
Udhëheqësi suprem i Iranit ka njoftuar për pesë ditë zie pas vdekjes së presidentit në një aksident të papritur ajror por raportimet flasin për brohoritje e fishekzjarre pas konfirmimit të vdekjes, shkruan The Guardian.
Në aksidentin e të dielës pranë kufirit me Azerbaixhanin, bashkë me Raisi, u vra dhe ministri i jashtëm Hossein Amir-Abdollahian dhe disa pasagjerë të tjerë. Por iranianët që folën me rrjetin Guardian refuzonin të mbanin zi për vdekjen e një njeriu, që ata thonë se ishte përgjegjës për qindra vdekje në karrierën e tij politike prej katër dekadash.
Ishte gjatë mandatit të Raisit që protestat përfshinë vendin pas vdekjes së gruas kurde 22-vjeçare, Mahsa Amini, e cila vdiq në paraburgim nga policia pasi u arrestua sipas ligjeve të ashpra të Iranit për hixhabin.
Më shumë se 19,000 protestues u burgosën dhe të paktën 500 u vranë – përfshirë 60 fëmijë – gjatë protestave Gruaja, Jeta, Liria. Policia vazhdon të arrestojë me dhunë gratë për refuzimin e rregullave të hixhabit.
Disa orë përpara se vdekja e Raisit të konfirmohej nga media shtetërore, në Telegram qarkulluan video që shfaqnin fishekzjarre festive, një prej tyre nga vendlindja e Aminit, Saqqez. Iranianët nga brenda dhe jashtë vendit ndanë postime duke i kujtuar botës presidencën brutale të Raisit dhe shtypjen e tij ndaj disidentëve politikë.
Duke folur për vdekjen e presidentit, një anëtar i familjes së një adoleshenti të vrarë nga forcat e sigurisë gjatë protestave të Mahsa Amini tha: “Shpirti i Raisit nuk do të prehet kurrë në paqe sepse vrau vëllain tim dhe fëmijët e atdheut tim. Ai ishte një vrasës që urdhëroi vrasjen e kaq shumë fëmijëve. Shpirti i vëllait tim do të prehet në paqe vetëm kur të tjerët si ai të dalin para drejtësisë. Deri atëherë, ne besojmë në Zot.”
Mes të vrarëve gjatë protestave ishte edhe Minoo Majidi , një nënë 62-vjeçare, e cila u qëllua nga afër nga forcat e sigurisë me më shumë se 160 fishekë. Vajzat e saj ndanë një video të tyre duke brohoritur për lajmin e helikopterit të zhdukur.
Të intervistuarit nga Guardian brenda kryeqytetit thanë se disponimi mund të jetë “ngazëllues” në mediat sociale, por brenda vendit reagimet janë të ndryshme.
“Shumë agjentë ushtarakë janë vendosur në rrugë dhe madje edhe në sheshe të vogla që nga mbrëmja e kaluar. Policia ka paralajmëruar vazhdimisht se personat që janë të lumtur për vdekjen e presidentit do të ndiqen penalisht. Njerëzit ndeznin fishekzjarre, dëgjonin dhe kërcenin muzikë, dhe ata që ishin në trafik vazhdonin të binin në shenjë solidariteti me ata që festonin. Periudha e zisë do të ketë disa arrestime sepse njerëzit nuk janë në disponim për të zi dhe nuk do të zbatojnë urdhrat. Gjendja përreth nuk është askund afër pikëllimit dhe njerëzit shpresojnë se të tjerët do të kenë një fat të ngjashëm”, tha një gazetar me bazë në Teheran./The Guardian
Lini një Përgjigje