Blinken kritikoi prokurorin e ICC-së, Karim Khan për nxitimin për të aplikuar urdhër-arrest ndaj Netanyahut, duke mos i lejuar kështu sipas tij, që sistemit ligjor izraelit të hetojë në mënyrë të pavarur.
Por këto akuza janë hedhur poshtë nga Gjykata Penale Ndërkombëtare e cila tha se nuk ka marrë asnjë informacion që ka treguar veprim të vërtetë në nivel vendas për të adresuar krimet e pretenduara në Gaza.
"Megjithë përpjekjet e rëndësishme, (zyra e prokurorit) nuk ka marrë asnjë informacion që ka treguar veprim të vërtetë në nivel vendas për të adresuar krimet e pretenduara ose individët nën hetim. Prokurori gjithashtu nënvizoi vazhdimisht shqetësimet e tij në lidhje me respektimin e Izraelit në të drejtën ndërkombëtare humanitare dhe ka theksuar publikisht se ai nuk ka parë ndonjë ndryshim të dukshëm në sjellje pavarësisht deklaratave të tij të mëparshme", tha ICC.
Prokurori i ICC-së, Karim Khan, ka hedhur poshtë akuzat e Izraelit dhe disa prej aleatëve të tij që vënë në dyshim pavarësinë e tij.
Duke folur me Christian Amanpour të CNN në një intervistë ekskluzive, Khan tha se pretendimet për antisemitizëm, urrejtje, ose se po favorizojmë njërën palë janë larg nga e vërteta.
"Kjo nuk është një gjueti shtrigash, ky nuk është një lloj reagimi emocional ndaj zhurmës. Është një proces mjeko-ligjor që pritet nga ne si prokurorë ndërkombëtarë, si gjykatë e pavarur, të ndërtojmë prova të qëndrueshme që nuk do të shpërndahen në sallën e gjyqit”, tha ai.
Lini një Përgjigje