mund të devijohen drejt brigjeve arabe të Detit të Kuq. Duke i shtuar kësaj rritjen e prodhimit nga Kanadaja, Brazili, Nigeria, Rusia apo Norvegjia (rreth 4.5 milionë fuçi), mungesa totale në një periudhë 270-ditore do të ishte rreth 1.89 miliardë fuçi.

Edhe nëse rezervat strategjike mbulojnë një pjesë (rreth 890 milionë fuçi), mungesa e mbetur prej 1 miliard fuçish do të rriste çmimin e naftës (WTI) në 90-100 dollarë. Në rast se ky deficit arrin n ë 2.5 miliardë fuçi, atëherë çmimi do të ngjitej në 130-140 dollarë, duke shkaktuar një inflacion vjetor prej 13-15 për qind në Perëndim për 2-3 vite.

Sektori i turizmit do të ishte industria më e goditur drejtpërdrejt. Megjithatë, përtej makroekonomisë, kjo analizë nxjerr në pah krizën e marrëdhënieve ndërkombëtare. Një mbyllje e plotë e Hormuzit nënkupton një gjendje konflikti të vazhdueshme me rreziqe për përshkallëzim ushtarak.

Çfarë lloj ngjarjesh luftarake mund të ndodhin, edhe nëse kufizohen në kontekstin rajonal të Lindjes së Mesme? Me fjalë të tjera, gjetja e zgjidhjeve alternative industriale dhe makroekonomike ndaj mbylljes së Hormuzit, na bën të vlerësojmë në detaje gabimin e madh strategjik dhe taktik të kryer nga administrata Trump.

Njjë gabim kaq i dukshëm dhe i pakontrollueshëm saqë ngre çështjen tani urgjente të qëndrimit të këtij presidenti në detyrë. Por nëse është kështu, pse të vazhdojmë të shkaktojmë dëm?

Dhe mbi të gjitha, me konfuzionin dhe kaosin që vetëm sa rritet, edhe për sa kohë mund ta përballojë Kongresi Amerikan sjelljen ekscentrike të Trump në Shtëpinë e Bardhë?/ Përshtati "Pamfleti", nga “Il Sussidiario”

 

kriza e hormuzit nafta

Lini një Përgjigje