
Pse rasti Mogherini është një paralajmërim për Bashkimin Evropian?
Një tërmet gjyqësor që trondit zemrën e Bashkimit Europian. Ndalimi i Federica Mogherini-t, një prej figurave simbol të diplomacisë europiane dhe ish-Përfaqësuese e Lartë e BE-së për Politikën e Jashtme, nuk është thjesht një çështje penale.
Pamja që del nga hetimi belg tregon një rrjet të mundshëm lidhjesh mes institucioneve dhe qendrave të formimit, mes atyre që hartojnë rregullat dhe atyre që ndikojnë mbi to, mes atyre që menaxhojnë fondet dhe atyre që i përfitojnë.
Gjurmët e sinjalizuesit dhe hija e gjatë e vitit 2023
Ndryshe nga narrativa e orëve të fundit, hetimi nuk është shfaqur papritur. Ai nis në vitin 2023, kur një sinjalizues brenda Kolegjit të Europës informon Prokurorinë Publike Evropiane (EPPO) për një sërë anomalish në marrëdhëniet me Shërbimin Europian për Veprim të Jashtëm (EEAS). Email-e, dokumente konfidenciale, paracaktim të kritereve të një tenderi për një program trajnimi të financuar nga BE, fragmente që, të mbledhura bashkë, sugjeronin se Kolegjit i ishin bërë të ditura informacione të tenderit para publikimit zyrtar. Nëse kjo provohet, do të përbënte shkelje të rëndë të konkurrencës dhe keqpërdorim të lidhjeve informale me drejtues të EEAS-it.
Që aty, EPPO hap një dosje paraprake, e cila kthehet në hetim formal në vitin 2024, një histori e gjatë, e heshtur, e ndërtuar hap pas hapi, që çon në ndalimet e sotme.
Jo vetëm 990 mijë euro: dimensioni ekonomik zgjerohet
Shifra prej 990 mijë eurosh e përfolur në media është vetëm maja e ajsbergut. Në lojë janë kontrata të tjera, nënkontrata dhe module shtesë trajnimi që e çojnë totalin mbi 1,3 milionë euro. Hetuesit duan të zbulojnë nëse pas këtyre marrëveshjeve fshihet një model i përsëritur: të njëjtat persona, i njëjti qarkullim informacioni, e njëjta mënyrë ndarjeje. Kolegji i Europës prej dekadash është qendra përmes së cilës kalon formimi i elitave europiane, një pozicion që natyrshëm sjell fluks të madh fondesh. Pyetja e sotme është: a është kthyer kjo marrëdhënie institucionale në një privilegj të errët, të mbrojtur nga lidhje personale që ndikojnë makinerinë e tenderëve në BE?
Heqja e imunitetit: sinjali politik
Hapi vendimtar ishte heqja e imunitetit diplomatik për Mogherinin dhe Sanninon, një akt i rrallë, i miratuar nga Sekretariati i Këshillit të BE-së. Ky është një tregues se drejtësia belge ka në dorë indicie të forta për të çuar hetimin përpara. BE, në dukje, jep një sinjal të qartë: imuniteti nuk është mburojë për ata që menaxhojnë para publike. Por njëkohësisht, rasti nxjerr zbuluar brishtësinë e procesit vendimmarrës europian, sepse dy figura kyçe, njëra deri pak muaj më parë në krye të EEAS-it dhe tjetra në krye të institucionit që përgatit diplomatët e ardhshëm, dyshohen se kanë manipuluar rregulla të cilat vetë i kanë ndërtuar.
Efekti gjeopolitik: Europa humb besueshmëri aty ku i nevojitet më shumë
Skandali shpërthen në një kohë kur Europa synon të forcojë autonominë strategjike. SHBA po rishikon rolin e saj në NATO; Rusia po konsolidon pozicionin në Ukrainë; Kina po depërton agresivisht në Amerikën Latine dhe Afrikë me investime të fuqishme. Në këtë kontekst BE duhet të shfaqet e unifikuar, e besueshme, transparente. Por rasti “Mogherini” hap një plagë pikërisht në zemrën simbolike të projektit europian: formimin e elitave të saj.
Nëse institucioni që përgatit drejtuesit e ardhshëm zbulohet se ka përfituar nga informacione të pakonkurrueshme, imazhi i një Europe meritokratike dhe të rregulluar fillon të rrënohet.
Kolegji i Europës nuk është thjesht një universitet. Është laborator i elitës së BE-së, aty ku formohen komisionerët, diplomatët dhe burokratët e së ardhmes. Prandaj ky hetim prek një nerv të ndjeshëm. Nuk bëhet fjalë vetëm për parregullsi teknike, por për aftësinë e BE-së për të zgjedhur drejtuesit e vet pa zona të errëta. Nëse provohet se Kolegji ka përfituar kontrata falë aksesit në informacione të brendshme, atëherë BE rrezikon të humbasë betejën kulturore të transparencës edhe para asaj politike.
Një Europë që duhet të shohë veten në pasqyrë
Rasti Mogherini nuk do të ndryshojë vetëm fatin e BE-së. Por e detyron Brukselin të analizojë procedurat, menaxhimin e fondeve dhe sa të depërtueshme janë institucionet ndaj ndikimit personal. Në një moment kur BE flet për mbrojtje të përbashkët, për një pakt të ri industrial dhe diplomaci më autonome, ky hetim rrezikon të shndërrohet në bumerang: gërryen kapitalin moral, dobëson besimin publik dhe zbeh projektin politik europian pikërisht në kohën kur duhej të forcohej.
Hetimi vijon dhe nuk përjashtohet që tabloja përfundimtare të jetë më pak e rëndë se ajo që duket sot. Por mesazhi është i qartë: Europa nuk mund të kërkojë rregull nga vendet anëtare, nëse nuk e zbaton brenda mureve të veta. /Përshtati “Pamfleti” nga “Inside Over”
Lini një Përgjigje