Një takim mes dy trafikantëve të drogës në xhunglën e Amazonës, në rajonin Putumayo, është shndërruar në një mjet të ri presioni diplomatik për presidentin amerikan Donald Trump ndaj qeverive të Kolumbisë dhe Venezuelës.
Sipas një raporti të inteligjencës amerikane, të cituar nga gazeta spanjolle El País, shtetasi serb Antun Mrdeža, i konsideruar si figurë kyçe në trafikun ndërkombëtar të drogës dhe i ndaluar në Venezuelë që prej vitit 2025 – ka lidhur marrëveshje të paligjshme me Giovanni Andrés Rojas, i njohur si “Arana”, lider i grupit të armatosur Border Commandos, i cili ndodhet në burgun La Picota në Bogota.
Shtëpia e Bardhë ka kërkuar dorëzimin e të dyshuarve në Shtetet e Bashkuara.
Sipas El País, takimi i pritshëm mes presidentit kolumbian Gustavo Petro dhe presidentes së përkohshme të Venezuelës, Delcy Rodríguez, nuk synon vetëm forcimin e marrëdhënieve dypalëshe. Një burim qeveritar që ka këshilluar Petron para takimit të tij me Trumpin deklaroi se duhet të përcaktohen detajet logjistike për transferimin e Mrdežës në Kolumbi, pas arratisjes së tij nga aeroporti ndërkombëtar José María Córdova në Rionegro në maj 2023. Pasi të transferohet në Kolumbi, SHBA pritet të kërkojnë ekstradimin e tij.
Mrdeža, i njohur edhe si Nikola Boroš, konsiderohet pjesë e të ashtuquajturës “Drejtoria e Re e Trafikut të Drogës”, një rrjet transnacional që, sipas qeverisë kolumbiane, bashkon krerë të trafikut nga Amerika Latine dhe Evropa për organizimin e dërgesave të mëdha të kokainës.
Ai ka çështje të hapura në shtatë vende dhe, pas arratisjes në vitin 2023, udhëtoi lirshëm në disa qytete kolumbiane. Sipas raportimit, ai u arratis pasi kërkoi leje nga rojet për të blerë ujë dhe u largua me një automjet drejt qytetit Cali, ku u takua me persona të përfshirë në financa dhe pastrim parash. Më pas shkoi në Putumayo, në kufi me Ekuadorin, ku dyshohet se bashkëpunoi me “Aranën” për trafikun e drogës. Takimet e tyre u dokumentuan nga agjentë të Administratës Amerikane për Luftën kundër Drogës (DEA).
Nga Putumayo, sipas autoriteteve, Mrdeža udhëtoi drejt Guayaquil në Ekuador, ku i mbijetoi një atentati, dhe më pas u strehua në Venezuelë, ku u arrestua më 22 maj 2025.
El País shkruan se ministri i Brendshëm i Venezuelës, Diosdado Cabello, njoftoi atë ditë arrestimin e mbi 70 personave të dyshuar si bashkëpunëtorë të lideres opozitare María Corina Machado, mes tyre edhe Mrdeža. Emri i tij u përfshi në një listë ku figuronin gazetarë, aktivistë dhe figura politike, duke rikthyer vëmendjen ndërkombëtare mbi rastin dhe duke riaktivizuar hetime në Republikën Domenikane dhe Itali.
Sipas raportit, shtetasi serb dyshohet se ka lidhje me Alejandro Salgado Vega, i njohur si “El Tigre”, një nga trafikantët më të kërkuar në Spanjë, për të cilin besohet se fshihet në Dubai. Prokuroria spanjolle kundër narkotikëve pretendon se rrjeti i tij ka trafikuar mbi 100 milionë euro kokainë të fshehur në ngarkesa me ananas gjatë viteve 2020-2021. Në këtë rrjet, Mrdeža dyshohet se koordinonte rrugët Bolivi–Uruguaj dhe Kolumbi–Ekuador–Brazil.
Giovanni Andrés Rojas, i identifikuar nga inteligjenca amerikane si furnizues i kokainës për Mrdežën, ishte i lirë deri në shkurt 2025. Qeveria kolumbiane e kishte emëruar negociator paqeje me grupin Border Commandos, duke pezulluar urdhrat e arrestit ndaj tij. Megjithatë, ai u arrestua në hotelin Marriott në Bogota gjatë një takimi me delegatë qeveritarë për raundin e tretë të bisedimeve.
Arrestimi u krye me kërkesë të SHBA-së dhe u bë publik para mediave kombëtare. Që prej asaj kohe, Rojas ndodhet në burgun La Picota, në pritje të vendimit të presidentit Petro për ekstradimin e tij.
Kërkesa për ekstradim është shtyrë prej gati një viti. Sipas El País, një komitet diplomatik amerikan ka zhvilluar bisedime për të zbutur tensionet dhe për të justifikuar vonesën. Qeveria e Petros ka refuzuar të firmosë ekstradimin, duke argumentuar se kjo do të rrezikonte negociatat me grupin Coordinadora Nacional Ejército Bolivariano, organizatë disidente ku bëjnë pjesë Border Commandos.
Lini një Përgjigje